Ndërsa njerëzit ngatërroheshin nëpër zhurmën e ceremonisë së përkujtimit të ditëlindjes së Mitrush Kutelit, një burrë i thinjur nisi të rrëfejë një histori të vërtetë.

Me këtë qëllim kishte ardhur enkas nga Elbasani. Fillin e nisi nga një ditë e veçantë… nga viti 1948. Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh.

I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte.

“Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike,” nis të tregojë burri i thinjur. “Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”

Lexo po ashtu:  Faik Konica shkoi në Berlin në fundvitin 1913, për t’u takuar me Vidin dhe për ta këshilluar personalisht Vidin për detyrën që ai kishte marrë përsipër në Shqipëri

Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç’kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë.

Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq. “Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra”, shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimtarit të madh

“Pastaj e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja.

Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!”,thotë Hamzai.

Lexo po ashtu:  Kush tjetër të çon përpjetë pos mbreti i letrave shqipe, Fishta: "U shoftë me arë, me farë me mal e vrri Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za, Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë: Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!"Lexojeni!

“Atë kohë komandant kampi ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: “Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh” (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: “Kapterr Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!” Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterrin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete!”.

Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë.

Lexo po ashtu:  Si e okupoi Anglia Indinë?

Ishin të bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur, të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë.

“Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore”, përfundon rrëfimin e tij Hamza Tusha. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *