Sipas traditës, më21 prill të vitit 753 Para Krishtit, në shpatet e kodrës Palatine, Romuli hapi me parmendë kufijtë brenda të cilave do të ngrihej një qytet i ri. Kjo është ajo që na thonë historianët romakë Tit Livi dhe Varroni, por misteri i origjinës së Romës nuk është zgjidhur ende plotësisht.

Gërmimet arkeologjike

Historianët modernë kanë vendosur prej kohësh një rregull:Mos besoni asgjë nga legjenda që tregohet për Romulin dhe Remin. Ato janë shumë propagandistike për të qenë të vërteta. Nga ana tjetër, të paktën besojeni pak arkeologët, pasi ata kanë kryer gërmime të shumta.

“Sigurisht, themelimi i Romës nuk ndodhi nga askund”- thotë Paolo Karafa, arkeolog dhe profesor në Universitetin e La Sapiensas në Romë. “Edhe tek legjenda ekziston një bërthamë e së vërtetës historike, të cilën ne e kemi rindërtuar.

Para shekullit VIII ekzistonte tashmë një vendbanim i ndarë në disa grupe kasollesh në një sipërfaqe prej rreth 200 hektarësh. Në një moment, dikush mbase me një investim mbretëror, donte t’i jepte këtij vendbanimi një status të veçantë, duke ndërtuar rrugë dhe duke e shenjtëruar atë përmes një ceremonie fetare.

Gjurmët e këtij fortifikimi janë gjetur nga gjysma e dytë e shekulli VIII, pra afër vitit 753”-shton Karafa. Ndërkohë,Dunia Filipi koordinatore e gërmimeve të shumta të kryera në Kodrën Palatine, thotë se fajtorja e Vestas, simbol i statusit urban të vendbanimit, u themelua pikërisht në atë kohë.

Miti i Eneas

Lexo po ashtu:  Prifti shqiptar që luftoi Perandorinë Osmane dhe i doli kundër Vatikanit

Sipas arkeologëve, pamja e këtyre vendeve të rëndësishme publike, dhe datimi i tyre i saktë na japin një siguri: atje lindi një qytet, pikërisht në vendin dhe kohën që rrëfen legjenda. Por ka edhe më shumë sesa kaq. Në Kodrën e Kapitolinës, janë zbuluar relike të epokës së bronzit, që datojnë 6 shekuj para themelimit tradicional të Romës.

“Romuli, ose çfarëdolloj emri që kishte mbreti, ishte me siguri me prejardhje nga një dinasti e vjetër latine. Dhe për të hequr qafe këta paraardhës jo të denjë u krijua miti i Eneas, i njohur në Lazio që në shekullin VIII Para Krishtit”- specifikon arkeologu.

Paraardhësit e latinëve ishin popuj Indo-Evropianë të cilët mbërritën nga Ballkani Verior në mijëvjeçarin e dytë Para Krishtit. Në kohën e themelimit të Romës, tradita thotë se kishte 30 fshatra latine. Në fillim kodrat e Kampidoljos dhe Kuirinales, ishin ndoshta të pushtuara nga Sabinët, ndërsa romakët banonin në kodrën Palatine.

“Përdhunimi i grave Sabine” i përshtatet pikërisht këtij sfondi historik. Romakët, që vinin nga Alba Longa, i ftuan Sabinët në një festë të madhe por pasi dëbuan burrat e tyre, ata rrëmbyen gratë.

Qytet multietnik

Sabinët reaguan duke sulmuan Romën për të liruar vajzat. Por të rrëmbyerat ndërhynë, duke u bërë thirrje Sabinëve për paqe dhe bashkim me romakët. E vërteta është se Sabinët dhe Latinët u bashkuan shumë herët (Numa Pompilius, mbreti i dytë i Romës, ishte Sabin). Rreth vitit 625 Para Krishtit, në Romë mbërritën etruskët. Sipas historianit Romak Tit Livi, atëherë mbërriti në qytet edhe Lukumo i pasur nga Tarkuina, me një kulturë të rafinuar helene (etruskët dhe grekët ishin në kontakte të ngushta mes tyre), që u bë mbreti i pestë i qytetit buzë lumit Tiber me emrin Tarkuino Prisko.

Lexo po ashtu:  A mund të depërtojë dot një vrasës deri në Kremlin për të eliminuar Putinin?

“Ai dhe pasardhësit e tij e shndërruan Romën e parë në një qytet monumental, me shtëpi prej guri, fortifikime komplekse, rrugë të shtruara, dhe tempuj prej guri me zbukurime terrakote. Prandaj, që nga fillimi Roma ishte një qytet multi-etnik”- shprehet Karafa.

Por si shpjegohet zgjerimi i shpejtë i romakëve në gjithë krahinën e Lacios? “Të gjitha burimet vlerësojnë vendndodhjen strategjike pranë lumit Tiber dhe klimën e favorshme. Nga një pozicion i tillë, ishte e lehtë të mbahej nën kontroll trafiku midis dy rajoneve të pasura si Etruria (në veri) dhe Kampanja (në jug).

Por rrugët në atë kohë shkonin më shumë nga lindja në perëndim sesa nga veriu në jug. Ato përdoreshin çdo vit nga barinjtë që sillnin bagëtinë e tyre nga zemra e Apenineve për t’u furnizuar me kripë në bregdet. Secila nga bagëtitë konsumonte rreth 30 kg kripë në vit, teksa kriporet kryesore ndodheshin në grykëderdhjen e lumit Tiber.

Propaganda dhe e vërteta

Nga ai moment, Italia ishte tërësisht Romake. Diplomacia e bazuar tek privilegjet ishte një mënyrë për të zgjeruar sferën e ndikimit, nën kërcënimin e forcës ushtarake. Sikurse shkroi Polibi, u arrit në pikën kur ishte bërë “e qartë për të gjithë dhe absolutisht e domosdoshme që kushdo duhej t’u bindej Romakëve dhe të zbatonte urdhrat e tyre”.

Lexo po ashtu:  Kush ishin 10 bandat diversante që kërkuan të rrëzonin Enver Hoxhën

Por sipas studiuesve, armët e vërteta sekrete të Romës ishin toleranca ndaj popujve të pushtuar. Ndryshe nga grekët, për romakët të tjerët nuk ishin barbarë. “Zgjerimi i Romës ishte i bazuar tek forca ushtarake, por pa idenë e epërsisë kulturore”- thotë Karafa.

Në fakt, toleranca romake u shfaq para së gjithash në kulturë. Krenare për rrënjët e veta, por në kërkim të promovimit social, elita romake duke dashur të pajiset me një kulturë “të lartë”, zgjodhi të mësojë nga kultura më prestigjioze e momentit, ajo greke, duke mirëpritur në rrethin e tyre intelektualë dhe artistë helenë.

Ministritë dhe burokracia

Sa i përket aftësisë logjistike, kjo u manifestua shumë shpejt për shkak se territori që duhej kontrolluar ishte shumë i madh. “Sekreti i suksesit qëndronte tek organizimi dhe përsosja e makinerisë shtetërore. Kështu lindi burokracia, me “ministritë” dhe zyrtarët e veçantë për secilin sektor të administratës. Vetëm perandoritë e mëdha lindore kishin diçka të tillë”- thotë Karafa.

Për më tepër, shteti romak mund të mbështetej tek një sistem ligjor i paparë dhe një ushtri e aftë për t’u përshtatur me çdo kërkesë të re në fushën e betejës. Merita e madhe e romakëve ishte ajo e të kuptuarit të më të mirës së popujve që kishin pushtuar, duke e ripunuar dhe përmirësuar atë.

Burimi: Fokus/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *