Me datë 16 maj të vitit 1999 Kombëtaristi Ukshin Hoti zhduket nga faqja e dheut, pasi rojet e burgut të Dobravës e transportojnë në drejtim të paditur. Kombëtaristi kishte vuajtur për pesë vjet dënimin në burgun e serbisë. Kjo nuk ishte e parë për të, pasi në vitin 1982 ishte dënuar së bashku me disa intelektualë të tjerë me 9 vjet burg për agjit-prop në mbrojtje të protestave studentore.
Hera e parë për Ukshin Hotin ishte zhdukja nga faqja e dheut.

Si u zhdukërka një njeri nga faqja e dheut? Duke mos i lënë as nam as nishan.
Zakonisht as nam as nishan nuk u lihet gjëmave të mëdha. Përfytyrimi serb mbi Intelektualin Kombëtarist Shqiptar ishte ajo e një gjëme të madhe, pasi kishte dalë në dritë një person i cili me penë e jo vetëm, kërkonte t’i çelte udhën kombit të tij.

Kështu, serbia deshi të zhdukë nga faqja e dheut gjëmën e saj, por në fakt, duke i mohuar së paku vendin e prehjes, për të mos folur pastaj për lirinë, e lartësoi atë përjetë, duke na mësuar se në kohët e sotme, vlejnë ata Intelektualë që ngucin plagë e frikësojnë aparatçikë.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti: “Sa i përket Dhomave të Specializuara, brengën e shqetësimin dhe kritikën e kundërshtimin tim, e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e vitit 2015

Janë ata që trondisin status quo-në, të cilët synojnë të ndezin një shkëndijë e të nxjerrin një popull nga trullosja. Sepse në fund të fundit, serbia vetëm sa tregoi sa shumë i frikësohej Ukshin Hotit dhe njerëzve si ai. Aq shumë I frikësohej sa u mundua jo vetëm t’i këpuste në mes jetën, por edhe vdekjen.
Ukshin Hoti sot, fizikisht nuk dihet akoma se ku është. Por shpirtërisht, ai është mes nesh, më I fuqishëm se kurrë./Huazuar nga Brerore./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *