17 Korrik
Sot në mëngjes erdh Irena ke ne. Mbassi më përshëndeti m’u ankue se pse nuk shkova t’a shof kur u ktheva dje në shtëpi. Ma në fund e shfaqi çudin e vet se si kisha ndejtë tri ditë e tri net larg . . . shtëpis. Më duket se ajo e ka hetue se shka asht grumbullue në zemrën t’eme që flet kësodore, me gjith që pak mbylltas. Ajo, natyrisht, habitesh se qysh kisha ndejte tri ditë larg Shpendit e jo larg shtëpis, por këtë nuk e tha. Të them të drejtën un s’dojsha me ndejtë, por më mbajtën. Dhe u mërzita aq shum sa qeshë tue plasë. Me gjithë këtë, me mend e me zemër, jetova këtu, pranë atij që e dashunoj me të gjitha fuqit e mija të shpirtit e të zemrës. Si thashë edhe ma naltë, kuptohet se Irena e ka pikasë dashunin t’eme, atë dashuni që Shpendi shpirtazi kërkon t’a shfrytëzojë me lajka dhe mandej të m’a kthejë shpinën. Oh mizuer! Kush e din se sa Bedrije, Fahrije e Xhevrije ka si un nëpër skutat e Tiranës që i lajkaton për me i futë në kurthin e poshtnimit. Sido që të ngjajë mue nuk mundet me më përulë, pse un do t’a ndryej në zemër atë dashuni dhe s’do t’a shfaq edhe sikur të pëlsasi prej këtij lëngimi. Irena e pastër, natyrisht, nuk dinte gja për sa kam marrë vesh mbi at djaloshin e rrezikshëm. Prandaj ajo flitte shkoqun dhe ankohesh pse nuk kisha shkue me e pamë. Ku t’a dinte ajo se un nuk shkova nga droja se mos hasem me Shpendin ke ajo. Kam vendosë që të mos e shof ma dhe zemrës me i vu nji gur të randë.
– Ti shkove ke Daja, Dije, por Shpendi m’a lodhi kokën me pyetje të parreshtuna që më drejton për ty – tha ajo mbas pak.
– Ç’pyeste? – thashë me mëllef.
Ajo nuk i dha dum zanit t’em që duel jo nga gërmazi, por nga thellësit e zemrës së plasun.
– Gjithshka: ku asht? Ku ka shkue? Pse ka shkue? Sa do të qindrojë dhe nji varg të gjatë si këto. Ai gjithnji pyet për ty dhe tash besoj se të njef fare mirë – gjegji Irena.
– Nga më njef?
– Të njef prej meje, se un i kam thanë.
– Ti? Çudi! Përse i flet atij për mue?
– Sepse më pyet.
– Në të pyet, ti mos i u përgjiq.
– A mundem se?!
– Pse s’mundesh?
– Pse më vjen keq.
– Të vjen keq?. Pse?!…
Dojsha t’a shpraz vënerin e zemrës tue i kallzue se sa djalë i lig ishte Shpendi, por e mbajta vetëhen, se s’dojsha me e pezmatue.
– Pse at e kam si vëlla dhe ty si motër. Ndoshta ai… – tha dhe u hudh e më rroku për qafe.
Nji copë herë më shtrëngoi e më puthi me nji dashuni shum ma të madhe se atë që ushqen për mue. Mue m’ishin mbushë syt me lot, pse e ndijsha dashunin e pastër të saj dhe se pse zemra e eme, e plagosun randë nga marrdhanjet e Shpendit me Bedrijen, vëlonte prej dëshprimit. Mbas pak çastesh u zhgreha në vaj dhe qava mirë e mirë, plotsisht si ato që duen të shfrejnë e të shpaguhen në vetëvetëhe për gabimin trashanik që kanë bamë tue i dhanë llas zemrës. Irena m’argëtoi dhe u përpoq të më qetsojë. Kërkoi t’a marri vesht shkakun e këtyne lotve të derdhun me aq furri, por nuk i a thashë. Po, nuk i thashë, se due t’a ndryej mbrenda zemës atë tinëzi që deri sot për mue që ma se e shenjtë dhe mbas sodi ka me qenë si nji plagë vdeksuese e trashëngueme nga nji betejë e humbun… Eh jetë. Qofsh shue! Eh dashuni… Qofsh mallkue!

21 Korrik
Qysh atë ditë që ktheva nga Dajë Haxhiu nuk kisha shkelë në shtëpi t’Irenës, me gjith që ajo më ishte ankue dhe më kish ftue. Nuk kisha shkue, por me e thanë të drejtën ky vendim më kushtoi shum shtrehjt, pse e pagova me disa mij hofkëllime dhe me ca litre lot. Me nji anë drojsha se mos e ndeshi a t . . . – ah atë – dhe m’anë tjetër dojsha t’a shof, të paktën, për sc largu. Shpesh më kapshin rrebet dhe e dëshprueme, qajsha tue e mallkue vetëhen. Disa herë bahesha fare foshnje: Kërkojsha t’a mbys por me kusht që t’a ngjall rishtazi!…
Mamë Gjystina dhe njerka qysh dje kishin vendosë me shkue sot diku në vizitë. Njerka përpara se të nisesh më porositi t’a mbylli portën prej mbrenda. Me qenë se edhe fëmijt nuk ishin në shtëpi, sa duel ajo, e mbylla portën dhe u ula në lulishtë, kur kujtojsha se do t’i qetsoj nervat tue lexue në nji libër. Pa kalue shum kohë erdh Irena dhe më ftoi me shkue në shtëpi të sajë për me më diftue dishka interesant. Refuzova dhe nji copë herë nuk i u binda, por ma në fund u përkula nga lutjet e saja. I shkova mbrapa. Kur hymë në kthinë të saj pashë se aty, ngjat bibliotekës, qëndronte në kambë Shpendi. Sa e pashë bana të zbrapsem, por më pengoi Irena tue më kapë për dore e tue më thanë:
– Ku shkon Dije?
– Liromë, se do të shkoj në shtëpi – gjegja tue i hudhë Shpendit nji veshtrim t’egër dhe plot mëllef e duf.
– A prej meje ikni Zojushë? – pyeti ai me za, që tregonte se ishte shqetsue.
– Po prej teje – thirra me mëllef.
– Përse? – pyeti i premë.
– Sepse ti je katil…. – thirra me të tanë forcën e urrejtjes që më kishte grumbullue zilia në zemër.
– Ç’thue Dije? – m’a bani Irena tue më shkundë për krahu.
– Rri ti Irenë – i thashë asaj dhe i dola para Shpendit me nji hof të guximshëm që epte të kuptohet se dojsha të matem me të për t’u shpague. Fëtyra e tij, menjiherë, u zbe. Mbasndaj u mbulue prej nji hijes melankolike. Edhe syt e mij ishin errësue prej lakmis së shpagimit kundrejt atij që kishte qenë idoli i zemrës s’eme. Prandaj po e shifsha turbull, si t’ishte rrokulluem prej reve të zeza.
– Un qenkam katil!? Cilin vrava? – pyeti i turbulluem.
– Të tanë botën – i thashë tue u dridhë prej nervozitetit.
– Gaboheni Zojushë. Un i due njerzit – gjegji me za të këputun.
– Po. Tregohesh sikur i don që t’i mbytish mbasandaj tue i përqeshë mbas shpine – i a bana me qesëndi.
– S’asht e vërtetë. Më thoni se cilin vrava?
– Mue, mue, or i pashpirt? – brita si e tërbueme.
– Un ty të kam shpirt – thirri dhe më rroku për duersh.
– Shporru! – klitha dhe u rrëzova ndër krahët e tij.
Të gjitha femnat janë sensibël, por un jam ma fort se çdo tjetër. Menjiherë përshtypem dhe e humb fuqin e qëndresës. Edhe kësajë rradhe më dërmoi dobsia e nervave dhe u vilanisa. Kur i hapa syt pashë se Shpendi dhe Irena qajshin ke kryet t’em.
– Hej! Si je Dije? – më pyeti Irena me za të përvajshëm dhe tue m’a fërkue ballin me dashuni.
– Hof! – i a bana dhe e ktheva kryet kah muri për t’u mshefë prej Shpendit.
– Shif, Dije, se si qan Shpendi për ty – më tha Irena.
– Qan për Bedrijen i . . . poshtmi – gjegja me zemrim, por me za të këputun.
– Për cilën Bedrije? – pyeti ajo e habitun.
– Për atë që ka në shtëpi – thashë dhe bana të ngrihem për me ardhë në shtëpi.
– Për shpirt të babës e të vëllazënve nuk due tjetër veç teje o engjëll – thirri Shpendi me za të përvajshëm dhe më kapi për duersh.
– Gabohesh, Dije, se Shpendi s’don njeri tjetër veç teje. Të betohem se ai prej kohësh m’a ka hapë zemrën dhe më ka thanë se të don si i marrë – shpjegoi Irena.
– Kam me t’a provue se nuk e due Bedrijen e marrë dhe mërzitse – tha ai me dëshpërim.
Ai dridhesh si thupër dhe qante me dënes. Ai djalosh që kish luftue, me pushkë në dorë, kundër gjindarmëvet, ai që nuk ishte përkulë edhe para vdekjes, tash qante para meje dhe betohesh se nuk dashunonte njeri tjetër veç meje. Nji flad sigurije e argëtoi zemrën t’eme të përvëlueme dhe shpirti nisi me u lehtësue nga ajo peshë e madhe që randonte mbi të. E ktheva kryet dhe e pashë. Syt e tij, të mbushun me lot, shprehshin përvujtnin e atij që kërkonte mëshirë tue thanë:
– Besomë se të due o shpirt! Kij dhimë për mue, Thonë se femna pezmatohet ma shpejt e ma shum se mashkulli. Un, sikundër duket, e kam ma të zhvillueme ndiesin e dhimës se menjiherë ndrydhem para atyne që qajnë.
– Mjaft ma Dije! – më tha Irena dhe u shduk.
– Mjaft ma! – më beson? A më don? – tha Shpendi me za të përvajshëm dhe i krrusun mbi kokë t’eme. Lotët e tij pikojshin mbi mue. M’u sos durimi.
– Poh – thashë dhe i mbylla syt.
– O shpirt! – thirri ai më nji za që gjante sikur dilte nga megjet e nji zemrës së zhuritun prej flakëve shkrumnuese të dashunis. Buzët t’ona ishin bashkue dhe lotët ishin përziem me të njeni tjetrit. Gjithë dyshimet ishin avullue në ças dhe ret e zeza ishin zhdavaritë nga Qielli i mendjes s’eme. Kishte lemë Dielli i lumnis dhe buzët t’ona këndojshin kangën e dashunis për t’a përhirue ngadhnimin e zemravet t’ona. As Leka i Madh që e pushtoi botën, as Napoleoni që i mundi gjeneratat ma të mëdhej të kohës së tij, nuk ngadhnuen sa un, pse ata fituen tokë e kështjej tue derdhë gjak, kurse un tue derdhë lot, pushtova nji zemër që vlen ma shum se mbretnit e tyne.

Lexo po ashtu:  Rrjeti social Facebook në vështirësi nga bojkoti i reklamave

27 Korrik
Tash gati çdo ditë takohem me Shpendin. Ndihma e Irenës, në këtë mes, ka luejtë rolin kryesuer. Ajo, sikundër e lehtësoj afrimin dhe e përgatiti sheshin e bashkimit t’onë, nashti vazhdon të na përkrahi tue na dhanë lehtësina të ndryshme për me u takue me njeni tjetrin. Ajo asht e kënaqun pse arrini me na pamë të marrun vesh në mes t’onë dhe të dehjun nga dashunia. Na rrëfen se si e ka zbulue dashunin t’onë, si asht kujdesue që të mos hetohemi prej tjerve dhe, ma në fund, si asht përpjekë që të na bashkojë. Mbassi mbaron kallzimi, nis me na përqeshë tue i shkërbye sjelljet e gjeset t’ona. Atëhere na shpërthejmë në gaz dhe qeshim me të madhe. Ven në shpoti ma fort dobësin e nervave të mija dhe tallet me krizat që kam pasë tue u vilanisë. Oh sa cytanike asht bamë Irena nashti! Ajo tash ban njimij lodra për të na tallë, por edhe për të na afrue ma tepër. Jam e lumtun që kam nji shoqe kaq të mirë. Tash atë e due ma fort se përpara, pse asht edhe shoqja e tinëzive të mija. Të gjitha ret e dyshimit e të mosbesimeve, që rrijshin vjerrë e pezull mbi kokën t’eme, tash janë zhdavaritë. Shpendi e ndrroi shtëpin. Iku prej Bedrijes, prej asaj që me rrenat e saja që tue më ba me luejtë mendsh. Ai më dashunon me gjith shpirt dhe ndoshta ma fort se sa meritoj. Ai tash më duket ma i ambël, ma i shoqnueshëm dhe ma i afër ke zemra e eme. Disa herë orë të tana kalojmë tue u fjalosë vetëm e vetëm për t’a matë dashunin e njeni tjetrit. Tash ma jetojmë bashkë, pse edhe në gjumë andrrojmë për shoqi shoqin. Un e ndjek dhe e përcjell, me mend, në te gjitha orët e ditës. Sigurisht edhe ai si un asht. Çdo punë e çdo mendim kërkojmë t’i a përshtatim dashunis s’onë. Ajo që nuk pajtohet me natyrën e dashunis s’onë, për ne, nuk ka vlerë, nuk ka jetë. Oh se ç’qenka njeriu që dashunon. Ai qenka nji pus i pashterrun ndiesish dhe goja e tij nji kovë shprehjesh dashunije. Se ku gjinden gjitha ato fjalë! Edhe un çuditem se nga burojnë gjitha ata dëshira e lakmi që për ndokend do t’ishin foshnjarake, por për ne janë tepër të çmueshme dhe t’arta.Sa shpejt ik ora se?!. Ajo nuk ndihet fare dhe; kundër dëshirit t’onë, fluturon me krahë të lehta dhe krahas me rrezet e shpejta të Diellit.

30 Korrik
Befas u hap sot mbas dreke porta e shtëpis dhe hyni mbrenda Rizai bashkë me nji katundar që kishte sjellë nji kalë të ngarkuem me qymyr… Un, njerka dhe Hallë Hatixheja, asokohe, ndodheshim t’ulun mbi nji rrogosë në lulishte. Hallë Hatixheja, menjiherë, e mbuloi fëtyrën me dorë dhe, tue u kthye kah ne, thirri:
– Uh u shoftë! Na pa… dreqi.
Un u çova në kambë dhe mbeta e habitun, me gjith që halla më bërtite:
– Ik e mshifu moj qyqe!
Njerka vrapoi kah gjelltorja që të mshifesh, por tue ngamë u pengue dhe u rrokullis si ndonji tinar. Sa turp dhe punë e shëmtueshme asht kur rrëzohet femna me – kambë përpjetë. Këtë e provova sot me njerkën. S’munda me e mbajtë gazin dhe qesha me të madhe kur pashë se njerka u plandos dhe që tue e thye qafën. Katundari ishte nji plak nja 70 vjeç, me shtat vigani, me mustaqe të mëdha dhe pak i krrusun. Brekushet e zeza i kishte të grisuna dhe aty këtu t’arnueme. Xhoken e vjetër e kishte hudhë mbi kalë. Kësula e tij, dikur e bardhë, ish nximë prej pluhunit të qymyrit dhe ish zhulosë rreth e rrotull prej djersës. Plokët e thijun të kokës kund kund ishin nximë prej pluhunit të qymyrit. Duert dhe fëtyrën i kishte të murme e të nxime prej Diellit dhe prej qymyrit. Djersët e fëtyrës, herë mbas here, i mshinte me pëllmbën e dorës ase me kindin e mangës. E shkarkoi qymyrin dhe u largue pa verejtë n’asndonji anë si t’ishte njeri i pangacmuem prej kërshëris dhe si i mpinë prej brengjeve të jetës. Kush e din se ku e kishte mendjen i ngrati kur na shkëpurdheshim me ikë e me u mshefë prej tij. Kush e din se ç’vlonte në trut e tij të lodhun nga vuejtjet e jetës kur njerka dhe halla po shfrejshin tue truem e tue shamë. E pse e përbuzshin dhe e mallkojshin të ngratin? Sepse i kishte pamë. Çudi! Ndoshta syt e tij nuk panë kurrgja, mbassi mendja e tij, sigurisht, do të ketë qenë e grabitun prej halleve të sigurimit të jetesës së fëmijve. Ndoshta ai nuk ndigjoi gja, pse mendja e tij pa dyshim, do të ketë qenë përpjekë me e bamë llogarin e atyne sendeve që do të blente me të hollat e qymyrit për kalamajt e vet të zveshun, të zbathun dhe ndoshta edhe t’unshëm. I shkreti katundar! Njerkën zijoshe apo hallën e rregjun nga mosha do t’a shifte qyqari? Fytyrën e zezë të njerkës apo fëtyrën rumbullake të hallës që asht plot rrudha, taman si nji… sahan sutlash?… Oh sa fanatike janë këto plakat t’ona.
Kur u mbyll porta tue kërsitë me zhurmë mbas shpinës së tij, krisi poterja mbrenda shtëpis. Njerka e rroku Rizanë dhe i a zbuti shpinën, pse ai kishte hymë mbrenda me burrin e huej pa lajmue fare. Po!… Mbasandaj u kthye kah un dhe nisi me më shamë, pse nuk isha mshefë, menjiherë, prej katundarit. Edhe halla u bashkue me të. Nji copë herë më shanë dhe më paralajmuen se do të digjesha në flakët e pashueshme të Xhehenemit, mbassi më kishte pamë ai katundari. Vall ç’do të thoshte nji shoqe e qytetnueme Europjane po t’a shifte këtë sqenë dhe po t’i ndigjonte këto përbuzje e kërcnime? Kush e din. Ndoshta ajo nuk dp t’u besonte syvet e veshëvet të vet dhe do të kujtonte se ka parnë nji… andërr të keqe.

Lexo po ashtu:  Limiti i thirrjeve të WhatsApp së shpejti me 50 persona por me një kusht

2 Gusht
Dje Meti, tue u zanë me Feriden, kishte thye nji xham. Për kët shkak njerka e rrafi, ashtu si më rrifte mue dikur, tue i ramë me grushta krës dhe tue e përplasë për muri. M’u dhims djali që ulërinte. Prandaj shpejtova me e shpëtue, por ajo nuk e leshonte, se donte te shtrejë e të ngopet në të. Fjalët e lutjet e mija nuk mundën me e zbutë. Vazhdonte t’i sjelli. Ma në fund e kapi djalin për fyti, me të dyja duert, dhe nisi me e shtrëngue. Metit i u këput zani dhe i u zgurdulluen syt. Ë pashë se asht tue e mbytë fëmin e vet kjo shtrigë. Prandaj e rroka për duersh dhe, tue e tërhekë me të tanë fuqin t’eme, e shqita prej çunit.
– Hiqu! shporru! – bërtitte kjo arrushë e egër dhe vërsulesh t’a kapi djalin që u struk në nji çip të kthinës.
Foshnja dridhesh prej tmerit dhe cingëronte nga dhimbja e grushtave. Turijt i ishin përlang nga gjaku që i kishte shpërthye nga goja e hunda. Gjendja e tij ishte aq e dhimshme sa me t’a coptue zemrën, por ajo bishë, që e kishte pjellë këtë fatzi, nuk ndinte dhimë për të. Përkundrazi e urrente dhe donte me e shqye. Trupi i em delikat, natyrisht, nuk mund të kishte fuqi përballuese e penguese për nji kohë të gjatë kundrejt atij shtati prej viganesh. Prandaj i thirra djalit:
– Ik Met! Ik e shko ke tata në dyqan!
Djali i trembun, në fillim, u mat dhe nuk guxoi nga droja. Mbasandaj, mbas porosis së përsëritun, u çue dhe, tue shique trembshëm, iku e shpëtoi. Atëhere njerkën e kapën rrebet ma fort dhe nisi me m’u kërcnue.
– Pse s’më lë t’a mbytsha? Ç’ke ti? Kush je ti që më pengon? – thoshte si në të përçartë e me zemrim të madh.
Përpiqesh të më mposhti për të shfry në mue.
– Ç’ke ti? Pse m’a shpëtove? – briti përsëri si e luejtun mendsh.
– Më dhimset se e kam vëlla mori shtrigë – i thashë ma në fund me të tanë dufin e urrejtjes që m’ishte grumbullue në zemër. Mbasandaj bana të shqitem. E përmblodha krejt fuqin dhe, mbassi e shtyna me hof, u tërhoqa mbrapsht. Pa humbë kohë u vuna në të ikun, por ajo m’u turr, si nji bishë e egërsueme për së tepërmi dhe më kapi mu në prak të derës.
– Ku shkon mori dosë? – më thirri me nji za të vrazhdët tue më kapë për zverku me dorën e sajë të madhe si ndonji shputë arrushe. Më mëshoi me të tanë forcën e vet dhe më përplasi për dheu. Un klitha e lemerisun dhe mbeta si gjysmë e vdekun. Ndërkohë arrini Mamë Gjystina dhe Irena. E larguen njerkën dhe qëndruen ke kryet t’em. Të dyja më shiqojshin me dhimbje të thellë. Më ndihmuen me u çue e me e lamë fëtyrën që m’ishte ndragë, pse edhe mue më kishte shpërthye gjaku nga goja e nga hunda. M’i ndrroi robet Irena dhe, bashkë me Mamë Gjystinën, më çuen në shtëpi të tyne. Em atë as më pyeti se si ndodhi ngjarja. Më hudhi disa veshtrime t’egra dhe zu me hofkëllue në shenjë zemrimi. Me kaq muer fund ngjarja, por ua jam e dobët dhe vazhdoi të nxjerr gjak. I thashë t’im et që të më sillte nji mjek, por s’e çau kryet fare. Sonte kam ethe, dhimbje koke dhe jam e raskapitun fare. Veç kësaj kam qitë edhe mjaft gjak nga goja. Më duket sikur po me shkatrrohet krahërori. Shkaktarja e këtij lëngimi asht eme njerkë. Dhe përse? Sepse dojsha me e shpëtue të birin nga vdekja e sigurt q’ajo vetë donte me i shkaktue. Kësajë grueje, që s’ka dhimë e mëshirë për fëmin e vet,asht e dijtun se nuk i vjen keq për mue. Tue mendue se sa fort kam vuejtë prej saj, çuditem se si kam shpëtue pa vdekë ndër duert e saja.

6 Gusht
E kishte marrë vesh Shpendi ngjarjen që u zhvillue në mes t’em e të njerkës disa dltë ma parë. I a kishte thanë Irena me të tana hollësinat dhe i a kishte kujtue detyrën që të vraponte me më shpëtue sa ma parë nga thonjt e njerkës. Ai ishte pezmatue jashtë masës. Kur e pashë sot më gjajti sikur qante me syt e zemrës dhe i lëngonte shpirti. Mbas shumë mendimesh që u këmbyen, tue qenë gati edhe Irena, martesa u zgjodh si mjeti ma i mirë për shpëtimin t’em nga njerka. Për t’i a mbrrimë qellimit vendosën që ma parë të merret leja e s’ames së Shpendit me anën e Mamë Gjystinës dhe mbasandej të shkojë Xha Simoni ke im atë si mesit. U ngarkue Irena që të fjaloset me Mamë Gjystinën dhe mandej me Xha Simonin. Shpendi ka vendosë me shkue n’Itali për me i ndjekë mësimet në nji shkollë ushtarake. Prandaj asht i mendimit që martesa të bahet sa më parë dhe kur të vijë vjeti shkolluer të shpërngulemi n’Itali. Un jam turbull. Jam e shtangun nga droja se mos na dalin pengime.

7 Gusht
Mamë Gjystina ishte takue dje me t’amën e Shpendit dhe kishte folë me të rreth çashtjes së martesës s’onë. Ajo e kishte pëlqye dëshirën e Shpendit dhe ishte gëzue kur kishte marrë vesht se na e dashunojmë tjetrin. Tash Mamë Gjystina do të kuvendojë me Xha Simonin që t’a çojë ke im atë për me kërkue pëlqimin e tij për bashkimin e Shpendit me mue. Zemrën, s’dij se pse, e kam të ftofët dhe më duket sikur do të ngjasi ndonji e papritun.

9 Gusht
Kushrini i em Hamit Kërthiza asht hidhnue me t’em atë qysh asokohe që ai më hoq nga shkolla dhe më futi në çarçaf. Qysh atëhere kamba e tij nuk ka shkelë në prakë të portës s’onë. E shof vetëm kur i shkoj në shtëpi tinës t’ime ëti. Hamiti zotnon nji kulturë mjaft të gjanë, ka nji gjykim të mprefët e të kthjellët, karakter të fortë, ndërgjegje të pastër dhe asht idealist. Mbi të gjitha ka edhe nji veçanti që e ban të dallohet ndër shokët: asht njeri i sakrificit dhe e ndin detyrën kundrejt tjerve. Po të duhej me bamë nji farë krahasimi midis njerësve tue marrë sr bazë zhvillimin menduer e kultural të tyne, sigurisht em atë kishte me i përkitë shekullit 15 e Hamiti atij që vjen. Në këtë ndryshim rolin kryesuer, pa dyshim, e ka luejtë, bashkë me natyrën, edhe shkolla. Natyra kapricioze për njenin asht tregue koprace e për tjetrin bujare. Edhe shkolla njenit i a ka hapë dyert dhe tjetrit i ka mbyllë fare. E dij se Hamiti më don shum dhe se për mue arrin me bamë edhe therorina të mëdha. Prandaj shkova sot t’i lutem të pajtojë me t’em atë që mandej të përpiqet me e bindë për martesën t’eme me Shpendin. Por m’erdh turp e s’munda me i thanë gja. Ai më priti, si përherë, me buzë në gaz dhe tue më shfaqë dashuni prej vëllau. Më pyeti edhe se pse isha zbemë pak dhe si shkoj me njerkën. Nuk i thashë gja mbi sa kisha pësue prej njerkës, pse e dijsha se do të pezmatohesh shum. I thashë se kisha ardhë kot, sa me e pamë e me u shmallë. Ika pa i folë gja mbi qëllimin e vërtetë të vizitës.
Irena, së cilës i a rrëfeva çashtjen, u zotue të shkojë e të flas me Hamitin në vend t’em. M’anë tjetër vendosëm që të mos shkojë Xha Simoni ke im atë përpara se Hamiti të jetë pajtue me të. Të shofim se si do të zhvillohen ngjarjet.

Lexo po ashtu:  Gabimet që bëjnë mësuesit janë të pakorrigjueshme

11 Gusht
Razijen e kanë zanë ethet. Njerka i a lagu fëtyrën me fijnjë dhe dje mbrama e çoi dhe e la këmishën e sajë Ke vorri i Dervish Hatixhes që t’i a mveshi për t’u shërue!…. Veç kësaj sot i lidhi në dorë edhe nji pë me shumë nyje, të fryem e të bekuem prej nji plake që ka për mjeshtëri me ishtë ase me kushitë. Un e kundërshtova, por ajo s’u bind. Lufton bota e re me të vjetrën, por fiton ajo që duhet shembë nji orë e ma parë në daçim të rrojmë
si njerës.

12 Gusht
U takue Irena me Hamitin dhe ai u pajtue me t’em atë. Neser, në nji kohë të caktueme, do të shkojë Hamiti në dyqan të babës dhe mbas pak do të vejë Xha Simoni me më kërkue n’emën të s’amës së Shpendit. Përgatitjet e planet janë bamë mirë, por nuk dij se a do të kemi fat me ngadhnue. Sa e largët më duket dita e nesërme. Më gjan sikur nuk do të vijë kurrë e nesermja e kësaj dite plot shqetsime.

14 Gusht
Nuk u bind im atë që të martohem me Shpendin.
– S’mundem me i a dhanë gocën nji muhaxherit – kishte thanë.
– Ai asht prej nji familje fisnike dhe ka mjaft të holla – i ish përgjigjë Xha Simoni.
– Sikur të jetë edhe bir Pashai dhe sikur të ketë nji thes me flori, nuk i a nap t’eme bijë nji djaloshit që asht shkulë nga vendi i vet, se guri, miku i em, asht i randë në vend të vet – kishte vërejtë im atë. Në vend që ai të shfaqte nji dashuni e stimë të veçantë për ata të shkretë që i kanë lanë trojet në duert e armiqve dhe kanë ardhë këtu për t’a shpëtue nderin e jetën, në vend që të ndinte dhimë për ata të mjerë dhe t’i ngushullonte me mirpritjen Shqiptare, po i përbuz si t’ishin anmiqt t’onë. Sa keq! Sa turp! As gjykimet e Xha Simonit as arsyetimet e Hamitit nuk kishin bamë efekt. Për kët shkak jam e dëshpërueme. Edhe Shpendi nuk asht ma mirë se un. Irena sajoi me e lajkatue njerkën dhe me e krye punën me anën e saj, por un nuk e lashë, pse e dij se ajo nuk e dëshiron lumnin t’eme. Jemi turbullue fare. S’jemi në gjendje me marrë nji vendim për me mundë me i a mbrrimë qellimit. Hof moj nanë! Jam tue plasë. Do të më lehtësohesh shpirti ndopak po të mundesha me shfry tue qamë. Por, sikundër duket, edhe burimet e syvet janë shterrë. Oh sikur t’a kisha gjallë nanën dhe, tue e mbështetë kryet në krahnorin e saj, të qajsha derisa të qetsohesha. Oh fatkeqsi!

16 Gusht
Hamiti ende përpiqet për me i a mbushë mendjen t’im ët që t’a pëlqejë martesën t’eme me Shpendin. Ai shpreson t’a bindi. Sot më kishte çue f jalë me anë të Irenës që të mos e humbi shpresën dhe të kem besim se, ma në fund, do të shduken gjithë pengimet. M’anë tjetër Shpendi mendon t’i dërgojë t’ime ët nji shkesë tjetër, ndonji njeri që i peshon e i shkon fjala ma fort. Un jam e ngrime dhe e shtangun. Më duket sikur qëndrojnë mbi kokë t’eme turma resh, gati me u përplasë për me më gjuejtë me ndonji rrëfe vdeksuese.

19 Gusht
Edhe plani i dytë dështoi e ra nd’ujë. Njeriu që zgjodh e dërgoi Shpendi, tue shpresue se do të mundesh me e bindë t’em atë për martesën t’onë, nuk pat sukses. Ai nuk ndigjon kurrsesi. Tash e humbëm fare. Im atë as që e shef me udhë të më pyesi a dishiroj të martohem me Shpendin. Asht zot absolut mbi mue, si të kisha qenë dhi, por nji dhi që nuk vlen fare. E simbas Sherijatit, që ai pretendon se i beson, asht i detyruem të më pyesi. Hamiti, si masë të fundme, mendon e propozon që ta njoftojë t’em atë mbi dashunin që kemi për njeni tjetrin. Me këtë mënyrë ai pandeh se do të bindet im atë. Un jam tutë fortë. Prandaj s’mund të them as po as edhe jo. Shpendi e pëlqen mendimin e tij dhe kujton se em atë ka me e vu gishtin në tamth dhe dorën
në zemër po t’a marri vesht dashunin t’onë.
– Në rasë të kundërt – thotë ai – nuk kemi se ç’humbim, mbassi ai ka vendosë me, e kundërshtue martesen t’onë. Kam frigë se zemra e eme e trishtueme nuk do të mundet me i durue këta mundime dhe do të pëlsasi para se t’arrijë me u gëzue. Eh fat’i lig!

21 Gusht
Krisi poterja. Edhe plani i Hamitit dështoi. Ai i a kishte zbulue babës dashunin t’onë dhe i a kish kujtue detyrën që i takon, si atë, për me e pëlqye dhe bekue bashkimin t’onë. Por ai, në vend që të mendohesh ndopak mbas këtij zbulimi, ishte zemërue dhe egërsue keq. Ishte zanë me Hamitin dhe s’kishte lanë fjalë pa i thanë. Hamiti i shkretë, për hatër t’em, e kishte durue dhe nuk e kish prishë me të. Ai ende shpreson se do t’a ndreqi punën me të mirë. Kur erdhi im atë në mbramje ishte krejt duf e mëllef. Më shiqoi me nji farë egërsije që kujtova se më
përpiu.
– Rri urtë, se eshëhedubil-lah t’a marr shpirtin moj murtajë! – m’a bani dhe u turr të më sjelli.
Un ika dhe u mbylla në kthinën t’eme. Ai vazhdoi të flasi me zemërim e me za të naltë.
Sot në rnëngjes, tue i theksue fjalët dhe tue u mshue rrokeve me za të fortë, i tha njerkës që të më porosisi për me mos shkelë ma në shtëpi të Xha Simonit. Un, e shtangun dhe e trishtueme, e ndigjojsha nga kthina e eme. Ky ndalim më pezmatoi shumë, pse nuk do të mundem me u pamë e me kuvendue ma me ata që më duen e sidomos me Shpendin. Tash u burgosa dhe u robnova plotsisht. Për kët shkak nji kohë të gjatë derdha lot deshpërimi dhe e shpraza krejt vënerin e zemrës. Edhe tash, që dukem si e qetsueme, syt e mij janë plot dhe pikat e lotvet bijen mbi këto fletë që po shkruej. Oh sa fatzezë paskam qenë. Sigurisht i vjen keq t’im ët për vorfënin e vobsin e nji njeriut, por nuk i vjen keq për mjerimin shpirtnuer që don me i shkaktue së bijës; m’a merr mendja se i dhimset i sëmuni, por nuk i dhimset e bija që lëndon nga zemra; besoj se i vjen keq për të trenuemin, por nuk don me kuptue se po e shkallit të bijën me kryeneçin e vet të paarësyeshme; pa dyshim e urren vrasësin, por nuk e merr vesh se vetë po e vret të bijën me pengimet që po i nxjerr për me mos u martue me dashnorin e saj. Përse ai për mue tregohet kaq i keq, kaq i egër, kaq i padhimshëm? Përse nuk pajtohet shpirti i em me t’atij? S’dij.

23 Gusht
Ishte vrahthtue Irena tue kujtue se jam sëmunë. Prandaj erdh sot e më pyeti se pse nuk kisha shkue ndër to. I a spjegova shkakun me pikëllim të madh dhe u zhgreha në vaj. Edhe ajo s’u mbajt. Qau për mue e për fatkeqsin t’eme. Lotët e saj, për mue të ngratën qenë si pika shiu mbi nji lule që krruset e nis me u vyshkë. Ndiva nji farë ngushullimi kur pashë se ajo ndinte dhimë dhe qante për mue. Ata lot, për mue, vlejnë ma shum se nji varg margaritarë të kushtueshëm. Kur u ndamë e porosita, me zemër të coptueme, që t’a përshëndette Shpendin nga ana e eme. U puthëm me dashuni dhe u ndamë me sy të mbushun plot me lot.

PJESA E PARË

PJESA E DYTË

PJESA E TRETË

PJESA E KATËRT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *