Deputetë të partive opozitare në një seancë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar qeverinë për menaxhimin e situatës në veri të vendit. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka kritikuar qeverinë për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Çuni tha se situata në katër komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe, është jashtë kontrollit “për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”.

“Sot veç një detyrë e ka kjo qeveri, të mos vazhdojë të bjerë më në kurthet e kundërshtarit [Serbisë]”, tha Çuni.

Ai tha se veprimet e qeverisë kanë rrezikuar edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, para vendosjes së barrikadave në veri ishte plagosur një zyrtar i policisë së Kosovës. Duke iu referuar situatës në veri, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se veprimet e qytetareve serbë në veri, të sponsorizuara nga Serbia “nuk e trembin dhe nuk kanë kurrfarë efekti për Kosovën”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të dalë nga “kurthi” që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka përgatitur. Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dekada më parë”. Aliu tha se situata e tanishme nuk do të tolerohet pafundësisht.

Lexo po ashtu:  10 fakte rreth Europës që do t’ju befasojnë

Më 10 dhjetor, grupe të serbëve në veri ngritën barrikada. Ato u vendosën në rrugët kryesore që qojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Qeveria i ka kërkuar KFOR-it që të largojë barrikadat. Më 22 dhjetor, mijëra qytetarë serbë morën pjesë në një protestë në fshatin Rudarë të Zveçanit. Ata i vendosen disa kushte për largimin e barrikadave përfshirë lirimin e ish-policit, Dejan Pantiq. Ai u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *