Sokrati: E si qëndrojnë gjërat në arritjen e njohjes? A pengon trupi gjatë kësaj apo nuk pengon nëse dikush e merr si bashkëpunëtor gjatë studimit? Mendoj, për shembull, kështu: A i ofrojnë sytë dhe veshët njeriu ndonjë të vërtetë, apo është ashtu siç na rrëfejnë poetët gjithmonë, asgjë të sigurtë as nuk shohim e as nuk dëgjojmë? Nëse këto shqisa nuk janë të mira e as të besueshme, tjerat mezi rrojnë. Se të gjitha të tjerat ngecin prapa tyre. Apo ti për to mendon ndryshe?

Simia: Kurrsesi.

Sokrati: Po atëherë kur shpirti e zbulon të vërtetën? Kur shpirti provon që diçka të hulumtojë së bashku me trupin, është e qartë se trupi atë e mashtron.

Simia: Të vërtetën po e thua.

Sokrati: Pra, a nuk i zbulohet shpirtit e vërteta përmes meditimit, më shumë se në çdo gjë tjetër, ajo që me të vërtetë ekziston?

Simia: Padyshim.

Sokrati: E ai mendon më së miri atëherë kur asgjë nuk e habitë, as dëgjimi, as shikimi, as dhimbja, as kurrfarë kënaqësie, por kur në masën më të madhe kufizohet në veten e vetë, pavarsisht nga trupi, dhe kur, sa ka mundësi, duke mos u bashkuar dhe duke mos u prekur me të anon kah ajo që me të vërtetë ekziston.

Simia: Ashtu është.

Sokrati: A nuk e hedhë me krejt forcën trupin shpirti i filozofit dhe a nuk ikë prej tij, dhe kërkohet që të ndahet nga trupi për të qenë plotësisht vetvetja?

Simia: Ashtu duket.

Sokrati: E si qëndrojnë gjërat, Simia, me këtë: A e konsiderojmë se ka diçka të vërtetë* vet prej vetes apo jo? (*Vetvetiu e vërtetë: Sokrati nuk mendon për të vërtetën sesi ajo shprehet në jetën e njerëzve por në ide, në nocionin e së vërtetës, të sinqertë, të përherëshme, të pandryshueshme dhe qenie mendore, për këtë arsye, nuk kapet me shqisa, por njihet me mendje.)

Lexo po ashtu:  Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Simia: Plotësisht, për hir të Divit, kështu e konsiderojmë.

Sokrati: Edhe të bukurën vetvetiu dhe të mirën vetvetiu?

Simia: Po si jo?

Sokrati: A ke parë diçka të tillë ndonjëherë me sy?

Kurrë, përgjigjet Simia.

Sokrati: Por përmes ndonjë shqise tjetër trupore ke ardhur deri tek kjo? E po flas në përgjithësi, për shembull, për madhështinë, për shëndetin, dhe fuqinë, me një fjalë për esencën e vërtetë të të gjitha gjërave. A vështrohet me trup e vërteta më thelbësore e krejt kësaj? Apo gjërat qëndrojnë kështu: kush prej neve më së mirë dhe më përpikshëm përpiqet që mbi atë që vështron të mendoj për secilën veç e veç, ai më së afërmi do t’i afrohet njohjes për secilën gjë.

Simia: Gjithsesi.

Sokrati: a nuk do ta kishte bërë këtë, pra, më së miri ai i cili në masë më të madhe me vet mendjen iu kishte afruar çdo gjëje, e për të menduar nuk do të ishte mbështetur në vrojtim, nuk do ta kishte livizuar asnjë shqisë tjetër gjatë përcaktimit, por sipas mendjes së pastër, vetë prej vetes, ishte përpjekur të kuptoj çdo qenie veç e veç, duke u çliruar sa ma shumë që është e mundur nga sytë, veshtë, dhe krejt, thuajse, trupit, se kjo e mashtron shpirtin, dhe nuk e lejon, kur janë së bashku, ta arrijë të vërtetën dhe njohjen? Simia, a nuk është pikërisht ai, e kush tjetër, i cili do ta njoh qenien?

Simia: Për këtë s’ka dyshim, Sokrat, të vërtetën po e flet!

Lexo po ashtu:  Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi

Sokrati: Pra, nga e gjithë kjo është e detyrueshme që filozofëve të njemendtë t’i parashtohet një mendim i tillë, ashtu siç ata njëri-tjetrit në biseda ja komunikojnë: “Ka, siç po na duket, një shteg, i cili në shqyrtim me ndihmën e persiatjes së pastër, na çon nga errësira në dritën e njohurisë; sepse derisa na është trupi i lidhur me mendjen, dhe derisa shpirti ynë është i përzier me fatkeqësi të tillë, ne kurrë nuk do ta arrimë në plotëni atë për të cilën lakmojmë; e ajo është, themi, e vërteta.

Sepse vështërsitë e panumërta na i sjellë trupi, sepse duhet të kujdesemi për ushqimin e tij; e nëse e godasin sëmundjet e ndryshme, ato na pengojnë në nxënjën e asaj që me të vërtetë ekziston. Përveç kësaj, trupi na plotëson me lakmi dashurie, epshe, frika, dhe lloj-lloj imazhesh mashtruese, dhe me aq dokrra e kotësi, sa që me të vërtetë, siç thonë, kur prej tij nuk mund të përmirësohemi dhe të vijmë në vete.

Sepse edhe luftat, edhe kryengritjet, edhe betejat nuk i nxitë asgjë tjetër përveç trupit dhe lakmitë e tij. Për të grumbulluar para bëhen të gjitha luftat, e parat jemi të detyruar t’i grumbullojmë për shkak të trupit, sepse jemi robër të kujdesit të tij.

Dhe për shkak të gjithë kësaj nuk kemi kohë për filozofi.

E çka është më së keqi prej krejt kësaj, është ajo që trupi, nëse i largohemi për një qast dhe fillojmë diçka të hulumtojmë, në ato hulumtime ç’dokund imponohet, bie në çrregullim dhe huti dhe na shqetëson, kështu që prej tij është e pamundur të vërehet e vërteta; pra, me të vërtetë kjo na është e qartë: nëse ndonjëherë dëshirojmë diçka të mësojmë për pastërtinë e tij, atëherë duhet të dalim nga trupi dhe me vet shpirtin t’i shikojmë gjërat vetvetiu ashtu siç janë.

Lexo po ashtu:  Atdheu

Dhe, siç po duket, ajo për të cilën lakmojmë dhe për të cilën dëshmojmë se jemi dashnorë të tij – e kjo është njohja – do ta fitojmë kur të vdesim, siç po tregonë shqyrtimi ynë, e jo derisa jemi gjallë.

Sepse, nëse në bashkësi me trupin asgjë nuk mund plotësisht të njihet, atëherë është e mundur vetëm njëra nga këto dyja: ja njohja askund nuk mund të mësohet apo ja pas vdekjes sonë.

Sepse atëherë shpirti do të jetë vetë për vete, i ndarë nga trupi, e më heret jo. Dhe derisa jemi gjallë, do të jemi, siç po duket, dijenisë më së afërmi, atëherë kur t’i shmangemi komunikimit me trupin, sa është e mundur më shumë, dhe të vijmë në kontakt me të vetëm atëherë kur është e domosdoshme, dhe nëse nuk plotësohemi me natyrën e tij, por nëse pastrohemi prej tij, derisa vetë Zoti nuk na çliron. Dhe kështu, i pastruar dhe i çliruar nga e gjithë marrëzia trupore, do të jemi, siç është rasti, së bashku me pastërtitë e tjera dhe do ta njohim vetvetiu çka është vetvetiu e pastër dhe e qartë; e kjo është plotësisht e vërtetë. Sepse, të pistit plotësisht nuk i lejohet t’i afrohet të pastërtës.

Biseda të këtilla, mendoj, Simia, duhet në mes vete të çojnë të gjithë ata që janë miqë të urtisë. A nuk po të duket kjo kështu?

Simia: me të vërtetë ashtu është, Sokrat.

Dialog i shkëputur nga libri “Ditët e fundit të Sokratit”, Platoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *