Sot është 56 vjetori i vdekjes së Fazli Greiçevcit:

Të njëjtën ditë kur u arrestua Adem Demaçi, UDB-ja arrestoi edhe mbi 300 anëtarë të tjerë të LRBSh-së. Pasuan hetimet, të shoqëruara me tortura të llahtarshme.
U torturua meqë refuzoi të fliste, bashkëpunëtori i Demaçit, mësuesi e poeti Fazli Greiçevci, i cili u dorëzua vetë në polici në fillim të gushtit të vitit 1964. Fazliu vdiq nga torturat e pandërprera më 17 gusht 1964, vetëm dy javë pas arrestimit. Ai, edhe para se të arrestohej, ishte i vetëdijshëm se po ndiqej nga UDB-ja, meqë dashamirës të shumtë e kishin lutur dhe këshilluar që të fshihej e të mos dilte. Fazliu jo vetëm që kishte dalë, por madje edhe ishte dorëzuar vetë në polici.
Vendosmërinë e tij e gjejmë në këto vargje të tij:

Kam dalë dhe prore kam me dalë
Bregoret me sy çiltërie me i soditë
Kurrë kangën time s’kam m’e ndalë
Rrugët e mbara tue i shndritë!

Shuarja e Fazli Greiçevcit 29-vjeçar ishte e para dhe e vetmja humbje njerëzore e LRBSh-së.
Organet e UDB-së ishin përpjekur ta maskonin atë si vdekje të shkaktuar nga një sëmundje e rrezikshme infektive, prandaj edhe kishin bërë trysni mbi mjekun shqiptar, dr. Ali Sokolin, që ta nënshkruante aktanalizën mbështetëse, por dr. Sokoli kishte refuzuar të nënshkruante çfarëdo dokumenti të rremë.
Sidoqoftë, kufomën e Fazliut UDB-ja e kishte mbyllë hermetikisht në arkivol të metaltë, në mënyrë që familja të mos e shihte trupin e gjymtuar prej torturave.

Lexo po ashtu:  Pesë vjet pa feniksin Adem Demaçi

Sh.Gashi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *