Pjesa e katërt e librit “Të vërtetat e vonuara”, nga Rexhep Qosja, këtu, në MekuliPress:

Sovjetizimi dhe evropianizimi

6. Disa prej reaguesve – ithtarë të Ismail Kadaresë, – nuk ngurrojnë që në reagimet e tyre të më mbajnë ligjërata për evropianizimin e letërsisë shqipe, duke i treguar me gishtin tregues evropianizuesit dhe kundërevropianizuesit e saj, duke e bërë Ismail Kadarenë evropianizues e mua kundërshtar të këtij evropianizmi. Janë turrur të marrin një flamur që s’iu takon, ndërsa Ismail Kadarenë si shumë herë dhe për shumëçka e vënë përpara! E ai, për t’u treguar çka s’ishte e pështyn edhe njërin nga mësuesit e tij të dikurshëm: Çernishevskin.

Ç’mund të thuhet për këto pohime dhe për këto krahasime?

Mund të thuhet: mbi tridhjetë e pesë vjet i ka kaluar Ismail Kadare duke e sovjetizuar jo vetëm me poezi e me prozë, po edhe me shkrime kritike dhe “teorike” letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Përmasat e vërteta të kësaj dukurie në krijimtarinë e tij mund të shihen në gjithë shtrirjen e saj vetëm kur të studiohet ajo.

E sovjetizimi dhe evropianizimi janë koncepte të papërputhshme, madje, të papajtueshme. E sovjetizimi dhe evropianizmi janë praktika letrare, artistike dhe kulturore në përgjithësi, të ndryshme, të papërputhshme dhe të papajtueshme.       Shkrimin e fundit apo, ndoshta, të fundit teorik dhe historiko-letrar, me të cilin i kontribuohej sovjetizimit të letërsisë shqipe, të shkencës letrare dhe të kulturës shqiptare, Ismail Kadare do ta shkruajë në çastet kur po dëgjoheshin grahmat e fundit politike, ideologjike dhe sistemore të komunizmit në Evropë dhe po fillonte çsovjetizimi i letërsisë dhe i kulturës shqiptare: në vitin kur po shënohej dyzetepesëvjetori i Çlirimit. Ishte kjo fjala teorike dhe historiko-letrare e Ismail Kadaresë mbi amshimin e realizmit socialist, e paraqitur në Konferencën Shkencore Koha jonë, letërsia, shkenca letrare në njërën nga sallat e Pallatit të Kongreseve më 13 nëntor 1989, që do të botohet mandej në numrin e janarit 1990 të revistës Nëntori. Ishte kjo fjala teorike dhe historiko-letrare e Ismail Kadaresë me të cilën ai zhvlerësonte të ashtuquajturën letërsi dekadente, mikroborgjeze, domethënë evropiane, me të cilën e shpallte të përjetshme letërsinë e realizmit socialist dhe me të cilën e madhëronte edhe njëherë rëndësinë e vijës së Partisë për letërsinë dhe artet. Në Evropë nuk kishte krijues, nuk kishte intelektual, që nuk shihte se në arkivolin e komunizmit po nguleshin gozhdët e fundit kurse Ismail Kadare i shkruante himn për pavdekësinë! Në letërsinë shqipe kurrë një poet s’ishte treguar më kundërprofet. Fatmirësisht një numër i prozave dhe i poezive të Ismail Kadaresë nuk e dëshmojnë teorinë e tij me të cilën propagandohej sovjetizimi i mëtejshëm i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Dhe, fatmirësisht, krijimtaria e tij letrare dhe publicistike pas rënies së komunizmit është krijuar në kundërshtim me atë teori. Por, pesëmbëdhjetë vjet vetëdije për nevojën e evropianizimit nuk janë shpagim i mjaftueshëm për mbi tridhjetë e pesë vjet teori dhe propagandë për sovjetizimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Lexo po ashtu:  Tetë gjëra të cilat (ndoshta) nuk i dini për Van Gogh-un

Në vitet kur Ismail Kadare bënte sovjetizimin teorik dhe, në një pjesë të madhe, praktik të letërsisë shqipe, unë bëja shumë përpjekje për evropianizimin e saj: evropianizimin e gjithanshëm të saj. Dhe, kjo dëshmohet jo vetëm në referencat e përdorura në veprat e mia për letërsinë shqipe. Dhe, kjo dëshmohet në indekset e emrave në veprat e mia për letërsinë shqipe dhe për kulturën shqiptare. Mbi 95 për qind e emrave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve të tjera, të filozofëve, të shkencëtarëve në veprat e mia janë emra shkrimtarësh, krijuesish të arteve të tjera, filozofësh dhe shkencëtarësh evropianë – francezë, gjermanë, anglezë, italianë, spanjollë, holandezë dhe amerikanë. Dhe, kjo dëshmohet edhe me pikëpamjet teorike në sprovën time Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve, të botuar në vitin 1972. Dhe, kjo dëshmohet edhe me koncepte teorike në veprën Tri mënyra të shkrimit shqip, të shkruar në fund të viteve shtatëdhjetë, në të cilën politizimi dhe ideologjizimi, domethënë sovjetizimi, që predikonte e zbatonte Ismail Kadare në njërën anë, kurse folklorizmi, në anën tjetër, trajtohen si pengesa për evropianizimin e letërsisë, të arteve, të dijeve, të kulturës sonë në përgjithësi e kjo domethënë si pengesë e evropianizimit të identitetit tonë. Të thuash, prandaj, ç’thotë Ismail Kadare për veten dhe ç’thonë magnetofonat e tij për rolin tim dhe rolin e tij në evropianizimin a çevropianizimin e letërsisë dhe të kulturës sonë do të thotë të mos e shohësh të vërtetën, të mos e pranosh të vërtetën dhe të mos barazosh të pabarazueshmit siç do të thotë njëri prej magnetofonave të tij.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Si po zgjidhet çështja kombëtare

7. Një numër i reaguesve, megjithëse i vogël, i quajnë të jashtëkohshme e kjo domethënë anakronike diskutimet për çështje që po diskutohen në këtë polemikë e në reagimet ndaj saj dhe i quajnë kështu të jashtëkohshme, domethënë anakronike, sepse u tingëllojnë shumë kombëtare. Në kohën e globalizmit, që, mendojnë, u sjell vetëm të mira kombeve, preokupimet kombëtare, thonë, të largojnë prej qëllimit kryesor, që është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve. Nuk janë këto, natyrisht, deklarimet e para, as të vetmet në disa nga mediat tona në Prishtinë dhe në Tiranë, në të cilat ideja kombëtare quhet tashmë ide e tejkaluar. Harrohet se, siç po shihet në të gjitha anët e planetit, kombi është edhe më tej ajo forca, e cila, si e thoshte De Goli, e lëviz historinë. Popuj të mëdhenj nuk janë më pak nacionalistë se popuj të vegjël, që ende s’kanë zgjidhur as çështjen kombëtare, as çështjen demokratike. Dhe, harrohet se autorë perëndimorë, evropianë dhe amerikanë, në vendet e të cilëve globalizmi predikohet më së shumti, thonë se: 1. kapitalizmi me tregun e lirë, 2. të drejtat e njeriut me demokracinë liberale sekulare, dhe 3. shteti kombëtar përfaqësojnë tri parimet mbi të cilat qëndrojnë e sotmja dhe e ardhmja e Perëndimit dhe e njerëzimit. Dhe, harrohet se ne, si komb, ende nuk e kemi zgjidhur çështjen kombëtare dhe, si duken punët, nuk do ta zgjidhim përfundimisht as në këtë cikël historik. Është e vërtetë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në Serbinë Jugore dhe në Mal të Zi sadopak po përmirësohet dhe është e vërtetë se Kosovës do t’i njihet pavarësia me ose pa farë kufizimesh, por është e vërtetë se shqiptarët mbesin të ndarë, siç ishin, në pesë shtete! E ashtu i copëtuar si shqiptarët nuk është asnjë popull evropian. Bashkësia ndërkombëtare nuk ua ka paracaktuar disa kufizime bisedimeve mbi statusin e Kosovës për hir të shqiptarëve, po, në radhë të parë, për hir të serbëve. Vullneti i, të themi, 10 për qind të serbëve të Kosovës vihet kështu mbi vullnetin e 90 për qind të shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Sikur të mos favorizohej vullneti i serbëve, shqiptarëve të Kosovës do t’u njihej e drejta e popullit të ndarë dhunshëm prej shumicës së tij: e drejta e bashkimit me Shqipërinë.

Lexo po ashtu:  Dy rivalët gjejnë gjuhën e përbashkët për të mirën e përdoruesve

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

E, sa rëndësi të madhe do të kishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, ndoshta, vetëm tani po shihet plotësisht. Përpara mendoja se duke u bashkuar me Shqipërinë do të shpëtonim njëherë e përgjithmonë prej Serbisë. Tani mendoj, ndërkaq, se duke u bashkuar me Shqipërinë, njëkohësisht, do të shpëtohej Kosova prej Kosovës dhe Shqipëria prej Shqipërisë. Domethënë: bashkimi do të kishte rëndësi jo vetëm ekzistenciale, ekonomike e politike, po edhe shoqërore, intelektuale dhe morale. Vetëm të bashkuar shqiptarët do të bëheshin çka mund të jenë, çka s’do të duhej të jenë dhe çka do të duhej të jenë edhe në pikëpamje shoqërore, edhe në pikëpamje të shëndetit moral.

Për këtë arsye jo diskutimet intelektuale për çështje kombëtare, pra edhe për identitetin, po mohimet e nevojës për diskutime të tilla mbi çështje kombëtare mund të quhen të jashtëkohshme dhe të jashtëvendshme.

Kategori e ndryshueshme

8. Disa nga reaguesit, madje edhe nga reaguesit që nuk mbajnë anën e asnjërit polemist, thonë se që të dy polemistët e trajtojnë identitetin si diçka të ngurtë, të ndërtuar njëherë e përgjithmonë, domethënë të pandryshuar. Në shkrimet e mia Ideologjia e shpërbërjes dhe Realiteti i shpërfillur nuk shikohet ashtu identiteti i asnjë populli. Siç shihet prej sprovës Identiteti evropian i shqiptarëve dhe siç thuhet për të edhe në përgjigjen time Realiteti i shpërfillur, ashtu e shikon identitetin Ismail Kadare. Unë, përkundrazi, e trajtoj si kategori historike, dinamike, domethënë të ndryshueshme. Në përgjigjen Realiteti i shpërfillur nuk e kam quajtur të arsyeshme, prandaj as të nevojshme, të përsëris disa pohime themelore për çështje të identitetit. Kam supozuar se lexuesi që e përcjell këtë polemikë e aq më parë lexuesi, që reagon ndaj saj, do të ketë lexuar jo vetëm sprovën e Ismail Kadaresë, Identiteti evropian i shqiptarëve, me të cilën e fillon këtë polemikë, por edhe trajtesën time Ideologjia e shpërbërjes, kreut të së cilës mbi identitetin kombëtar dhe vetëdijen fetare ai i është kundërvënë me atë sprovë. E në atë trajtesë, përpos të tjerash, unë them: “Identiteti i një populli është kategori historike: në procesin historik ai vjen duke u pasuruar apo, madje, duke u varfëruar dhe, rrjedhimisht, më pak a më shumë duke ndryshuar. Në procesin historik identitetet e kombeve marrin dhe japin, sepse fatmirësisht marrin dhe japin kulturat e tyre, qytetërimet e tyre në takim e dialog me kultura e qytetërime të kombeve të tjera”. Populli shqiptar, them, është popull i kontinentit evropian, por popull i kontinentit evropian që ka bërë shtëpinë në atë pjesë të kontinentit, ku janë takuar pushtues të nisur nga Perëndimi në Lindje dhe pushtues të nisur nga Lindja në Perëndim, ku janë takuar e gërshetuar kultura dhe qytetërimi antik grek dhe romak, bizantin dhe latin, feja e krishterë dhe feja myslimane, kultura dhe qytetërimi evropian dhe kultura dhe qytetërimi islamik. Meqenëse populli shqiptar për rreth 500 vjet ishte i sunduar prej Perandorisë Otomane është e kuptueshme të thuhet se historia e tij për 500 vjet ishte histori e lidhur, para së gjithash, me historinë e kësaj Perandorie. Gjatë kësaj historie një përqindje shumë e madhe e popullit shqiptar kishte pranuar fenë e sunduesit dhe, duke përvetësuar fenë, kishte pranuar shumë, shumë përbërës shpirtërorë dhe materialë të kulturës dhe të qytetërimit të tij: kultura dhe qytetërimi janë përcaktues tepër të rëndësishëm të identitetit të popujve. Të mohosh këto të vërteta do të thotë të mos shohësh dhe të mos pranosh të vërtetën, po të bësh propagandë politike kush e di përse dhe kushedi për kënd. Krahasimi i shqiptarëve me spanjollët prandaj, siç bën Ismail Kadare, është plotësisht i paqëlluar pikërisht për arsye se spanjollët nuk janë islamizuar dhe, për arsye se nuk janë islamizuar, lidhjet e kulturës dhe të qytetërimit të tyre me kulturën dhe me qytetërimin arab janë fare të pakta dhe fare sipërfaqësore. VAZHDON NESËR…

Lexo po ashtu:  Nintendo zbulon hakimin e një numri të konsiderueshëm llogarish

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *