Çfarë është një Spin Doctor?

Në letërsi dhe kinema, spin doctor-ët janë dinakë, manipulues, të pandershëm e dhelparakë. E vërteta, siç ndodh gjithmonë, është disi më e zakontë. Spin doctor është thjesht shprehja e një praktike shumë më të lashtë. Njerëzit që kanë një histori për të rrëfyer, gjithmonë janë përpjekur që të gjejnë mënyrën më të mirë për ta treguar atë.

Fetë e botës varen nga spin doctor-ët – priftërinjtë, imamët, rabinët dhe të tjerët që e paraqesin fenë e tyre në dritën më të mirë të mundshme. Cilido që përpiqet të na shesë diçka, që nga makinat, tek pushimet e deri tek supa, ka nevojë të reklamojë cilësitë më të mira të produktit. Grekët dhe romakët e lashtë e kuptonin se e vërteta nuk mjaftonte – kish nevojë për ambalazhim. Kështu u zhvillua arti i retorikës.

Politikanë, vizionarë, revolucionarë, reformatorë – të gjithë kanë përdorur atë që sot e karikaturojmë si Spin Doctor. Lenini nuk rrinte duarkryq në tryezën e tij në Zyrih, duke ëndërruar që të ndodhte revolucioni – ai krijoi një gazetë me një ushtri spin doctor-ësh, dhe i dërgoi mes masave të rusëve, me copëzën e famshme të ushqimit retorik: “bukë, paqe dhe tokë”.

Lexo po ashtu:  Mbyllet gazeta më e madhe pro demokracisë në Hong-Kong

Florence Nightingale e përdori median që të fitonte mbështetje për furnizime shtesë nga Zyra e Luftës. Edhe Jezusi i dinte nja dy gjëra mbi komunikimin – nevoja për marifete që rroknin vëmendjen, prezantime efikase, copëza të thjeshta fjalësh dhe histori të paharrueshme. Ai i quante parabola.

Të gjithë e bëjmë, gjatë gjithë kohës. Që nga kohët prehistorike, që nga gjahtarët të cilët rrëfenin historinë e bëmave të tyre heroike të ditës të ulur përreth zjarrit, deri tek njerëzit në Fejsbuk që përpiqen të na tregojnë përmes fotografive dhe përditësimeve, jetën e tyre pothuaj të përsosur, ne përpiqemi të vëmë theksin tek pozitivja, dhe lëmë mënjanë pjesët e këqia.

E bëjmë kur aplikojmë për një vend pune dhe përballemi me panelin që na merr në intervistë, kur dalim me një vajzë a djalë, kur përpiqemi të shesim shtëpinë apo makinën, apo kur takojmë dikë për herë të parë. Ashtu si tregtarja në treg që nxjerr përpara mollët më të mira, ne nxjerrim në pah pozitiven, atë që bën përshtypje, gjërat më interesante për veten tonë, dhe e injorojmë negativen. Ky është spin-i – përpjekja për të ndikuar mbi opinionin e të tjerëve, duke përzgjedhur informacionin që do të krijonte përshtypjen e duhur.

Lexo po ashtu:  Idiotët dhe shtypi i përgjegjshëm

Spin-i nuk përfshin thënien e gënjeshtrave. Nëse gënjen në takimin e parë, në intervistën e punës, apo kur shet shtëpinë a makinën, shanset janë që do të zbulohesh. Nëse gënjen në aplikimin për punë dhe e fitonin vendin e punës, punëdhënësi jo vetëm të shkarkon kur zbulohesh, por edhe mund të të padisë për dëme. Nëse gënjen në takimin e parë, e sigurt është që marrëdhënia nuk zgjat. Nëse gënjen gazetarët, cilido qoftë avantazhi kohëshkurtër, je i marrë fund si spin doctor.

Cilido që e ka seriozisht shitjen e mesazhit të vet, nuk mund të mbështetet tek dreka rastësore me një redaktor gazete. Ndërtimi, ruajtja dhe mbrojtja e reputacionit të një njeriu të famshëm a një politikani është punë me kohë të plotë, e cila reflekton kërkesën e panginjshme për lajm dhe koment, nga një media gjithnjë e më e shumëllojshme.

Rritja shpërthyese e medias nënkupton se ka edhe më shumë shanse për profesionin e spin-it: më shumë organe lajmesh që kanë nevojë për më shumë lajme, më shumë hapësira për intervista që duhet të mbushen, më shumë ekspertë që duhet të ndajnë mendimet e tyre, dhe më shumë hapësirë për mesazhin tënd. Spin doctor-ët e partive politike duhet që të nxjerrin dy apo tre lajme në ditë, thjesht për të qetësuar bishën. Ashtu si bima tek “Dyqani i vogël i tmerreve”, refreni gjtihmonë është: “më ushqe!”

Lexo po ashtu:  Nuk pranoi pyetje nga gazetarët e Kosovës, reagon Federata Evropiane e Gazetarëve: Turp për Edi Ramën!

Të gjithë mund të jemi spin doctor-ë, nëse kemi një kauzë që duam ta promovojmë, një problem që duam ta ngrejmë, apo një fushatë që duam ta nisim. Teknikat e spin doctor-ëve të Shtëpisë së Bardhë, Downing Street, St James Palace dhe Square Mile mund të përdoren në fushatën për mbrojtjen e spitalit lokal, shitur biletat për një dramë, mbledhur fonde për mbjellje pemësh, apo krijuar një bamirësi të re.

Arsyeja është e thjeshtë: mënyra si e perceptojmë botën përtej eksperiencës tonë personale është e formësuar prej medias, media vetë është e formësuar prej spin-it, dhe spin-in mund ta bëni ju.

Nuk ka të bëjë fare me artin e errët të manipulimit dhe gënjeshtrës. Ka të bëjë me influencimin e medias, në forma që përçojnë mesazhin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *