Abdulla Mehmeti

Kur secili llum në skenën politike e ndjen veten për mbret, sepse të tillë i paraqesin shërbimet sekrete të pushtetit sundues përmes medieve, nëse shumica e qytetarëve për gjatë kohë u beson këtyre mashtruesve, hajdutëve e kriminelëve të kamufluar me aureolë të atdhetarizmit, një popull i tërë rrezikon ta harrojnë lirinë, nderin dhe emrin e vet!
Ka një periudhë të gjatë prej disa vitesh, që lexojmë e dëgjojmë teza të ndryshme nga shqiptarët mbi Maqedoninë, ndër të tjera, se “ky është shtet artificial”, se është “shtet i paqëndrueshëm dhe pa perspektivë”, se “Maqedonia duhet të federalizohet, kanonizohet, apo edhe “të ndahet mes Bullgarisë dhe Shqipërisë”, se “një pjesë e Maqedonisë e banuar kryesisht me shumicë të popullsisë shqiptare duhet të shkëputet nga ky shtet dhe t’i bashkohet Shqipërisë”, se “shqiptarët duhet ta krijojnë shtetin e tyre të Iliridës”, brenda ose të ndarë nga ky shtet, si dhe teza të tjera, të cilat dalin nga mendjet e njerëzve që dy faqe libri nuk i kanë lexuar nga historia e vërtetë e popujve dhe shteteve të rajonit, nga e kaluara e shqiptarëve dhe paraardhësve tanë ilirë, dardanë, epirotë, pajon, makedhonë dhe fise të tjera të një prejardhje; as dy faqe libri nga diplomacia ndërkombëtare nuk i kanë lexuar, dhe aq më pak i kanë kuptuar; dy dokumente të rëndësishme nga arkivat e shteteve të huaja nuk u kanë rënë në dorë, as kanë njohuri për planet dhe strategjitë e përgatitura nga armiqtë historikë të popullit shqiptar, se nga kanë filluar, çfarë kanë arritur të realizojnë deri më sot, çfarë planifikojnë kundër shqiptarëve sot dhe çka në të ardhmen; çfarë u ka shkuar për dore, çfarë u ka dështuar dhe pse; cili është roli i kolonës së pestë shqiptare në shërbim të këtyre armiqve dhe sa janë aktivë në ditët e sotme, me klane politike dhe rrjete agjenturash ndër shqiptarët në shërbim të interesave të huaja, etj.

Lexo po ashtu:  Serbia, kjo pandemia e përhershme!

A ju ka shkuar ndërmend se këto teza mund të mos janë pjesë të aspiratave historike të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të shqiptarëve në Maqedoni në veçanti?
A keni menduar ndonjëherë se këto teza, me të cilat bombardohet gati çdo ditë lexuesi dhe dëgjuesi, opinioni shqiptar, mund të bien ndesh edhe me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të aleatëve të mëdhenj të kombit dhe të shteteve shqiptare, të cilët nuk lënë rast, mundësi dhe shans historik pa i lëvizur në interes të realizimit të aspiratave historike të shqiptarëve në rajon dhe jo vetëm?

A jenë të vetëdijshëm autorët, përhapësit dhe mbështetësit e këtyre tezave se, në rrathanat që e kanë sjellë armiqtë popullin shqiptar në Maqedoni, të pakësuar numerikisht, të dobësuar ekonomikisht, kulturalisht dhe politikisht, të tkurrur territorialisht në një skaj të trojeve të veta etnike, të degraduar me një status të mjerushëm juridik-kushtetues (pakicë, përqindje), të udhëhequr nga një klasë politike e korruptuar, me të kaluar kriminale, e dyshur për tradhti të rënda ndaj kombit shqiptar, këto teza sot paraqesin vazhdimësi dhe kurorë të stategjisë së huaj, të strategjisë së pushtimeve të huaja mbi hapësirën etnike shqiptare dhe mbajtjen nën kontroll të shqiptarëve nga të huajit, armiqtë tanë historikë?

Me leximin e shkrimeve me përmbajtje të këtilla, nëpër gazetat ditore ose në rrjetet sociale nuk zgjidhet çështja kombëtare, siç është çështja e shqiptarëve në Maqedoni; nuk bëhet shteti dhe as nuk shkruhet historia, sidomos nuk mund të vendoset për fatin e një populli të tërë, me koncepte të këtilla, pa strategji dhe pa vizion për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar.
Kuptimet, vlerat dhe sakrificat për kombin, shtetin, demokracinë dhe lirinë janë të shenjta, nuk janë të dobishme nëse përmes tezave të këtilla me përmbajtje politike propaganduese dhe naive, të cilat veç mund të krijojnë huti ndër shqiptarët, të përhapin mjegullnajë dhe asgjë të mos realizohet në pafundësi, duke bërë eksperimente të pafundme dhe duke pritur në mos po lind ndonjë mbinjeri, i cili me shpatë në dorë si në mitologjitë e lashta mund të ngrihet dhe ta shpëtojë këtë popull nga fatkeqësia, nga sundimi i keq dhe robëria, pa lëvizur askush as gishtin e vogël të dorës për ndryshimin e kësaj gjendje të rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë sot.

Lexo po ashtu:  Ka kaluar 6 muaj në frontin e luftës. Eksperti: Pushtimi rus do të sillte në Evropë 5-10 milionë refugjatë ukrainas

Ndërkohë, faktori politik shqiptar në Maqedoni (i përkrahur pa rezervë edhe nga Tirana e Prishtina zyrtare), për tri dekada me radhë është vënë në shërbim të interesave të huaja në këtë shtet. Mjafton të analizojmë më hollësisht se cilat janë të arriturat e derisotme të shqiptarëve në këtë shtet dhe rezultati na del për tepër se dëshpërues, ndërsa faktori politik joshqiptar në këtë vend ka shënuar përparim të dukshëm, jo për shkak të aftësisë së tij, të përkrahjes nga fuqitë e jashtme në anën e tyre, të drejtës në anën e tyre (që nuk e kanë pasur kurrë dhe nuk e kanë as sot), por për shkak të dobësisë së faktorit politik shqiptar. Dhe, kjo është e qartë si drita e diellit.

Nëse dikush mendon se janë arritur rezultate nga faktori politik në interes të popullit shqiptar në këtë shtet, gabohet rëndë, pa bërë këtu dallime mes partive politike të derisotme (mbi 27 parti të shqiptarëve të formuara, shumica e tyre të shuara, ndërsa vetëm pesë-gjashtë prej tyre janë aktive në skenën e sotme politike).
Që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin e 1991 e deri më sot, me rënie e ngritje, statusi juridik-kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni ka mbetur i pandryshuar, i pakicë kombëtare në këtë shtet, si pakica rome, turke, serbe, vllahe, boshnjake etj.
Nëse ky mund të quhet sukses i lëvizjes politike të shqiptarëve, madje edhe i përpjekjes me luftë të armatosur e sakrifica në njerëz në vitin 2001, atëherë si mund të vlerësohet lëvizja politike e pakicave të tjera në këtë shtet, si romët, turqit, vllahët, serbët, (bullgarët), boshnjakët dhe të tjerët, të cilët pa asnjë sakrificë kanë arritur të përfitojnë më tepër se shqiptarët në Maqedoninë Veriore?

Lexo po ashtu:  Qeveria e Rilindjes çertifikoi gënjeshtrat e antropologut serb, Vuk Karaxhiç, të shek. 18-të, për Eposin e Kreshnikëve!

Sidoqoftë, populli shqiptar në Maqedoni ka edhe shumë rrugë për të bërë deri te barazia e plotë në këtë shtet, kthimi i dinjitetit të nëpërkëmbur dhe marrja e pozitës që i takon. Megjithatë, vetëm të marrët mund të besojnë se me këtë klasë politike mund të bëhet diçka më tepër, ajo që nuk e kanë bërë këta politikanë me format xhepi për dekada me radhë. As me këtë qasje dhe mentalitet tonin të trashëguar nga e kaluara, kur secili flet në vetën e parë për ndonjë sukses të vogël të arritur deri më sot, ndërsa për dështimet, humbjet dhe përgjegjësitë që duhet të mbajnë, të gjithë flasin në shumës, duke e përjashtuar vetveten si individ.

Është koha të reflektojmë, edhe nëse kemi arritur diçka deri më sot, asgjë nuk e kemi bërë të saktë e të plotë, të mjaftueshme për rikthimin e nderit dhe dinjitetit të popullit shqiptar, siç i takon ta ketë në shtetit tonë të Maqedonisë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *