Një analizë gjenomike e kancerit të mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë ndonjëherë duhan, ka zbuluar se shumica e këtyre tumoreve lindin nga akumulimi i mutacioneve të shkaktuara nga proceset natyrore në trup.
Studimi në fjalë, u krye nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga studiuesit në Institutin Kombëtar të Kancerit (NCI), pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH) në SHBA, dhe përshkruan për herë të parë 3 nëntipe molekulare të kancerit të mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë duhan.
Këto njohuri,do të ndihmojnë në zbulimin e misterit se pse shfaqet kanceri i mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë ndonjëherë duhan, dhe mund të nxisin zhvillimin e trajtimeve më të sakta klinike. Të dhënat u botuan në “Nature Genetics”.
“Ne zbuluam se tek duhanpirësit ekzistojnë nënlloje të ndryshme të kancerit të mushkërive, të cilët kanë karakteristika molekulare dhe procese evolucionare të dallueshme”- thotë epidemiologia Maria Tereza Landi, profesoreshë e Degës Integrative të Epidemiologjisë së Tumorit në Divizionin e Epidemiologjisë dhe Gjenetikës së Kancerit, që drejtoi studimin. “Ne mund të jemi gjendje të zhvillojmë në të ardhmen trajtime të ndryshme bazuar tek këto nëntipe”-theksoi ajo.
Kanceri i mushkërive, është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me kancerin në të gjithë botën. Çdo vit, në gjithë botën me këtë sëmundje diagnostikohen më shumë se 2 milion njerëz. Shumica e njerëzve që zhvillojnë kancer të mushkërive, kanë një histori të pirjes së duhanit.
Por 10 deri 20 për qind e të prekurve nga kjo sëmundje,nuk kanë pirë kurrë duhan në jetën e tyre. Kanceri i mushkërive tek jo duhanpirësit,shfaqet më shpesh gratë dhe në një moshë më të hershme, sesa kanceri i mushkërive tek duhanpirësit.
Faktorët e rrezikut mjedisor, si ekspozimi ndaj tymit të duhanit, radonit, ndotjes së ajrit dhe asbestit, apo pasja e sëmundjeve të mëparshme të mushkërive, mund të shpjegojnë disa kancere të mushkërive në mesin e atyre që nuk kane qenë ndonjëherë duhanpirës.
Por shkencëtarët nuk e dinë ende se çfarë shkakton shumicën e këtyre kancereve. Në këtë studim të madh epidemiologjik, studiuesit përdorën sekuencimin e një gjenomi të tërë për të identifikuar ndryshimet gjenomike në indet e tumorit, dhe i krahasuan ato me indet normale nga 232 persona jo duhanpirës, kryesisht me prejardhje evropiane, të cilët ishin diagnostikuar me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla.
Tumoret përfshinin 189 adenokarcinoma (lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive), 36 karcinoidë dhe 7 tumorë të tjerë të llojeve të ndryshme. Pacientët nuk i ishin nënshtruar ende trajtimit për kancerin e tyre. Studiuesit shqyrtuan gjenomet e tumorit për shenjat mutacionale, të cilat janë modele të mutacioneve të lidhura me procese specifike mutacionale, si dëmtimi nga aktivitetet natyrore në trup (për shembull, riparimi i gabuar i ADN-së apo stresi oksidativ) apo nga ekspozimi ndaj lëndëve kancerogjene.
Sinjalet mutacionale veprojnë si një “arkiv” i aktiviteteve të një tumori, që çojnë në akumulimin e mutacioneve, duke siguruar të dhëna për atë që e ka shkaktuar zhvillimin e kancerit. Tanimë ekziston një katalog i sinjaleve mutacionale të njohura, edhe pse disa prej tyre nuk kanë ndonjë shkak të njohur.
Në këtë studim, studiuesit zbuluan se shumica e gjenomeve të tumorit tek duhanpirësit,nuk përmbanin sinjale mutacionale të lidhura me dëmtimin nga proceset endogjene, pra me domethënë proceset natyrore që ndodhin brenda trupit të njeriut. / medicalxpress