Publicisti Veton Surroi ka njoftuar se do të jetë këshilltar i jashtëm i ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar një grup njerëzish për këtë funksion dhe se dakordimi është arritur duke u krijuar një ekip këshillëdhënës.

“Angazhimi im është në cilësinë e këshilltarit të jashtëm për nevojat e procesit negociator. Jemi në dispozicion të Qeverisë për nevojat e procesit negociator, në këtë rast zëvendëskryeministrit Besnik Bilimi, i cili është i angazhuar, si dhe nevojave të kryeministrit, pra kurdo që ai të ketë nevojë. Është proces interaktiv që si çdo proces këshillëdhënie ekziston një këmbim mendimesh. Kjo ka të bëjë vetëm me procesin negociator. Qeverisë i është ofruar një numër njerëzish, Qeveria ka kërkuar një numër njerëzish, është arritur dakordanca dhe është krijuar ky ekip”.

Surroi në Rubikon ka thënë se nuk është pjesë e ndonjë koalicioni, por vetëm se do të japë mendimin e tij. Po ashtu, ai tregoi se këshilltarët kanë folur veç e veç me zëvendëskryeministrin Bislimi.

Lexo po ashtu:  Rusia sanksionoi deputetët britanikë, Johnson: “Janë simbole nderi”

Gjithashtu, ai ka thënë se autorësinë e përfundimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi meqë kanë marrë votën e popullit.

“Ekipi i këshilltarëve s’ka pjesëmarrje ekzekutive, por këshillojnë sipas kërkesës së kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, temës dhe sfidave”.

Si duhet mbyllur marrëveshja me Serbinë, sipas Surroit?

“Marrëveshja duhet të përfundojë me sukses. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, një Kosovë e barabartë që jeton në fqinjësi dhe paqe me fqinjët e vet, një Kosove që i hapet dera për integrim në NATO dhe në BE”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *