Shkruan: Veton Zogaj

Republika jonë është e kërcënuar nga zhbërja, kurse populli ynë është i kërcënuar nga tentativa e ish regjimit për tu rikthyer në risundim e tij. Ndaj si kurrë më parë ne kemi nevojë për të qenë një popull i zgjuar, i revoltuar dhe rezistues kundër këtyre përpjekjeve të ish regjimit që me çdo kusht është duke synuar rikthimin e tij në pushtet. Vullneti ynë për ndryshim dhe ndjeshmëria e popullit për Republikën që kulmoi me 6 tetorin e 2019-ës nuk duhet lejuar të flakët përdhe nga kasta e ish regjimit që në vazhdimësi është duke tentuar dhe duke e sulmuar rendin juridik e kushtetues në vend, dhe nëpërmjet agresivitetit, arrogancës dhe papërgjegjësisë totale po tenton ta rikthej sundimin dhe ta mbajë të kapur shtetin e Republikën që tashmë u ka rrëshqitur nga duart e tyre të ndyra.

Prandaj, që të mos ndodh kjo na duhet mobilizim, rezistencë dhe protestë, kundër kësaj kaste për t’ua dhënë edhe njëherë goditjen e fundit dhe për ti detyruar këta despot dhe arrogant për tu larguar nga ambiciet e tyre të sëmura për pushtet.

Të rezistojmë, sepse jemi përballur për 20 vite rresht me rrethana të padurueshme, me krizë sociale, ekonomike dhe politike, të shkaktuar nga po ajo kast e ish regjimit, dhe tashmë populli ynë e ka kuptuar, se të jesh i revoltuar sot ndaj asaj kaste sunduese e të kriminalizuar, antikushtetuese dhe antishtetërore, është jo vetëm rruga e vetme, por rruga e duhur. Ashtu siç thoshte shkrimtari Albert Kamy (Camus) “Se në kohën e pabarazisë dhe mjerimit social, në kohën e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përhershme mund ta shpëtoj njerëzimin, mund ta shpëtoj një shoqëri nga shkatërrimi dhe në vend të saj të sjell ndryshimin dhe progresin shoqëror”. Prandaj, është koha dhe momenti i duhur që populli të ringritët edhe njëherë për të protestuar, për t’u çliruar nga çdo përpjekje e ish regjim autoritar, që për interesa individuale e klanore të tyre, dy dekada rresht me veprimet e tyre kriminale e kanë cenuar ekzistencën e shtetit e të sovranitetit, dhe të tashmen e të ardhmen e qytetarëve tanë.

Lexo po ashtu:  Po vjen fryma e ç’ kapjes së shtetit nga krimi, bashkimi i LVV-së dhe Listës qytetare e Vjosa Osmanit ngjall elektoratin e fjetur

 

Zgjimi qytetarë që ka filluar prej kohësh, por që kulmoi me 6 tetor, ishte jetike për shpëtimin e  Republikës dhe për fillimin e një fundi të atij pushtetit kriminal. Ndaj të rezistojmë kundër këtij plani ogurzi dhe kundër këtij puqi që po i bëhet Republikës dhe rendit kushtetues nga po ajo kastë kriminale. Pra të gjendur përballë kësaj të keqe edhe njëherë është e nevojshme dhe e domosdoshme të përgjigjet populli.

Të rezistojmë, sepse katandisjen e shtetit, mungesën e perspektivës dhe humbjen e shpresës në këtë vend e kemi peshqesh nga kasta e ish regjimit. Prandaj kjo duhet të marr fund, siç duhet të marr fund çdo përpjekje e këtyre fosileve kriminale që po përpiqen me çdo kusht të rikthehen përsëri.

 

Na duhet rezistencë e popullit edhe për të mos harruar se ish regjimi që ishte instaluar në Kosovën e pasluftës dhe që kishte sunduar për kohë të gjatë ka bërë që vendi ynë të dështoj totalisht, duke dështuar qëllimshëm që të ndërtojnë një rend të mirëfilltë ligjor dhe institucional, duke mos qenë të interesuar për të përmbushë vullnetin e qytetarëve për një Republikë që mbështetet në vullnetin e qytetarëve të sotëm dhe që reflekton sakrificën e djeshme të dëshmorëve të kombit.

Lexo po ashtu:  Si i mbajti Tito jugosllavët së bashku në një shtet federativ?

 

Na duhet rezistencë e popullit kundër ish regjimit që vazhdon të udhëhiqet nga logjika e shantazhit dhe e krimit të organizuar, dhe që tash së fundi i ka rivënë në veprim të gjithë mekanizmat e tij antiligjorë dhe kriminal, duke tentuar kështu që të gjitha institucionet, të gjitha organet dhe mekanizmat e shtetit të kthehen nën urdhrat e pushtetit të tyre dhe në shërbim të regjimit të tij.

Na duhet rezistencë e popullit kundër kësaj logjike të krimit e cila mbretëronte kaq gjatë në Kosovë, e që kishte bërë që vullneti personal dhe politik i pushtetarëve dhe i grupeve të tyre të interesit, të ketë përpjekje të vazhdueshme të na paraqitet si vullnet i përgjithshëm i popullit.

Na duhet rezistencë kundër këtij model të shantazhit dhe të krimit të zyrtarëve të ish regjimit që gjatë kohë ishin të paprekshëm, silleshin arbitrarisht mbi institucionet e vendit, kënaqnin ambiciet e tyre dhe përmbushnin interesat e tyre personale, duke e dërguar kështu popullin drejtë një mjerimi ekonomik dhe social, e Republikën drejtë zhbërjes së saj.

Lexo po ashtu:  Vizita e Escobar/ Pse Bashës nuk i mjaftojnë përkëdheljet e amerikanëve në prag të 11 Dhjetorit

Përfundimisht të rezistojmë për Republikën, sepse tanimë është në dorën e popullit, çrrënjosja e çdo përpjekje të ish regjimit. Të rezistojmë për t’i hapur rrugë dhe për t’i dhënë mundësi shtetit me sovranitet, e jetës së qytetarëve me dinjitet. Të rezistojmë sepse populli me 6 tetor 2019 e ka ndarë mendjen dhe e kanë marr vendimin. Kjo rrugë, domosdoshmërisht kapërcen nëpërmjet ç’kapjes së shtetit nga ish pushtetarët. Të rezistojmë në mbështetje të qeverisë aktuale, sepse Kosova tanimë ka vënë themelet e një sistem qeveritar i cili po angazhohet në ç’kapjen e shtetit dhe po manifeston vullnetin e popullit, duke nxitur e lejuar që lirshëm të dalin në dritë çështjet dhe nevojat publike. Të rezistojmë, sepse këtë projekt e mundëson Republika e cila është streha dhe sistemi i vetëm që e garanton një qeverisje si kjo “nga çështja publike për çështjen publike”, e ky sistem që ka lindur tashmë për tu jetësuar akoma më shumë kërkon rezistencë, mbrojtje dhe angazhim të vazhdueshëm nga populli.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *