Rilindë për ty, Ferizaj

Ferizaj, qyteti im,
degëzim fatesh në cikle historie,
si Bifurkacioni fati yt i ndarë,
në epope lufte e në betejë pandemie.

Asnjëherë nuk ta deshta këtë fat,
se zgjimet tek Ti i gjeta,
dhimbjet, qëndresën, lotët, gëzimet
me Ty m’i lidhi jeta.

Nuhas erën e bjeshkëve të Jezercit
dhe ujin e Pleshinës e shijoj,
rrotullimin e gurit në Mullirin e Nikës,
si artisti në teatrin “Adriana” imagjinoj.

Në brendësinë e shpirtit
zërat e “zogjëve në kopshte” dëgjoj,
tabelën e shkollës të varur në klasë,
sot në televizor e shikoj.

Kopshtet e fëmijëve pa “zukama bletësh”,
e bankat e shkollave pa nxënës të mbetën,
bibliotekës së qytetit, qendrës së kulturës
armata e të rinjëve iu tretën.

Lagjja ime dikur
i ngjante korzos së Ulqinit,
tani struket brenda në karantinë
si maçoku nga acari i dimrit.

Një armatë mantelbardhësh
me zemërbardhësi e mbajnë betimin,
si “pulëbardha” në fluturim,
në duart e tyre gjejmë shpëtimin.

Në gjithë këtë “luftë” me virusin
t’i dua lindjet e tua të bardha,
një engjëll i ri në lagjen time
dje u pagëzua Amla.

Lexo po ashtu:  Kujtoj me mall një çast gëzimi

Me mikpritje e bujari,
me atributet e tua,
Ferizaj, qytet i artit,
krenare më bën Ti mua.

Ferizaj, qytet i zemrës,
me metropole nuk të ndërroj,
edhe në qofsha larg ndonjëherë,
me aromën tënde do të frymoj.

Vjollca Aliu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *