Zyrtarët amerikanë dhe analistë të pavarur reaguan në mënyrë skeptike të premten ndaj një pretendimi të talebanëve se Kina është gati të investojë miliarda dollarë në Afganistan.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara shqetësohen më shumë të sigurojnë ndihmë për popullin afgan që po përballet me rënie ekonomike sesa ndaj sfidës që paraqet përhapja në të ardhmen e ndikimit kinez në atë vend.

“Ne po përqëndrohemi të punojmë me shumicën dërrmuese të bashkësisë ndërkombëtare në dhënien e ndihmës humanitare nga njerëzit e duhur në Afganistan për t’u siguruar atyre atë çfarë u nevojitet”, tha zonja Psaki si përgjigje ndaj një pyetjeje të Zërit të Amerikës.

Në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha gjatë një interviste se grupimi që qeveris tashmë vendin është i angazhuar të garantojë sigurinë e punëtorëve kineze në këmbim të miliarda dollarëve investimesh kineze.

“Ata janë të interesuar për investime në disa sektorë në Afganistan dhe duan të negociojnë detaje”, i tha zotit Mujahid “Zërit të Amerikës”.

Lexo po ashtu:  Vuçiç thellon persionin/ ‘S’ka zgjedhje pa asocacion”

Një nga projektet sipas zotit Mujahid është ai që lidhet me Mes Aynak, ku ndodhet një prej minierave më të mëdha të bakrit në Afganistan dhe rrënojat e lashta budiste.

“Kjo është një nga zonat e rëndësishme ku ata (kinezët) duan të investojnë miliarda dollarë dhe Afganistanit i nevojitet një gjë e tillë”, shtoi ai.

Kina ka investuar në vendet fqinje, sikurse në Pakistan dhe Iran dhe ka ftuar Kabulin të bëhet pjesë e korridorit ekonomik Kinë-Pakistan, një nga projektet e rëndësishme të nismës kineze në sektorin e ifrastrukturës, të ashtuquajturin “Një brez, një rrugë”.

Por ideja se Kina është gati të investojë në Afganistan aktualisht është thjesht “një dëshirë”, thotë Husain Haqqani, drejtor për Azinë Jugore dhe Qendrore në Institutin Hudson, një qendër studimi me qendër në Uashington. Një investim prej miliarda dollarësh nënkupton që pritshmëritë janë që të sigurohen prej tij qindra miliona dollarë fitime në vit, dhe tani për tani ekonomia afgane thjesht nuk e paraqet atë mundësi.

Lexo po ashtu:  Fshati plastik, aty ku shtëpitë janë të ndërtuara vetëm nga shishe plastike

Zoti Haqqani vëren se kinezët deri më tani u kanë dhënë talebanëve vetëm 31 milionë dollarë ndihmë humanitare.

“Ky sigurisht nuk është një tregues i dikujt që është gati të investojë miliarda”, tha ai.

Investimet në shkallë të gjerë në Afganistan i bën të pandur edhe fakti që talebanët nuk njihen ndërkombëtarisht. Asnjë vend nuk e ka njohur Emiratin Islamik, emri i shpallur nga grupi, si qeveria zyrtare e Afganistanit, mes tyre Kina dhe Rusia, një tjetër kundërshtarë të SHBA-së.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ata kanë nevojë për bashkëpunim, por nuk ka vend për nxitim”, u tha Presidenti rus Vladimir Putin në një Samit të premten ku merrnin pjesë udhëheqësit e ish-republikave sovjetike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *