Ai përmend intervistën e tij të 15 prillit të vitit 2008, vetëm gjashtë ditë përpara ndryshimit dramatik të Kushtetutës, një muaj pas shpërthimit të Gërdecit, “i cili përveçse mori jetë njerëzish, ‘shpërtheu’ edhe themelet e ndërtesës së shtetit, ditën tragjike në të cilën kryeopozitari Rama do të fërkonte shpatullat e kryeministrit Berisha për gjëmën që e kish gjetur”.

Nga Bamir Topi

Në vigjilje të Vitit të Ri 2008, presidenti i Austrisë, Heinz Fisher, më ftoi të vizitoja vendin e tij. Së bashku do të ndiqnim koncertin e famshëm të Vjenës, i cili mbahet tradicionalisht paraditen e 1 sanarit dhe më pas do të kishim një drekë familjare, të parën e vitit 2008, vit që do të kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi ngjarje të mëdha, shkruan Bamir Topi.

Mikpritja e familjes presidenciale austriake ishte e ngrohtë. Biseda ishte e hapur dhe tepër miqësore, sikur të njiheshim prej kohësh. Me emocionet e forta që përjetuam gjatë koncertit, po i drejtoheshim në këmbë një restoranti me emër pranë sallës së koncerteve, në një ditë dimri, por mbuluar me diell, gjë kjo e pazakontë për klimën e Vjenës.

Gjatë drekës folëm për Shqipërinë dhe sfidat integruese, ku më e afërta që pritej do të ishte marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, në takimin e Bukureshtit, që do të zhvillohej fiks pas tre muajsh.

Gjithashtu folëm për investimet në ekonomi, për gjeopolitikën ballkanike dhe në mënyrë të veçantë për Kosovën dhe pavarësinë e pritshme të saj. Austria po mbështeste në mënyrë të qartë Shqipërinë dhe Kosovën, ndaj i shpreha mirënjohje të thellë presidentit Fisher.

Pas gjashtë muajsh në krye të shtetit gjërat po ecnin si mos më mirë. Klima politike kish gjetur qetësi dhe stabilitet, takimet ndërkombëtare ishin shtuar ndjeshëm. Vështirë se gjendej ndonjë ditë që të mos takoje delegacione, të cilat në fokus të bisedimeve kishin çështjen e hyrjes së vendit në NATO dhe Kosovën.

Në të gjitha anketimet në Shqipëri, emri im ishte më i kuotuari dhe kanali televiziv “Top Channel” në shpalljen e anketës së njeriut të vitit më nxori fitues.

Krahas gëzimit që gjërat po shkonin mirë, fillova të parandiej që kjo do të zgjonte edhe xhelozinë njerëzore, e pashmangshme për mjediset e politikës dhe medias në Shqipëri.

Gjatë javës së tretë të janarit, do të bëja një vizitë tepër të rëndësishme në Kosovë, me ftesë të presidentit Sejdiu, në një moment kyç kur debati për Kosovën ishte ndërkombëtarizuar dhe ishte vendosur në axhendën e politikës botërore. Pas asaj vizite të paharruar dhe të suksesshme në Kosovë, shumë shpejt do të vinin ngjarje tepër të forta për jetën politike. Më 17 shkurt, në më pak se tri javë nga vizita ime, Kosova shpalli pavarësinë, të cilës do t’i kushtoj vëmendje të veçantë në një kapitull tjetër të librit.

Ndërkohë që ende nuk ishte shuar ky gëzim për të gjithë shqiptarët, Tirana do të tronditej nga një shpërthim i tmerrshëm që vinte nga një fshat i Vorës, ngjarje për shkak të së cilës do të fitonte “famë” botërore.

Lexo po ashtu:  Të gjitha copëzat e botës sonë moderne, që Nikola Tesla i parashikoi

Më 15 mars 2008, rreth orës 11:00 të paradites, kishte shpërthyer municioni brenda fabrikës së demontimit të armëve, duke shkaktuar një tragjedi të përmasave të mëdha me 26 të vrarë, burra, gra e fëmijë, të plagosur të shumtë dhe dëme të mëdha në bizneset e zonës.

Përveçse solli humbje jetësh, kjo ngjarje kishte ndodhur dy javë para Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia prisnin të merrnin ftesën për anëtarësim.

Dukej që pas kësaj ngjarjeje, për më tepër që kishte ndodhur në një poligon ushtarak, ëndrra për marrjen e ftesës mund të ndërlikohej, por falë presidentit Bush dhe miqve të tjerë perëndimorë, Shqipëria arriti të marrë ftesën.

Pas kthimit nga Bukureshti, ndonëse opozita e Edi Ramës kishte bërë disa protesta të panevojshme për atë moment historik, pa kaluar një javë, politika në Tiranë jep shenjat e një rrotullimi të papritur e të pazakontë, që mund të përkufizohet si një “Deus ex machine”, ku pas një klime të ashpër politike, midis krahëve të saj vjen një paqe, që do të kuptohej shumë shpejt se çfarë fshihte.

Njerëzit e Berishës dhe Ramës kishin filluar të takoheshin në fshehtësi dhe po përgatitnin nën rrogoz dhe pa asnjë konsultë paraprake me të tjerë, disa ndryshime të rëndësishme të Kushtetutës së Shqipërisë, jo për të forcuar themelet e shtetit, por për “t’i hedhur në erë” ato për interesa meskine të pushtetit të tyre personal.

Sinjalin e parë publik e jep një deputete demokrate e Qarkut të Shkodrës, Arenca Trashani, anëtare e Komisionit të Ligjeve, shumë afër Jozefina Topallit dhe e shquar për besnikëri të verbër ndaj Sali Berishës.

Gjatë një mbledhjeje të komisionit, pa pritur nxjerr nga çanta një propozim aventuresk, ndoshta për gjënë më të rëndësishme që bën ndarjen dhe kontrollin e pushteteve në demokraci.

Propozimi natyrisht doli nga çanta e saj, por ideatori dhe formuluesi ishte shefi i vet. Sipas këtij propozimi, të gjitha dekretet presidenciale duhet të kundërfirmoseshin nga kryeministri, veprime këto nga të cilat nënkuptohej se i gjithë shteti do të ishte nën komandën e qeverisë dhe kryeministrit. Natyrisht e quajta shashkë për të krijuar një debat publik të rremë, me qëllim që ndryshimet e tjera të kalonin pa u marrë kush me to.

Çudia më e madhe që po shoqëronte këtë proces ishte tek opozita. Ata nuk kundërshtonin si më parë. Ishin të përgjumur, madje të relaksuar deri në atë pikë sa PD-ja dhe PS-ja “gjuanin” nga e njëjta llogore. Të vetmit që kundërshtonin ishin disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët Berisha i quante mbështetësit e mi, ndonëse vërejtjet e tyre ishin parimore. Po ashtu vinin kundërshtime nga deputetë të LSI-së dhe PDK-së, të cilët shikonin një prapavijë të qartë për eliminimin e partive të vogla dhe kthimin e jetës politike në bipolarizim, ku nuk ka zgjidhje tjetër, ose komandon njëri ose tjetri.

Lexo po ashtu:  “Shtrembërimet e historianëve ndër vite”/ Profesori i Universitetit të Sorbonës: Zeusi nuk ishte grek, por “pellazg”

Bipolarizimin e kanë vetëm shtetet demokratike të konsoliduara me kulturë dhe formim tradicional, ndërkohë që politika në Shqipëri kishte shembuj të gjallë që krijonte pa shumë barriera liderë politikë, të cilët nisen nga premisa demokratike dhe përfundojnë të larguar si diktatorë.

E gjithë tërheqja e Berishës në këto momente ishte taktike, për të futur në kurth Edi Ramën që të mos merrej politikisht me tragjedinë e Gërdecit, duke e joshur me idenë se do të vinte në pushtet nga zgjedhjet e një viti më pas, pikërisht ato të verës të vitit 2009.

Në fakt po gjente terren e po triumfonte eksperienca dhe djallëzia e Berishës ndaj Ramës, i cili ende nuk ndihej lider politik, por reflektonte me mënyrën e tij të sjelljes tiparet e një lideri lokal pa vizion afatgjatë. Përveç të tjerave, Edi Rama po rreshtohej në frontin kundër presidentit, të cilit jo vetëm i rrudheshin kompetencat, por e vendoste kreun e shtetit në “betejë” me gjithë politikën, në Parlament e qeveri.

Koha tregoi se Edi Rama pabesisht po shfrytëzonte përplasjen e presidentit me kryeministrin, ku të dy kishin qenë pjesë e së djathtës politike në Shqipërinë e tranzicionit. Në këtë mënyrë vendi po kthehej në domen të kryeministrave, ëndërr të cilën Edi Rama do ta realizonte vetëm në zgjedhjet politike të vitit 2013.

Debati rreth Kushtetutës kishte marrë përmasa politike, mediatike dhe kishte futur në diskutime jo vetëm politikanë, por edhe ekspertë kushtetues, shoqata dhe analistë, të cilët shikonin me shqetësim dhe takoheshin në një pikë, që kjo do të shtonte arrogancën e pushtetit të kryeministrit.

Tashmë ishte krijuar fronti i bashkuar kundër presidentit dhe institucioneve të pavarura, ku dëmin më të madh do ta pësonte institucioni i zgjedhjeve, që do të binte nën kontrollin e partive politike, që shpesh janë përfaqësuar nga njerëz të dhunshëm me precedentë penalë, që në fund kanë rezultuar si hajdutë votash dhe shkaktarë të ngjarjeve tragjike pranë qendrave të votimit.

Tashmë kishte ardhur çasti i duhur i një pozicionimi të qartë dhe publik, ku më shumë se cilido tjetër, roli garantues i Kushtetutës i njihej presidentit.

Ndërsa po bëhesha gati të nisesha për një vizitë pune në Korçë, i telefonova me urgjencë gazetarit Sokol Balla me idenë e një interviste në lajmet e “Top Channel”, një televizion kombëtar, i cili nuk ishte futur në asnjë rast nën kthetrat e interesave të Sali Berishës.

— Sokol, merr grupin e xhirimit dhe hajde në Presidencë, pasi do të bëj një prononcim të rëndësishëm publik!

Pa pyetur për temën, Sokoli u tregua i gatshëm.

  • Po vij menjëherë!

Rruga nga studio e televizionit te Piramida deri në Presidencë nuk ishte më shumë se 200 metra dhe pa kaluar 20 minuta më njoftuan që ata ishin në paradhomë.

  • Çfarë është zoti president? — më thotë me një frymë Sokoli.
Lexo po ashtu:  KRYEMINISTRI ZAEV, NJË BURRË SHTETI REFORMATOR DHE PAQËSOR, APO VAZHIMËSI E POLITIKËS SË VJETËR!?

Kur i them tipin e intervistës, si një gazetar me intuitë kuptoi që fjalët e mia do të ishin të drejtpërdrejta dhe do të thellonin debatin politik dhe hendekun midis interesave parimore të kreut të shtetit dhe pazareve të dyshes Berisha – Rama, për pushtet personal dhe kontroll të institucioneve.

— Sokol, vendosa për intervistë dhe jo konferencë për shtyp, pasi gjërat janë në evolucion dhe më mirë të dalë si interes i gazetarit për të mos futur institucionin zyrtarisht në “luftë”, por si mendime personale e politike, pa arritur në vendime institucionale. Sidoqoftë ky është iluzion, sepse ata këtë luftë e kanë nisur, kanë organizuar formacionet dhe po luftojnë së bashku në një front!

Sokoli nënqeshi, ndërkohë që ishin gati për regjistrim.

Për shkak se bëhet fjalë për një pozicionim të fortë, të qartë e në kohë, rreth një javë përpara vendimeve të 21 prillit, vendimmarrje që ka “shkatërruar” një pjesë të themeleve të shtetit, vendosa të sjell intervistën pa asnjë retushim, kur data sot shënon 21 prill 2018, pra 10 vite më pas.

Këtë gjë e bëj për të dëshmuar se e gjithë beteja ime politike, institucionale e publike nuk ka ndryshuar edhe sot në terma dhe filozofi politike.

Kam parë e dëgjuar gjatë këtyre viteve politikanë dhe analistë që kanë ndryshuar pozicion ose si pasojë e reflektimit, pasi nuk i kanë kuptuar gjërat në kohë dhe ashtu u është dashur të luajnë rolin, por e vërteta e madhe është ajo që keni para dhe po shohim këto vite, kur na shoqërojnë pyetje si: Pse niveli i demokracisë në Shqipëri është në këtë gjendje të mjeruar? Pse zgjedhjet manipulohen, blihen dhe vidhen? Pse cilësia e Parlamentit ka rënë kaq poshtë? Pse kryeministrat i kemi kaq arrogantë dhe të pasjellshëm? Pse pushteti i tyre prodhon pafundësisht korrupsion? Pse nuk ka më shoqëri të besueshme civile? Pse institucioni i presidentit është bërë kaq i dobët? Pse kryetarët e partive të mëdha janë bërë sulltanë duke i kthyer partitë në pashallëqe të tyre? Pse mendja është e kapur nga qeveria e radhës? Pse drejtësia ka rezultuar e kapur nga politika? Pse edhe sot arkitektët e 21 prillit të 2008-s, për të vetmen gjë që bien dakord është fakti që asgjë nuk duhet të ndryshojë nga dokumenti i 10 viteve më parë?

Besoj se përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i gjeni në intervistën e 15 prillit të vitit 2008, vetëm gjashtë ditë përpara ndryshimit dramatik të Kushtetutës, një muaj pas shpërthimit të Gërdecit, i cili përveçse mori jetë njerëzish, “shpërtheu” edhe themelet e ndërtesës së shtetit, ditën tragjike në të cilën kryeopozitari Rama do të fërkonte shpatullat e kryeministrit Berisha për gjëmën që e kish gjetur(!). /TemA/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *