Puthja e duarve të një gruaje është galanca e një fisniku, shprehur përmes një gjesti jo dhe aq teatral, se sa emocionues.

Kjo përulje e lartësuar në obligimin mirënjohës, mbetet prej tipareve më civilizuese të një burri, permendoren e të cilit nuk e lëkund një stuhi sa një përkushtim detyre.

Nëna, vetë shenjtëria e saj, ka qenë dhe mbetet një altar i shtrenjtë besimi, besimi në gjithçka që lartëson njeriun në misionin e tij për të përsosur llojin, dhe ne puthjet e duarve të tyre i mbajmë të fshehura thellë në shpirt, siç i mban toka thesaret.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Një prej mikeve më të mia më të mira, ajo që ka ditur ta çojë dashurinë dhe respektin në më të epërmet shprehje të virtytit dhe pasionit, ishte fat që e kisha dhe kolege. Nuk ishte e vështirë të qëmtoje prej saj vetë mrekullinë e përkushtimit të duarve të një nëne të dashur dhe vetmohuese, të një nëne që mëkon në frutin e saj, atë për çfarë ajo i është mirënjohës, krijuesit që e shpërbleu, dhe fatit që e ngarkoi me detyrën e kultivimit të nënës në bijën.

Lexo po ashtu:  Lennon: “Kur isha 5 vjeç…”

Një vajzë e kristaltë, që dinte të jepte dashuri, pa u ndrojtur se do t’i shpërdorohej kopështi i saj, ku rriteshin dhe mbarështoheshin të gjitha lulet dhe frutat e mirësisë. Ajo nuk është e përsosur, por në të është hedhur ajo farë që mund të mbijnë shëndetmirë bima e begatisë së një shpirti, që vjen për të bekuar vajzën, gruan, nënën, për të shenjtëruar mirënjohjen e atyre duarve që e përkundën shpresën në prehërin e përtëritjes së besimit.

Çdo kremte që i shkruaja mikes sime, ose i përgjigjesha urimeve të saj, nuk harroja asnjëherë t’i kërkoja si një favor, t’i puthte duart e asaj nëne që e kishte rritur, sepse është akti i saj i shenjtë i krijimit që sjell përmes veprës së vet ngadhënjyese, atë çfarë e mban në jetë, atë më të shetrenjtën, dashurinë, përkushtimi, pasionin, devotshmërinë, dlirësinë, mirësinë.

Dhe erdhi një ditë që nuk pata nevojë t’i kërkoja mikes sime më atë nder. Rasti ma dha të takohesha dhe ta merrja me shumë mirënjohje atë privilegj, të puthja dhe të bekoja ato duar, t’i blatoja asaj zemrë dhe t’i përulesha atij shpirti që ka ditur të sjellë përmes mëkimit të nënës, atë çfarë e lartëson një vajzë, një grua.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  Test psikologjik i frikërave tona simbolike

U ndamë me një përqafim, duke lënë në sytë e saj lot dhe duke marrë falenderime, që më dhanë kaq shumë bekim sa asnjë lutje.
Unë besoj… se ka ende duar që meritojnë të lartësohen në altarin e asaj mirënjohje që e shenjtëron misionin e nënës dhe e begaton nevojën tonë për të qenë të shpërblyer nga kjo mundësi, në themel të së cilës qëndron dlirësia, mirësia dhe dashuria.

Mike, nëna juaj qoftë e bekuar dhe ju mëkimi i saj, qofshi e shpërblyer; me miken e mirë, kolegen e përkushtuar, nesër me gruan e devotshme dhe fatbardhësisht me nënën që ngadhënjen në detyren e misionit./albetvataj
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *