Tregu i televizioneve në Shqipëri u përqendrua akoma më shumë gjatë vitit 2022 në krahasim me vitin 2021, duke i lënë shqiptarët me larmishmëri të paktë informacioni dhe këndvështrimesh, bëhet e ditur nga të dhënat financiare të kompanive të këtij tregu, të analizuara nga BIRN. Televizioni Publik Shqiptar, Top Channel dhe TV Klan duket se kontrollojnë shumicën dërrmuese të burimeve ekonomike që financojnë operacionet e këtij sektori që gjerësisht konsiderohet si vendimtar për gjendjen e demokracisë.

Sipas të dhënave të analizuara të rreth 20 televizioneve të licencuara, të ardhurat e televizioneve private ishin gati 6 miliardë lekë, (rreth 60 milionë euro), ndërsa të ardhurat e Radios dhe Televizionit Publik Shqiptar RTSH, ishin 2.2 miliardë lekë, (rreth 22 milionë euro). Të ardhurat e televizioneve private ranë me 5.3% përkundrejt vitit 2021, gjë që duket se lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe të ardhurat shtesë që u krijohen televizioneve në vit zgjedhor si pasojë e reklamave politike apo fushatave informuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Televizioni Klan ishte televizioni më i madh në vend për nga të ardhurat me 2.1 miliardë lekë, pasuar nga Top Channel me 1.4 miliardë lekë. TVSH, e cila i merr të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe nga një taksë e posaçme, krahas të ardhurave të vogla nga reklamat e shërbime të tjera, pati një buxhet prej 2.2 miliardë lekësh, sipas raportit vjetor të këtij institucioni në Kuvendin e Shqipërisë.

Televizionet e tjera ndjekin në distancë të largët tre të mëdhenjtë. I katërti për nga të ardhurat rezulton kompania Media Vizion, e cila operon televizionin Vizion Plus me 436 milionë lekë të ardhura ose 5.3% të tregut ndërsa në vend të pestë, G2 Media, e cila operon televizionin A2 CNN me 410 milionë lekë të ardhura ose 5%.

Lexo po ashtu:  𝐏𝐞̈𝐫𝐬𝐞 𝐧𝐠𝐚𝐭𝐞̈𝐫𝐫𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐄𝐝𝐰𝐚𝐫𝐝 𝐒𝐚𝐢𝐝, 𝐀𝐥𝐛𝐢𝐧 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐊𝐧𝐮𝐭 𝐇𝐚𝐦𝐬𝐮𝐧 𝐦𝐞 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐚𝐤𝐮𝐧 𝐆𝐫𝐞𝐧𝐞𝐥𝐥?

Pesë nga televizionet e mëdha e mbyllën vitin e kaluar me fitime ndërsa tetë të tjera e mbyllën me humbje. Shumica e televizioneve pësuan rënie të ardhurash në krahasim me vitin 2021 ndërsa Media Vizion, A2 CNN dhe Syri njohën rritje. TV Klan pati rritje të lehtë.

Klan dhe Top Channel

Të ardhurat e televizioneve private, të cilat janë pothuajse tërësisht nga shitja e reklamave, ishin 6 miliardë lekë, të dominuara nga Klan dhe Top Channel. Klan kontrolloi më 2022 gati 35% të tregut të reklamave ndërsa Top Channel kontrolloi 23.6%. Të dyja bashkë kishin 58% të tregut. TV Klan është nën pronësinë e Aleksandër Frangaj në masën 60% dhe të Alba Ginës në masën 40%. Frangaj është themelues i televizionit që nga viti 1997 ndërsa ka aktivitete të tjera ekonomike të lidhura me ndërtimin dhe pronat e patundshme.

Top Channel është nën pronësinë e Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj. Të ardhurat e Top Channel ishin 1.4 miliardë lekë më 2022, me rënie në masën 9.5% në krahasim me vitin 2021.

Televizionet e mesme

Katër televizione të tjera kontrollojnë gati 26% të tregut të reklamave ndërsa tre prej tyre kanë pronarë me interesa në tregun e ndërtimit. Media Vizion, kompania që ka nën pronësi kanalin Vizion Plus, kontrolloi 7.3% të tregut dhe pati të ardhura prej 436 milionë lekësh, 20% më shumë se sa më 2021. Kompania është nën pronësinë e Artan, Genci dhe Dritan Dulaku, të cilët kanë interesa në tregun e pronave të patundëshme dhe në ndërtim në Tiranë dhe në bregdet si dhe janë përfitues të statusit të investitorit strategjik nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Lexo po ashtu:  Policia konfirmon arrestimin e një serbi, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri

G2 Media është televizioni i katërt për nga madhësia me të ardhura në masën 410 milionë lekë. Pronari është kompania Gener 2, e cila është edhe një nga kontraktorët më të mëdhenj të rrugëve në Shqipëri. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 5.1% vitin e kaluar.

Focus Media News, kompania nën pronësinë e Irfan Hysenbelliut, një sipërmarrës me aktivitet në sektorin e ndërtimit dhe të birrës, pësoi rënie në të ardhura në masën 12.4% si dhe mbylli vitin me humbje në masën 35 milionë lekë. Hysenbelliu ka pasur një konflikt të vazhdueshëm me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e ka akuzuar atë për evazion fiskal ndërsa Hysenbelliu thotë se sulmi është si pasojë e vijës editoriale të mediave të tij. Krahas Neës 24, Hysenbelliu ka nën pronësi edhe gazetën Panorama, e cila është gazeta e fundit e madhe e mbetur në treg në Shqipëri.

ABC News është televizioni tjetër i mesëm me të ardhura në masën 346 milionë lekë. Televizioni e mbylli vitin e kaluar me humbje të konsiderueshme në masën 132 milionë lekë. Pronari i kompanisë rezulton shtetasi Esat Bojku, shtetas i Kosovës.

Televizionet e vogla

Multiscreen, televizoni nën pronësinë e Carlo Bollinos është nga të paktit televizionë të vegjël që rezulton me fitime. Ai pati të ardhura në masën 300 milionë lekë dhe fitime në masën 21 milionë lekë gjatë vitit 2022. Suksesi i kësaj kompanie nuk duket se vjen nga aktiviteti kryesor, shitja e reklamave, por nga të ardhurat nga dividenti i siguruar nga pronësia në një kompani tjetër. Në vitin 2022, të ardhurat nga dividenti të MTSC ishin 62 milionë lekë ndërsa në vitin 2021, ishin 74 milionë lekë. Kompania MTSC ka nën pronësi kompaninë C – 7 – Integrated Communication Systems, e cila vepron në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo kompani nuk ka dorëzuar bilanc në QKB për vitet 2021 dhe 2022 por në vitin 2019, vitin e parë të plotë me aktivitet, pati të ardhura të deklaruara në masën 83 milionë lekë dhe fitime para taksave në masën 78 milionë lekë. Efektivisht kompania ka pasur normë fitimi mbi të ardhurat në masën 94% në vitin 2019 dhe 55% në vitin 2020.

Lexo po ashtu:  Kërcënohet kryetari i Sindikatës së RTK-së me masa ndëshkuese nga drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj

Euronews, një nga televizionet e reja të hapura gjatë viteve të fundit në Shqipëri, mbylli vitin 2022 me rënie në të ardhura dhe me humbje në rritje. Të ardhurat në masën 216 milionë lekë ranë me 24% në krahasim me vitin 2021 ndërsa humbjet u rritën në 128 milionë euro.

Ora News, televizioni që aktualisht administrohet nga shteti shqiptar pasi u konfiskua si produkt i dyshuar i veprimtarisë kriminale të pronarit të mëparshëm Ylli Ndroqi, pati të ardhura në masën 124 milionë lekë dhe humbje në masën 5.2 milionë lekë.

Syri, televizioni i njohur më së shumti si televizioni i opozitës, pati të ardhura të deklaruara në masën 146 milionë lekë. Në fund, Scan Tv, televizioni i blerë nga grupi Balfin i biznesmenit Samir Mane, mbylli vitin e kaluar me të ardhura në masën 98 milionë lekë dhe me humbje në masën 114 milionë lekë./Reporter.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *