Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat [komunale]”. “Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie. Autoritetet serbe kanë vendosur që forcat e tyre të armatosura të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë deri në një njoftim të radhës, për shkak të situatës në veri të Kosovës. Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë po protestojnë në veri, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në veri ka prezencë të shtuar të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Bashkësia ndërkombëtare ka fajësuar Qeverinë në Prishtinë për rritjen e tensioneve në veri. Më 26 maj, në komunat veriore, serbët lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa kjo e fundit asistoi kryetarët e rinj që të hynin në zyrat komunale.Hyrja e tyre në ndërtesat komunale nga faktori ndërkombëtar u cilësua si “hyrje me forcë” dhe nga Qeveria e Kosovës u kërkua që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Lexo po ashtu:  Ne jemi popull kryengritës dhe këmbëngulës që nuk heq dorë nga liria e tij

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën më 23 prill, pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *