Albin Kurti ka provuar dje në cilësinë e kryeministrit të Kosovës të paktën një problem themelor të politikës së jashtme të Shqipërisë: Tirana zyrtare nuk ka mirëkuptim me Prishtinën për bashkëpunimin rajonal. Deviza “Zero probleme me fqinjët” merr kështu një goditje jo të vogël duke u shndërruar në “Problem serioz me Shqiptarët”.

Lojërat e vockla ndaj Kryeministrit Kurti kanë vazhduar edhe pas takimit të tij me Edi Ramën në Tiranë. RTK-ja e censuruar, që akoma kontrollohet nga partia e Hashim Thaçit, PDK dhe SHIK, ka publikuar “një lajm” sipas të cilit SHBA-të kërcënojnë se “SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha projektet me Kosovën deri sa Qeveria të heqë taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit“.

Lajmi është me burime diplomatike, por nuk do shumë mend për të kuptuar se aty ka një përpjekje të mjerë që goditjen ndaj qeverisë së re ta kanalizojë si politikë amerikane. Ky është një episod i kapërcyeshëm sikundër edhe raporti me Serbinë.

Së pari Kurti ka vënë në dukje një çështje që kërkon trajtim dhe ka përgjegjësi qeverinë e Shqipërisë. Ai tha se ka rënë dakord për një mbledhje të përbashkët me qeverinë shqiptare për të nisur zbatimin e 70 marrëveshjeve që janë nënshkruar mes të dyja vendeve. Theksimi i shifrës ka rëndësi pasi për cilin bashkëpunim rajonal mund të flasë z. Rama kur vetëm me Kosovën ka 70 marrëveshje që nuk zbatohen?

Lexo po ashtu:  Misioni i Vulës ka sukses

Së dyti, ideja e Kurtit për Makro-Shengenin shqiptar nuk ka pse ta kushtëzojë Shqipërinë me raporte me vende të tjera, pasi edhe Makro-Shengeni shqiptar respekton katër liritë europiane.

Është e qartë se Kurti ka zbuluar kufizimet e Tiranës zyrtare, Edi Ramës personalisht që sot duhet të ulet në tryezë me Kosovën pa u mburrur me flamurin dhe dekorin. Por si DY VENDE.

Së treti, Kosova ka përballë një problem me Serbinë. Por ky problem, edhe i vendosur në kontekstin e një konsensusi për pjesëmarrjen e saj në Minishengenin ballkanik dikton zgjidhjen e një problemi dypalësh mes saj dhe ndonjë anëtari tjetër të nismës. Edhe vetë BE e refuzon anëtarësimin pa zgjidhjen e problemeve dypalëshe.

E në këtë kuadër qeveria e re Prishtinës nuk ka asnjë presion real as nga SHBA dhe as nga askush tjetër. Mediat e Kosovës që janë kundër qeverisë së re, sjellin e risjellin qëndrimet e Richard Grenell sikur ato të jenë profesi të Merlinit.

Por nëse sheh me vëmendje propozimet e Grenell nuk kanë asgjë thelbësore, madje asgjë angazhuese për Kosovën. Grenell ka marrë cilësinë e të Dërguarit Special duke spostuar një burokrat si Palmer në funksion vetëm të një qëllimi: arritjen e një marrëveshjeje çfarëdo që do të shërbente për Presidentin Donald Trump përpara fushatës elektorale. Trump e bëri një gjë të tillë me Korenë e Veriut, Kinën dhe Iranin.

Lexo po ashtu:  Vdes Nexhmije Hoxha

Ndaj qeveria e Kosovës ka një mundësi që të bëjë propozime për marrëveshje duke relativizuar çdo shantazh të njëanshëm që lidhet ngushtësisht me taksën. Ajo mund të premtojë se do ta heqë taksën por nuk ka pse e bën menjëherë këtë gjë. Mund të kërkojë diçka tjetër në këmbim, mund të nxisë edhe BE-në të hyjë në process me drafte konkrete. Prishtinës zyrtare i mjafton pra të japë dritën jeshile se është e gatshme të bisedojë për gjithçka me Serbinë për ta angazhuar atë në një negociatë të re, duke e lënë MInishengenin në një çështje të politikës mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Suksesi në këtë drejtim është detyrues për një qeveri si e Kurtit që po presohet për të mohuar deklarimet e mëparëshme. Dhe Serbia që humbet nga taksa, herët apo vonë do të tregohet pragmatiste të negociojë interesin e vet dhe jo imazhin e Edi Ramës.

I ashtuquajturi dalje nga izolimi i Kosovës, për të cilin flasin memecët e zhurmshëm të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare nuk mund të ndodhë duke krijuar raporte të mira me Shqipërinë dhe duke u rreshtuar në nisma të dyshimta të saj, por duke dëshmuar hapje për të biseduar pa kushte. Ky është një aspekt taktik, sepse mund të ulesh dhe nuk është e thënë të firmosësh. Por ulja ka avantazhin e nisjes së negociatës e cila sot për Prishtinën zyrtare ka një vlerë të shtuar: Askush nuk mendon më për ndarjen e territorit. As Vuçiç. Dhe këtë duhet ta thotë me zë të lartë qeveria e re dhe media që mundësoi ardhjen e saj në pushtet.

Lexo po ashtu:  Në Ditën Botërore e Shëndetit Mendor, Megan: Isha personi më i stigmatizuar në vitin 2019

Do t’i bënte nder të gjithëve që opozitë ndaj politikës së saj të jashtme të ishte Edi Rama me Baton Haxhiun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *