Gjokë Dabaj
TERMINOLOGJIA ANTISHQIPTARE DHE PAPËRGJEGJËSIA E INTELIGJENCËS SONË TË SOTME

Është ngutshëm e domosdoshme të krijohet një grup pune prej 5 apo 7 vetësh, i cili të hartojë një regjigjistër sa më të plotë rastesh ku është përdorur dhe po vazhdon të përdoret kjo terminologji logjikisht krejt e papranueshme. Të krijohet ky grup verifikuesish në emër të dy a më shumë organizatavet patriotike shqiptare dhe puna e atij grupi të financohet prej atyre organizatave.

Të merren tekstet shkollorë dhe universitarë një nga një dhe të shikohet e të mbahet shënim ku është përdorur gabim emri Shqipëri. Të merren një nga një hartat gjeografike dhe skicat apo paraqitjet skematike dhe fjalorët e quajtur enciklopedikë dhe të shikohet ç’quajnë Shqipëri ato harta, skica e fjalorë. Cilët janë kufijtë e Shqipërisë sipas këtyre dokumenteve, të cilëvet normalisht nuk duhej t’u ish lejuar asnjë pasaktësi, sepse nuk ishin dhe nuk janë kushdohi, por ishin dhe janë institucione!? Të merren gazetat e revistat, sigurisht jo të gjitha, dhe të shikohet e shënohet edhe atje, me ç’kuptim është përdorur emërtimi gjeografik Shqipëri. Të sqarohet, ku janë ngatërruar, emërtimi gjeografik Shqipëri me emërtimin Shqipëri si shtet. Të hartohet një regjistër rastesh, ku është përdorur emri Shqipëri në vend të emrit Republika e Shqipërisë. Sepse nuk është gjë e pakët, të përdorësh gabim emrin e atdheut tend!

Lidhur me këtë, të shihet e të shënohet, si janë përdorur fjalët Atdhe apo Komb, apo Kombëtar. Cili është, në konceptin e shkruesvet të këtyre termave, Atdheu i shqiptarëvet?! Cili është kufiri verior, kufiri lindor, kufiri jugor apo perendimor i Atdheut të shqiptarëvet, që logjikisht quhet Shqipëri e jo disi ndryshe?
Po marr disa shembuj: A është ekip Kombëtar një ekip sportistësh që përfaqëson vetëm Republikën e Shqipërisë? A është festë Kombëtare dhe a mund të quhet festë Kombëtare për shembull Dita e 29 Nëntorit, siç quhet me të drejtë festë Kombëtare Dita e 28 Nëntorit?!

Të shihet ku është cilësuar Tirana si “kryeqytet i Shqipërisë”, sepse Tirana logjikisht nuk është kryqytet i Shqipërisë, por është kryqytet i Republikës së Shqipërisë.
Në vazhdim: Prishtina, a gjendet gjeografikisht në Shqipëri? Presheva, a gjendet gjeografikisht në Shqipëri? Janina, a gjendet gjeografikisht në Shqipëri? Podgorica, a gjendet gjeografikisht në Shqipëri? Shkupi, a gjendet gjeografikisht në Shqipëri?
Po e përsëris: Në fjalorin tonë të përditshëm, të folur dhe të shkruar, a bëhet dallimi midis nocionit gjeografik dhe atij shtetëror? Sepse Shkupi është shtetërisht kryeqyteti i Repuublikës së Maqedonisë Veriore, por gjeografikisht ai nuk gjendet në Maqedoninë Veriore. Gjeografikisht dhe historikisht Shkupi gjendet në Shqipërinë Lindore. Podgorica është kryeqyteti i Republikës së Malit të Zi, por ajo, gjeografikisht dhe historikisht, gjendet në Shqipëri.

Është për t’u çuditur, si nuk i kanë trajtuar këta probleme akademitë tona. Për t’u çuditur dhe për t’u indinjuar, duke thënë: U rrofshin doktoraturat dhe titujt shkencorë!
Si përcaktohet vendndodhja e malevet, fushavet, lumenjvet, liqenevet dhe krahinavet, në tekstet tanë shkollorë dhe universitarë?! Mali i Korabit gjendet në Shqipëri dhe thuhet e shkruhet se është në Shqipëri. Por, në cilën pjesë të Shqipërisë, në pjesën lindore apo perendimore të Shqipërisë gjendet mali i Korabit?! Për malet e Karadakut të Shkupit, a shkruhet në tekstet tanë se janë në Shqipëri?! Nëse nuk shkruhet se janë në Shqipëri, atëherë ku gjenden gjeografikisht malet e Karadakut të Shkupit? Si e përcaktojnë vendndodhjen e atyre maleve tekstet tanë shkencorë e shkollorë, si e përcaktojnë tekstet e Republikës së Sërbisë apo ata të Republikës së Maqedonisë Veriore? Ku gjenden gjeografikisht malet e Pindit? Si i përcaktojnë tekstet e Republikës së Shqipërisë, tekstet e Republikës së Greqisë, por edhe tekstet enciklopedikë apo universitarë botërorë?! Normalisht Pindi duhet të jetë kufi (gjeografik, jo politik) midis Shqipërisë edhe Grreqisë… Ku gjendet gjeografikisht mali i Rumisë? Shtetërisht, dmth politikisht, gjendet në Republikën e Malit të Zi, por gjeografikisht, etnikisht dhe historikisht, a është Rumia mal i Malit të Zi apo është mal i Shqipërisë?!

Lexo po ashtu:  Mirëqenia po troket (O sot i kurrë) Lëvizja Vetëvendosje e ka përnjëmend ore!

Fusha e Myzeqesë në tekstet tanë shkollorë dhe universitarë është cilësuar si fushë që gjendet në Shqipëri. Po për Rrafshin e Dukagjinit si shkruhet në tekstet tanë, në tekstet e Republikës së Sërbisë, në tekstet e Republikës së Malit të Zi dhe në enciklopeditë botërore, ku gjendet gjeografikisht Rrafshi i Dukagjinit? Fusha e Tetovës, ku gjendet gjeografikisht dhe si është shënuar nëpër tekste të ndryshëm?
Lumenjtë Ibri, Vardari, dy Drinat, Kallamata, a burojnë dhe a rrjedhin nëpër Shqipëri? Si shkruhet në tekstet shqiptarë për këta lumenj dhe si shkruhet në tekstet e shtetevet të tjerë, fqinjë e jofqinjë? Buna është shtetërisht, dmth politikisht, një lumë kufitar. Po gjeografikisht, a është Buna një lumë kufitar? Apo nuk bëhet fare dallimi midis nocionit gjeografik dhe atij shtetëror-politik?!
Liqenet e Shkodrës, Ohrit, Prespës, shtetërisht dmth politikisht, janë liqene kufitarë dhe të ndarë, dmth të copëtuar midis shtetesh dhe në të gjitha pikëpamjet të paralizuar. Të gjymtuar! Ku gjenden gjeografikisht liqeni i Shkodrës, liqeni i Ohrit dhe liqeni i Prespës? Po liqeni i Janinës, mbasi shtetërisht, dmth politikisht, shënohet si i Republikës së Greqisë, gjeografikisht si është emërtuar: liqen që gjendet në Greqi apo liqen që gjendet në Shqipëri?.. Shumë nga lexuesit mund të thonë tani: “Ky qenka i marrë! Ky paska lojtur nga mendtë dhe po shkruaka kuturu!” Por pritni edhe pak! Lexojeni deri në fund këtë parashtresë! Nëse Samiu ka qenë i marrë, nëse Pashko Vasa ka qenë i marrë, nëse Naimi ka qenë i marrë dhe nëse Lasgushi ka qenë i marrë, atëherë edhe unë po dua të jem i marrë!

Lexo po ashtu:  Analiza në DW: Ukraina do të mbijetojë, por Perëndimit duhet t’i vijë turp

Labëria është krahinë e Shqipërisë. Kështu e kanë përcaktuar tekstet shkollorë Labërinë. Po Drenica, krahinë e cilit vend është? Po them: Krahinë e cilit vend! Nuk po them: Krahinë e cilit shtet! Nuk po flas për ata që i kanë bërë katër klasë shkollë, sepse ata e dinë ku gjendet Drenica, por po flas për akademikët shqiptarë, autorë tekstesh shkollorë dhe universitarë!.. Anamorava, lugina ku gjenden Presheva dhe Vranja, a është gjeografikisht krahinë e Shqipërisë apo e Sërbisë? Si e përcaktojnë tekstet tanë të gjeografisë këtë territor?! Si e përcaktojnë tekstet e Republikës së Sërbisë dhe si e përcaktojnë tekstet gjeografikë të shtetevet të Evropës, të Amerikës, të Azisë, të Afrikës? Lidhur me këtë rast shtrohet edhe pyetja tjetër: Nëse është përcaktuar gabim Anamorava si tokë gjeografike e Sërbisë, kujt i takon ta korrigjojë i pari këtë gabim shkencor?! Jo gabim, por shkelje!!
Le të marrim tani jetëshkrimet e disa prej njerëzvet tanë që kanë bërë emër në histori. Abdyl Frashëri jetonte në shtetin turk. Por a mund të thotë dikush se Abdyl Frashëri ishte nga Turqia?! Hasan Prishtina jetoi në shtetin turk, jetoi në shtetin e sapoformuar shqiptar, por vendlindja e tij u bë pjesë e shtetit jugosllav. Nga ishte Hasan Prishtina? Nga Turqia, nga Shqipëria apo nga Jugosllavia? Si e konsideron historiografia botërore, nga ka qenë Hasan Prishtina? Udhëheqës shqiptar nga Jugosllavia?! S’është e mundur!..
Po dua të them: Koncepti shtetëror-politik dhe koncepti gjeografik janë koncepte që dallohen njëri nga tjetri dhe nuk duhet e nuk mund të barazohen. Nuk mund të themi kurrsesi që Shala e Bajgorës gjendet gjeografikisht, njëherë në Turqi, njëherë në Jugosllavi, njëherë në shtetin e Kosovës. Ajo historikisht është trevë e Shqipërisë dhe gjendet në Shqipëri. Kështu, rrjedhimisht, të gjithë historishkruesit e botës janë të detyruar të thonë se Isa Boletini është nga Shqipëria. A shkruhet kështu në tekstet tanë të historisë, apo kalohet në heshtje? Dhe prapë, rrjedhimisht, as për Marko Boçarin askush nuk mund të thotë se ishte nga Greqia. Suli i sotëm vërtet gjendet brenda kufijvet të shtetit grek, por gjeografikisht Suli është në Shqipëri.
Ku gjendet Belfasti gjeografikisht, sado që Irlanda Veriore ka 500 vjet që është përfshirë në të njëjtin shtet me Anglinë e me Skocinë? Atëherë pse për Anamoravën, për Sulin, për Ulqinin, për Plavën, për Manastirin, po edhe për krejt Kosovën, të mos themi e shkruajmë që gjenden në Shqipëri?!

Pashko Vasa “qysh prej Tivarit deri në Prevezë” e quante Shqipëri, sado që Tivari në vitin 1880 ish pjesë e shtetit malazias, ndërsa Preveza ishte pjesë e shtetit osman.
Sami Frashëri, në enciklopedinë e tij, “Kamus-ul-alam”, Shkupin, Prizrenin, Janinën, Shkodrën e qytete të tjerë shqiptarë, i quan qytete të Shqipërisë, sado që ata qytete shtetërisht bënin pjesë në shtetin osman. Pra, ai e dallonte konceptin gjeografik prej konceptit shtet.
Të njëjtin koncept, gjeografik e jo shtetëror, e shohim edhe te vëllai i Samiut, Naim Frashëri: “Të mundnjam të fluturonja e të kishnjam krashë… / Me gas të madh do t’i vinjam Shqipërisë brenda në gji! / Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën, / E me ardh te ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën, / Kostur, Perlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën, / Mat e Ysqyp e Prishtinë e Mirëdit’e Tetovën, / Krojënë e Skënderbegut q’i ka pas dhan ner Shqypnisë / … Durrës, qytet i bukur, që je kërthizë e mëmëdheut! / Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut! / Burrat tuaj aqë trima do ta lënë vallë Ylqynë që ta mbajë armiku ynë? / Nuk më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë, / Shqipëria këtej e tutje kshu po nukë do të mbesë.”,

Lexo po ashtu:  Ballkani të shndërrohet në zonë paqeje, jo në varre gjenocidi

Nga e gjithë kjo shihet qartë, por edhe indinjueshëm, që gjeografët tanë, historianët tanë, shkrimtarët tanë të të gjitha fushavet e midis tyre edhe gazetarët tanë të sotëm, janë, në këtë pikëpamje, shumë më të prapambetur se rilindësit shqiptarë, së paku deri te Lasgushi, i cili thoshte: “Drini plak e i përrallshëm, mes për mes ndë Shqipëri”. Atë nuk e pengonte as Jugosllavia dhe asnjë shtet i botës për ta pohuar se lumi Drin nuk rridhte “në lindje të Shqipërisë”, por rridhte “Mes për mes ndë Shqipëri”. I ndrittë shpirti Lasgush Poradecit!
Grupi prej 5 apo 7 vetësh, nëse do të jetë e mundur të gjenden aq intelektualë të kthjellët në kombin tonë të sotëm, pasi ta ketë hartuar një regjistër të këtillë, një regjistër ku emri Shqipëri dhe krejt terminologjia që lidhet me këtë emër, është përdorur e përdoret gabim, duhet t’ua paraqesë atë organizatavet të veta për shqyrtim dhe ato organizata, argumentet e grumbulluar duhet t’ua paraqesin dy kuvendevet të dy republikavet tona për t’i shqyrtuar dhe për të marrë vendimet përkatës: Do të vazhdojë të përdoret kjo terminologji antishqiptare dhe antishkencore, apo do të ndërpritet duke hartuar e miratuar edhe ligjet përkatës?!
Kjo është rruga e vetkorrigjimit dhe vetëm me këtë rrugë kombi shqiptar do të mund të dalë para opinionit ndërkobëtar me kërkesën për t’i rishikuar vendimet që e kanë bërë lafsha-lafsha Shqipërinë. Trupi i Shqipërisë duhet, së pari, të ribashkohet në ndërgjegjen tonë dhe në të folurit tonë, pastaj të shohim ç’do të mund të bëhet me këtë Atdhe tonin, të katandisur kriminalisht copa-copa, edhe për fajin tonë!
1-2 dhjetor 2020 Gjokë Dabaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *