Në qoftë se unë harrohem në Islandë, jeta ims s’ka fare kuptim.

Tomas D. Megi

Më 8 prill 1965, sipas porosisë që kish lënë, t’i hap dhe u lexua testamenti i mitropolit Theofan Nolit, i shkruar më 1959 dhe i depozituar në një nga bankat e Bostonit. Kjo u bë në prani të avokatit dhe të Meri Xhonsit, e caktuar si zbatuese e ligjshme e tij. Trashëgimia e Nolit, duke marrë parasysh që kish punuar një jetë të tërë dhe kish bërë një jetë të thjeshtë, do të rezultonte modeste. Gjithë kursimet e tij përbëheshin nga 50.000 dollarë, shumë, të cilën ai kërkonte të ndahej në këtë mënyrë: dy motrave dhe një nipi e një mbese u linte nga 1000 dollarë, kurse nga pjesa që mbetej, gjysma i dhurohej “Fondit të Studentëve të Dioqezës” për përgatitjen e priftërinjve të rinj dhe gjysma tjetër ndahej mes Konservatorit të Nju Inglandit dhe Orkestrës Simfonike të Bostonit. Peshkopatës i dhuronte shtëpinë dimërore në Florida dhe gjithë librat kishtare, si dhe sendet vetjake. Meri Xhonsit shtëpinë ku kish banuar, ndërsa Vatrës asgjë. Në testament nuk bëhej fjalë për fatin e dorëshkrimeve dhe të bibliotekës, por, sipas një raporti të Misionit shqiptar në OKB, thuhet se Noli e kish porositur gojarisht sekretaren që dorëshkrimet dhe një pjesë të librave t’i dërgoheshin Universitetit të Tiranës, kurse fondi kryesor i librave t’i dhurohej Bibliotekës Publike të Bostonit. Meri Xhons filloi pa humbur kohë nga zbatimi i testamentit. Njoftoi Bibliotekën Publike, por ajo i refuzoi librat për mungesë vendi dhe sepse pjesën më të madhe të tyre i kish në fondet e saj. Atëherë, sekretarja hyri në kontakt me Misionin shqiptar dhe e njoftoi për librat që Noli i dhuronte Bibliotekës së Tiranës. Në fakt, nga biblioteka e tij e pasur, ajo do të niste për në Shqipëri një fond prej 2300 librash. Ato qenë në përgjithësi libra pune, si fjalore dhe doracake enciklopedike, po dhe literaturë filozofike dhe fetare, historike dhe social-ekonomike, gjuhësore, muzikore, pak letërsi, më shumë dokumentare dhe shkencore, kryesisht në anglisht, pjesa tjetër në gjuhë të ndryshme dhe vetëm një në shqip, po të mos llogariten veprat e tij.

Më pas zonjusha Xhons, bashkë me zonjën Vangjeli Theodhori, do të nxirrnin pjesën me të madhe të dorëshkrimeve të arkivit të tij dhe gati ilegalisht do t’ia dorëzonin nëpunësve të Misionit shqiptar për t’u depozituar përfundimisht në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Sipas të dhënave të tërthorta, në arkivin e Nolit u futën duar të ndryshme dhe kjo e bëri të vështirë fatin e dorëshkrimeve të disa veprave të tij të papublikuara, si “Jeta e Pirros së Epirit”, “Jeta e Ali Pashë Tepelenës”, “Autobiografia politike” etj. Deri më sot, ato nuk dihet se ku ndodhen, por një gjë nuk përjashtohet, siç shkruan zonjusha Xhons në një letër dërguar Misionit, që “vitet e fundit Noli ishte rrethuar nga rrjetë merimangash”.

Trashëgimia tjetër që kish lënë Noli ishte Kisha Ortodokse Shqiptare, për të cilën ishte shqetësuar dhe përkujdesur deri në fund të jetës. Prifti Stefan Lasko, që ai e kish dërguar gati fshehurazi në Shqipëri dhe që në krye të javës së vdekjes së tij që kurorëzuar peshkop në Durrës në Kishën e Shën Spiridhonit nga kryepeshkopi Paisi, do të kthehej në Boston më 27 mars. Të nesërmen, peshkopi i ri, i veshur me rrobat episkopale të Nolit, do të drejtonte meshën e parë në Katedralen e Shën Gjergjit të mbushur plot e përplot nga grigja e besimtarëve. Për shumicën e gjendjes, shfaqja e Laskos peshkop ishte një gjë krejt e papritur, aq e papritur, sa, siç dëshmon G. Gallani, “ata mbetën gojëhapur”. Gjithë kjo mizanskene kish qenë vepër e Nolit, i cili, për të realizuar qëllimin e tij patriotik, çdo gjë e kish mbajtur sekret. Pavarësisht se ky veprim, siç do të shohim, do të zgjonte te kundërshtarët reagime dhe do të krijonte probleme në gjirin e Kishës, me ceremoninë që u zhvillua, ai u bë fakt i kryer. Në mbarim të meshës, peshkopi i ri doli përpara auditorit të trazuar dhe shpjegoi hapur gjithë ç’kish ndodhur duke premtuar solemnisht se merrte përsipër të ecte me besnikëri në udhën e Nolit. Fill pas kësaj, opinioni ortodoks, i gjendur para kësaj situate, u nda më dysh. Në qoftë se masa e besimtarëve dhe disa nga anëtarët e Këshillit të Peshkopatës e mirëpritën dhe e mbështetën këtë akt, si të vetmen alternativë për ta ruajtur kishën e tyre nga rreziqet që i kanoseshin, pjesa tjetër, e përbërë prej krerëve të Vatrës si dhe nga anëtarë të Këshillit të Peshkopatës, u revoltuan dhe u kundërvunë menjëherë. Këta të fundit, duke e quajtur komplot gjithë ç’kish ndodhur, shpallen se nuk do ta njihnin të ligjshëm peshkopin e siguruar nga Tirana komuniste dhe u larguan nga Kisha në mënyrë demonstrative.

Lexo po ashtu:  15 vjet nga trazirat e marsit

Pas kësaj ngjarjeje, u bënë përpjekje që palët të merreshin vesh, por kundërshtarët e peshkopit të ri nuk pranuan dhe e hodhën çështjen në gjyq. Më 20-26 shtator 1965 u zhvillua gjyqi në një nga gjykatorët e Bostonit me dëshmitarë nga të dy palët, në prani të qindra shqiptarëve. Opinioni shqiptaro-amerikan do ta ndiqte me interes dhe dhembje gjyqin që jo vetëm s’e nderonte kujtimin e Nolit, por që kish sjellë përçarje me pasoja brenda bashkësisë. Për të gjithë ishte e qartë se kishin hyrë në mes motive politike, të cilat s’kishin të bënin me qëllimet e vërteta të themeluesit të kishës ortodokse shqiptare. Qëllimi i tij kish qenë të ruante kishën kombëtare nga uzurpimi i grekëve dhe i grekomanëve. “Tjetër rrugë nuk ka, – u kish thënë Noli bashkëpunëtorëve të ngushtë në prag të nisjes për në Shqipëri të kandidatit për peshkop. – Kur të kthehet, do të vij vetë ta paraqes përpara besimtarëve”. Por ai nuk e arriti këtë ditë. Ndoshta dhe po të ishte gjallë, prapë “kryengritja” brenda kishës nuk do te ishte shmangur, veç Noli, i mësuar me kundërshtimet e bashkatdhetarëve të vet, do të dinte t’u bënte ballë. Por dhe në mungesë të tij, me gjithë presionin politik tepër agresiv dhe të gjithanshëm, gjykata, pas disa seancave, arriti të japë vendimin ne favor të kishës së peshkopit të ri. Atëherë kundërshtarët e zemëruar e hodhën çështjen në gjykatën e një shkalle më të lartë dhe kërkuan ndihmën e autoriteteve, duke e akuzuar palën tjetër, vegël të komunistëve të Tiranës. Gjendja u ndërlikua, sepse në të njëjtën kohë, ndërsa palët e kishës së Nolit ishin në gjyq kundër njëra-tjetrës, peshkopi renegat Marko Lipe ngriti padi kundër Peshkopatës për të marrë pesë kishat e saj, me pretendimin se ai ishte peshkopi i tyre legjitim, i njohur nga Patriarkana e Stambollit. Në këtë situatë paradoksale, kur zhvilloheshin dy gjyqe paralele dhe mes shqiptarëve kishin shpërthyer grindjet dhe përçarja, kur “Dielli” bënte fushatë se gjoja Noli s’kish lënë ndonjë amanet dhe se komunistët kishin pushtuar kishat shqiptare, ishte e qartë se e gjithë kjo zhurme s’kish të bënte me fatin e kishës, por me interesa dhe qëllime thjesht politike. Gjithë kjo luftë thuajse absurde do të zgjaste plot katër vjet. Ndërkaq, opinioni patriotik, jo vetëm në Amerikë, po dhe më tej, sa vinte e shqetësohej. Ai do të bënte presion mbi palët dhe do të kërkonte rrugën e paqes e të mirëkuptimit. Grindje të tilla të paparimta, që shpesh merrnin trajtën e sharjeve dhe të akuzave të dyshimta, duke kaluar nga një gjyq në tjetrin, nuk i shërbenin kurrsesi bashkimit dhe interesave të larta kombëtare. Mendjet e ndezura filluan dalëngadalë të ftohen dhe u hodhën hapa për afrim, deri sa në maj 1969, në një mbledhje të organizuar në Katedralen e Shën Gjergjit, u arrit pajtimi i palëve. Stefan Lasko u njoh më në fund si peshkop kanonik i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. U realizua kështu amaneti i Nolit. Shpirti i tij triumfoi mbi ndasitë dhe grindjet, duke i bashkuar si ngaherë shqiptarët.

Lexo po ashtu:  “Dielli”, 1913: “Dhelpëritë greke. Kërkojnë bashkim me Shqipërinë, si Austria me Hungarinë”

Kishin kaluar plot pesë vjet nga vdekja e Nolit dhe trupi i tij qëndronte akoma i pakallur. Kish ardhur koha që kjo çështje të zgjidhej tani përfundimisht. Dërgimi dhe varrimi në Shqipëri në rrethanat e krijuara e bënin krejt të pamundur. Qeveria e SHBA-së duke marrë parasysh së mitropoliti Fan Noli ishte qytetar amerikan, e kish refuzuar kërkesën e shtetit shqiptar. Për më tepër, në Shqipëri ishin mbyllur ndërkaq institucionet fetare dhe, në një shtet të shpallur ateist, s’kish si të bëhej fjalë për varrosjen e një kryepeshkopi si Noli. “Vendi i pushimit të fundit për Atin tonë, – shkruante “Dielli” me këtë rast, – është Amerika, sepse ai punoi këtu, themeloi Kishën dhe Vatrën dhe ishte qytetar amerikan”. Në fakt, Noli edhe kësaj here do të mbahej peng i politikës, sepse, në të vërtetë, trupi i tij askund, veç tokës amtare, nuk do të gjente qetësinë dhe prehjen e përhershme. E megjithatë, kjo ishte një çështje që do ta zgjidhte koha. Noli, edhe nën tokën amerikane, mbetej ai që ishte, një shqiptar i madh dhe një qytetar i shquar, që i bënte nder si atdheut të të parëve, ashtu dhe atdheut të dytë.

Lexo po ashtu:  Fjalimi madhështor i Esat Mekulit: “Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë"

Me vendim të Këshillit të Peshkopatës, që trupi i Nolit të varrosej në Jamaica Plain, Mass., më 5 shtator 1970 u organizua ceremonia e rivarrimit në Forest Hills Cemetry, me pjesëmarrjen e qindra shqiptarëve dhe miqve të tij amerikanë. Ai u kall në avenynë “Reduood”, disa hapa larg truallit ku pushonte Faik Konica, me të cilin kishte qenë i pandarë në gjallje dhe do të ishin bashkë dhe në vdekje. Me këtë ceremoni kish marrë fund situata paradoksale që e kish mbajtur pezull Nolin e vdekur dhe shqiptarët të përçarë. Ai varr, tani e tutje, do të ishte vend pelegrinazhi i kthyer në simbol, ku bashkatdhetarët e tij do të vinin t’i bënin homazh disa prej vlerave të tyre madhore kombëtare, të personalizuara në emrin Fan Stilian Noli.

Tamam në kohën kur trupi i kryepeshkopit shqiptar do të gjente më në fund prehje, u krijua Kisha Ortodokse Lindore Amerikane. Një ëndërr e kahershme, një aspirate e shenjtë, që ai nuk arriti ta gëzojë, po që në themelet e saj ishte dhe puna qe Noli kish kryer në vite, idetë dhe projektet largpamëse, përkthimet fetare dhe reformat kishtare. Prandaj në përbërje të Kishës së Bashkuar do të përfshihej ndër të parat dhe Kisha Ortodokse Shqiptare, duke plotësuar kështu një amanet të themeluesit të saj, që siguronte tani e tutje autonominë e vet, krah simotrave të tjera, dhe shmangte çdo rrezik që i kërcënohej nga gamilja e kishës greke. Meritën e Nolit në këtë realizim historik, qe arriti bashkësia ortodokse amerikane, do ta shprehte prelati i lartë John Meynderof me fjalët: “Mitropoliti Theofan do të kujtohet pa dyshim nga Amerika ortodokse për brezat që do të vijnë, si një, nga eksponentët e parë udhëheqës të kishës sonë në kontinentin e Amerikës së Veriut”.

Për afro katër vjet varri i Nolit do të qëndronte nën drurët e kuq të avenysë “Redëood”, i mbuluar me plitharë të thjeshtë. Edhe kështu, duart e shqiptarëve herë pas herë do ta mbulonin me lule. Por ata do të mendonin se udhëheqësi i tyre meritonte diçka më shumë se një varr të rëndomtë. Në vazhdën e traditës që kish, bashkësia shqiptaro-amerikane hapi fushatën për ngritjen e një monumenti, në të cilën kontribuuan me dhjetëra bashkatdhetarë ortodokse, myslimane dhe katolike. Vepra u realizua nga skulptori i njohur Arcangelo Cascieri dhe ceremonia e përurimit u be më 7 shtator 1974, më fjalën që mbajti peshkopi Stefan. Monumenti, i ngritur mbi varrin e Nolit, ishte një basoreliev, që kish në qendër portretin e tij, me mitrën episkopale në krye, në njërin krah një shqiponjë dykrenore e në tjetrin një kryq.

Poshtë tyre ishin shkruar në gjuhën angleze fjalët: “Kryepeshkopi Fan Stilian Noli. Themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Dijetar – Poet. Delegat në Lidhjen e Kombeve. Deputet në Parlamentin Shqiptar. Ministër i Punëve të Jashtme. Kryeministër i Shqipërisë. Lindi më 6 janar 1882. U fronëzua Peshkop më 21 nëntor 1923. Vdekur më 13 mars 1965. Qoftë i përjetshëm!”

Nga Nasho Jorgaqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *