MekuliPress vazhdon të boton pjesë të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”.

Thirrje për kthim në fenë e të parëve

          Përpos në Shqipërinë shtetërore, ku, thotë Ismail Kadare, përkraheshin prej komunizmit, bejteve, muzikës, këngëve, veshjeve, në përgjithësi, traditës myslimane, shqiptarët do t’ia shohin sherrin edhe në ish-Jugosllavinë. Dhe, do t’ia shohin sherrin jo vetëm në Jugosllavinë mbretërore, por edhe në Jugosllavinë komuniste.

          Duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet, shkruan ai, shqiptarët po treteshin:” i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeje të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend. Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”. Megjithëse në fund të kësaj fjalie do të duhej të vihej, së paku një pikëçuditje, Ismail Kadare e vë një pikë të zakonshme! Jugosllavia, “primadona” e botës së tretë, po i afronte asaj bote popullsinë më të padëshiruar: shqiptarët në ndryshorin (variantin) afrikano-verior dhe aziatik! Domethënë: popullsia më e padëshiruar e kësaj bote nuk ishin shqiptarët, po vetëm shqiptarët që ngjanin “më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”! Përfundimi i gjykimit të këtillë të Ismail Kadaresë është ky: afrikano-veriori dhe aziatiku, për shkak se dallojnë prej evropianit, nuk kanë dinjitet të barasvlershëm me të. Ja edhe një shpërthim racist i shkrimtarit tonë – edhe një qërim hesapesh me turqit dhe me arabët!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Nuk ka dyshim se si në Jugosllavinë mbretërore ashtu edhe në Jugosllavinë komuniste janë bërë përpjekje të ndryshme për shkombëzimin e shqiptarëve. Përpjekje për shkombëzimin e tyre, gjithsesi shumë djallëzore, ishte regjistrimi pa i pyetur, i një numri shqiptarësh si myslimanë apo si turq! Por, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste shqiptarët as nuk janë kandisur as nuk janë detyruar që të orientalizojnë muzikën e tyre, veshjen e tyre, pamjen e tyre vetëm e vetëm që të ngjajnë sa më pak evropianë e sa më shumë aziatikë, domethënë turq dhe afrikano-veriorë, domethënë arabë. Jo. Përkundrazi: ka ngjarë që detyrueshëm të “çaziatizohen” dhe të “çafrikanizohen”! Kështu, për shembull; grave ,në shumë raste, me dhunë u është hequr ferexheja. Aziatizim dhe afrikanizim folklorik i shqiptarëve në Kosovë, “duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet”, nuk ka ngjarë. As në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste, turqit nuk janë përbuzur, përkundrazi: janë çmuar. Kudo ishin në Jugosllavi – në Kosovë, në Maqedoni, ata ishin një si shtresë e lartë; në Kosovë ata ishin qytetarët e qytetëruar të Kosovës, fisnikët e Kosovës. Ata trajtoheshin kështu qoftë edhe për shkak se si Jugosllavia mbretërore ashtu edhe Jugosllavia komuniste kishte marrëdhënie politike dhe shtetërore me Turqinë të mira, në situata të veçanta, jashtëzakonisht të mira, kurse babai i Turqisë moderne, Ataturku, kishte qenë mik i mbretit Aleksandër, ashtu siç kishte qenë kryetari i mëvonshëm, gjeneral Evreni, mik i Josip Broz Titos. Në Serbi dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi nuk përbuzeshin siç i përbuz Ismail Kadare as veshja, as muzika turke apo arabe. Si muzika e veshja ashtu edhe veçori të tjera orientale të kulturës serbe shiheshin si një mbetje historike, që do të duhej të ruhej në muze, në teatër apo në festivale të këngës popullore. Të rinjtë shqiptarë që kanë studiuar në universitetin e Beogradit, mbajnë mend se në dekanatin dhe sallat e Fakultetit të Gjuhës dhe të Letërsisë Serbe mbahej portreti i madh me fes në kokë i themeluesit të gjuhës letrare serbe, Vuk Stefanoviq Karaxhiqit, i cili njihet edhe si autor i sloganit ku jeton qoftë edhe një serb është tokë serbe, që do të bëhet slogani i nacionalizmit pushtues serb, duke filluar prej gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në teatrot serbe, qoftë edhe në Beograd, më shpesh se asnjë shfaqje tjetër do të shihej shfaqja e punuar sipas dramës së shkrimtarit serb, Borisllav Stankoviq, Koshtana, në të cilën të gjithë personazhet janë të veshur siç ishin veshur në kohën e Perandorisë Otomane – allaturka dhe argëtoheshin siç ishin argëtuar atëherë – allaturka!

Lexo po ashtu:  Deklasifikohen dokumentet sekrete amerikane, zbardhet roli i SHBA në bojkotin që çoi vendin drejt diktaturës

Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin të paracaktuar për të bërë punët më të rënda dhe më të pista në Beograd e në qytete të tjera si më të mëdha në të dy Jugosllavitë: për të bartur qymyrin dhe për të fshirë rrugët.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Dhe ata që ishin të paracaktuar për dajakun e policisë dhe për plumbat e ushtrisë serbe kudo e, sidomos, në kufirin me nënën Shqipëri, ishin kësulëbardhët – shqiptarët, që mbanin në kokë qylafin, që i binin fyellit dhe çiftelisë! Vetëm ata, thuhej në Klubin kulturor serb, ku përpunohej strategjia e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare e ku ishte paraqitur edhe projekti i Vasa Çubrilloviqit Shpërngulja e arnautëve -para Luftës së Dytë Botërore dhe në UDB-në e Rankoviqit – pas Luftës së Dytë Botërore, e mbajnë kombin sepse vetëm ata nuk e ndërrojnë qykën lehtë! Në kohën kur Sllobodan Millosheviqi e kishte filluar të ashtuquajturin jogurt – revolucionin, me qëllim që të përmbyste autonominë e Kosovës të njohur në vitin 1974 dhe, ashtu, mandej, t’i ndryshonte marrëdhëniet kushtetutore mes republikave të ish-Jugosllavisë, serbëve që prej Kosovës shkonin nëpër Serbi për ta shprehur zëshëm mosdurimin e tyre ndaj shqiptarëve, në Novi Sad të Vojvodinës, u thuhej: kthehuni atje prej nga keni ardhur dhe qërojini hesapet me ato kokat e gjipsuara! Vetëm ata ju vijnë haqesh ju! Jo shqiptarët që Ismail Kadare i pandeh të veshur në rroba turke (aziatike – thotë ai) dhe arabe (afrikano-veriore – thotë ai) po shqiptarët, me kokë “të gjipsuar”, ishin ata që duhej të dëboheshin prej Kosovës, sepse prej tyre, prej vitalitetit të tyre, prej qykës së tyre, frikësoheshin serbomëdhenjtë. Do ta provojmë këtë në vitin 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999:  fshati shqiptar ishte ai mbi të cilin u derdh gjithë tërbimi i shtazërishëm i paramilitarëve, i policive në uniforma të ndryshme dhe i ushtrisë serbe dhe i cili u “pastrua etnikisht”, për fat, vetëm  përkohësisht. E, këta, “primadona e botës së tretë”, Jugosllavia, nuk do të denjonte t’i vishte në veshjet e miqve të atëhershëm politikë: të turqve dhe arabëve.

Lexo po ashtu:  Pirro i Epirit shkatërronte ushtritë romake dhe Kartagjene, si dhe ideoj një urë midis Shqipërisë dhe Italisë

          Qëllimin e këtyre bredhjeve të tij fetare, politiko historike, nëpër Jugosllavinë mbretërore dhe Jugosllavinë komuniste, Ismail Kadare do ta shpjegojë vetë kur shkruan: “Një shekull më pas – thotë ai, duke e zgjatur harkun kohor në një shekull edhe pse rrëfimin për orientalizimin e shqiptarëve në Jugosllavi e kishte filluar nga vitet e 50-ta të shekullit njëzet – kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve”.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Sa shumë do të befasohen “të rinjtë myslimanë shqiptarë” kur ta lexojnë këtë pohim propagandistik të koniunkturshëm të Ismail Kadaresë. Rinia studentore dhe shkollore e Kosovës, as në vitin 1981, as në vitin 1989-1990, nuk është ngritur në demonstrata “për të kërkuar rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar”. Demonstratat e vitit 1981 dhe të vitit 1989-1990 nuk janë bërë as për të kërkuar rrënjët e paganizmit ilir, as të krishterimit të hershëm, as të krishterimit të vonshëm, as të myslimanizmit të hershëm a të vonshëm. Jo dhe jo. Kërkimi i rrënjëve të krishterimit të hershëm do të bëhet zbulim i komunistëve të kthyer shpejt e shpejt në gjoja demokratë pas viteve të 90-ta, të cilët do ta kuptojnë se duke i kërkuar ato rrënjë do të mundë të përfitojnë politikisht për karrierat e tyre! Dhe, disa prej tyre edhe do të përfitojnë: do të dëgjohet për ta dhe do të jenë të ndihmuar në përparimin e tyre. Të rinjtë e ngritur në demonstratat e vitit 1981 dhe 1989-1990 nuk do të kërkojnë rrënjë, sepse ata rrënjët i kishin me vete si në shtëpi, në shkolla e në fakultete ashtu edhe në demonstrata. Në qoftë se, megjithatë, do të pranojmë se do farë rrënjësh i kërkonin, atëherë duhet të thuhet e vërteta: të vetmet rrënjë që disa prej tyre kërkonin më 1981, fatkeqësisht, ishin rrënjët marksiste-leniniste!

Lexo po ashtu:  Albin Kurti: Nuk ka propozime që pranohen e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së

Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as “për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve”. Ata brohorisnin: jemi shqiptarë jo sllavë jo për të thënë se shqiptarët janë rrënjës, banorë më të hershëm të Kosovës se serbët, po për të thënë se Kosova as etnikisht, as historikisht s’i takon Jugosllavisë. Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as për arsye fetare, as për arsye arkeologjike, historike a linguistike. Për këtë as nuk kishin nevojë, as nuk kishin kohë. Ngulitjen e popullit të tyre në Kosovë përpara sllavëve e kishin dëshmuar arkeologët, historianët dhe gjuhëtarët e shquar shqiptarë: Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Vangjel Toçi, Neritan Ceka, Aleks Buda, Arben Puto, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Kristaq Prifti, Ali Hadri, Gazmend Shpuza, Eqrem Çabej, një varg shkencëtarësh të huaj – gjermanë, francezë, italianë,bullgarë, kroatë, boshnjakë, madje, edhe ndonjë serb. Ata nuk e lodhnin mendjen atëherë të shqiptojnë në demonstrata parullat fetare që Ismail Kadaresë do t’i duhen dhjetë a njëzet e pesë vjet më vonë për koniunkturën e tij politike dhe letrare. Ata ishin ngritur në demonstrata për ta bërë botore një kërkesë shumë më të rëndësishme: kërkesën për Kosovën republikë e cila, mbasi të bëhej republikë, do të mundë të bashkohej me, si thuhej atëherë, shtetin amë – Shqipërinë.

Cili s’është misioni i Shqipërisë VIJON! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *