Gjatë praktikës sime si mjek me të sëmurët nervorë,
prej kohësh kisha vënë re që ekzistojnë, në psikologjinë njerëzore, krahas dallimeve të shumëfishta individuale, edhe dallime tipike: vëmendjen time e kanë tërhequr sidomos dy tipa, që unë i kam emërtuar introvers( i mbyllur në vetvete) dhe ekstrovers( i hapur ndaj të tjerëve).

Kur ne shqyrtojmë rrjedhën e një jete njerëzore, vëmë re se fati i disave përcaktohet kryesisht nga objektet që atyre u interesojnë, ndërsa fati i disa të tjerëve në një masë më të gjerë nga interesi i tyre i brendshëm, nga subjektiviteti i tyre. Meqë të gjithë ne anojmë pak a shumë nga njëra apo nga tjetra karakteristikë, kemi një prirje natyrore për të parë gjithçka sipas tipit tonë.

Do të ishte deri diku e thjeshtë, nëse çdo lexues do ta dinte në cilën kategori bën pjesë; për fat të keq shpesh është e vështirë të zbulosh cilës kategori i përket një person, sidomos kur është fjala për veten tonë, pasi gjykimi që jep lidhur me personalitetin tënd është shumë i dyshimtë.

Lexo po ashtu:  Monotonia/ Kur dita nuk shkon mirë, kujtoni Sizifin!

Kjo mëdyshje që kaq shpesh e ndeshim rrjedh nga fakti që secili tip i përcaktuar më së miri ka në vetvete një prirje të veçantë për ta kompensuar karakterin e njëanshëm të tipit ku bën pjesë. Kjo prirje i përgjigjet një nevoje biologjike, pasi ajo ka për qëllim të ruajë ekuilibrin psikik.

Kompensimi krijon karakterin, ose tipa dytësorë që e ndërlikojnë përshkrimin në mënyrë të tillë që të shtyn deri aty sa ta mohosh ekzistencën e tipave dhe të besosh vetëm në dallimet individuale.

“Tipat Psikologjikë” Carl Gustav Jung

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *