Humbja e një finaleje apo e një ndeshjeje të rëndësishme për shkak të një penaltie është shumë e vështirë për t’u kapërdirë. Megjithatë ne e dimë:futbollisti që dështoi ta realizonte penalltinë, u zgjodh pikërisht sepse zakonisht shënon shumë gola.

Por çfarë ndodhi me të kur e humbi penaltinë? Shumë presion, justifikohen vetë lojtarët.

Por tani një studim i ri shpjegon diçka më shumë:mekanizmi i trurit që rregullon aftësinë motorike mund të bllokohet përballë mundësisë së një shpërblimi shumë të rëndësishëm (për shembull, fitimi i titullit që është në lojë).

Në fakt, sipas këtij studimi të publikuar në “New Scientist”, sistemi ynë i programimit motorik na ndihmon gjithmonë që të kryejmë lëvizjen më të mirë të mundshme në funksion të një shpërblimi. Por nëse pritshmëria është shumë e lartë, ndodh pikërisht e kundërta: lëvizja që duhet të kryhet bëhet e vështirë dhe kryhet keq (dhe nga këtu buron edhe penaltia e gabuar).

Studimi në fjalë u krye nga disa studiues të Universitetit Karnexhi Melon në Pensilvani, të cilët që në vitin 2001, kishin vënë re se disa majmunë makakë të stërvitur për të kryer një detyrë të vështirë në këmbim të ujit me sheqer, hasnin më shumë vështirësi kur pija ishte më e bollshme.

Lexo po ashtu:  Simboli i Svastikës, dhe historia e tij 12.000 vjeçare

Për të zbuluar më shumë mbi këtë dukuri, të njëjtët studiues trajnuan kohët e fundit një grup tjetër makakësh për të arritur një objektiv të vogël lëvizës, që kërkonte lëvizje të shpejta dhe të sakta, sërish në këmbim të sasive të ndryshme të ujit me sheqer.

Këtë herë ata regjistruan aktivitetin e neuroneve në rajonin  e trurit të majmunëve që planifikon dhe zbaton lëvizjet (korteksi motorik). Dhe u zbulua se informacioni për rëndësinë e shpërblimit, ndërhynte dukshëm në sistemin e programimit motorik.

Më konkretisht, të gjitha qelizat në korteksin motorik ishin të ndjeshme ndaj pritshmërisë së shpërblimit, dhe i “akorduan” përgjigjet e tyre në përputhje me rrethanat:ato e rritën aktivitetin e tyre në pritje të shpërblimeve më të mëdha, dhe e ulën atë në pritje të shpërblimeve më të vogla.

Megjithatë, kur majmunët u përpoqën të arrinin një shpërblim edhe më të madh, ky mekanizëm u prish. Në fakt informacioni mbi planifikimin motorik, u reduktua në mënyrë drastike, duke e bërë më të vështirë kryerjen e çdo lloj lëvizje. Njëlloj siç ndodh me gjuajtjen e penalltive. / Focus/

Lexo po ashtu:  “Këto janë fakte kthjelluese”/ Pse Gjermania iu gëzua fitores së Joe Biden dhe paralajmërimi që bën ai për Rusinë