Turqia do t’u kërkojë mediave sociale me trafik të lartë interneti të caktojnë atje një përfaqësues, i cili do të shqyrtojë shqetësimet e ngritura nga autoritetet për përmbajtjen në platformat e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Reuters, e cila disponon një kopje të draftit që do të shndërrohet në ligj.

Kompanitë që nuk respektojnë masën e re mund të përballen me përgjysmimin e bandës për 30 ditë pas urdhrit të gjykatës dhe reduktimin me 95% pas 30 ditësh të tjera nëse nuk merren masa.

Ligji do të zbatohet për rrjetet e mediave sociale, në të cilat kanë akses çdo ditë më shumë se 1 milion njerëz në Turqi.

Ankaraja monitoron në mënyrë të rreptë përmbajtjen e mediave sociale, veçanërisht gjatë periudhave të tilla si operacionet ushtarake dhe aktualisht pandemia e koronavirusit.

Në tre javë deri më 6 prill, u shqyrtuan më shumë se 3 500 llogari në mediat sociale, u identifikuan 616 të dyshuar dhe 229 u arrestuan për postime “provokuese”, sipas Ministrisë së Brendshme.

Lexo po ashtu:  Sulmohet përsëri MekuliPress nga media e ish-pushteteve, Insajderi

Masat e reja, të cilat janë përfshirë në projektligj, përqendrohen në masat ekonomike për të luftuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit dhe kanë ngjallur shqetësim te përdoruesit e mediave sociale dhe analistët për shtrëngimin e kontrolleve nga ana e qeverisë për përmbajtjen e internetit. Ligji do të dërgohet për votim në Parlament javën e ardhshme.

Yaman Akdeniz, ekspert për të drejtat në internet dhe profesor në Universitetin e Stambollit Bilgi, tha se, nëse kompani të tilla si YouTube dhe Twitter nuk caktojnë një përfaqësues, ato gradualisht do të bëhen të papërdorshme në Turqi, si rezultat i masave të reja.

Nga ana tjetër, nëse këto platforma caktojnë një përfaqësues në Turqi, bllokimi i aksesit, mbyllja e llogarisë dhe heqja e përmbajtjes do të rriten në masë“, tha ai, duke parashikuar se ligji pritet të çojë në hapjen e hetimeve dhe për pasojë edhe vetëcensurim.

Kompanitë do të duhet t’u përgjigjen autoriteteve për përmbajtjen brenda 72 orëve dhe t’i vënë në dijeni për të gjithë përmbajtjen e hequr ose të bllokuar në periudha tre-mujore, thuhet në projektligj. Kompanitë gjithashtu do të duhet të ruajnë të dhënat që u përkasin përdoruesve turq brenda vendit.

Lexo po ashtu:  Shqiptaria e jeton epokën e turpit të vet politik

Nëse kompanitë nuk arrijnë t’u përgjigjen kërkesave brenda 72 orëve, ato do të gjobiten deri në 1 milion lira (148 000 dollarë), ndërsa ato që nuk raportojnë përmbajtjen e hequr ose të bllokuar apo nuk i ruajnë të dhënat në Turqi do të gjobiten deri në 5 milion lira.

Të dhënat që mbahen në Turqi do t’u lejojnë autoriteteve turke të përdorin informacionin e përdoruesve, të cilin ata nuk mundeshin ta përdornin më parë, gjë që do të çojë në rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale“, tha Akdeniz.

Në gjashtëmujorin e parë të 2019-s, Turqia kishte numrin e dytë më të madh të vendimeve gjyqësore që kishin të bënin me Twitterin, sipas të dhënave të vetë rrjetit në fjalë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *