Ditën e hënë, dy korporata farmaceutike Pfizer dhe BioNTech dhanë lajmin e mirë se vaksina e tyre ka rezultuar 90% e suksesshme kundër Covid-19. Testimet e kryera në mbi 43,000 njerëz ndezën shpresat për një dritë në fund të tunelit të gjatë e të mundimshëm të pandemisë. Megjithatë lajmi se një vaksinë që arrin të mposhtë virusin SarsCov2 ka dalë në qarkullim nuk do të thotë se i gjithë globi do ta marrë atë si dhuratë për Krishtlindje. Garantimi i efektshmërisë ishte prova e parë e zjarrit, shpërndarja te çdokush që ka nevojë për të në të gjithë botën është ajo që do rezultojë edhe më e vështirë. Dhe është pikërisht kjo pyetja që shumë qytetarë të botës dhe Shqipërisë kanë ngritur: Kur do të bien në kontakt me vaksinën?

Ditën e djeshme Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lajmëroi se Shqipëria është pjesë e një aleance prej më shumë se 180 shtetesh që kanë financuar të kenë akes te vaksina sapo ajo të jetë e disponueshme në treg. Por a është vërtetë kaq e thjeshtë që vaksina të mbërrijë në Shqipëri deri në fund të 2021?

Përgjigja e thjeshtë është varet. Janë një sërë faktorësh që do të përcaktojnë momentin kur vendi ynë do të marrë dozat e para të vaksinës së emëruar BNT162b2.

Së pari, Shqipëria është pjesë e një mekanizmit global të quajtur Covax, i cili është krijuar për të nxitur zhvillimin e shpejtë të vaksinave kandidate ndaj COVID-it, prodhimin në masë të gjerë të vaksinave të certifikuara dhe shpërndarjen e shpejtë e të barabartë për të gjitha vendet. Qëllimi i COVAX-it është që të sigurojë 2 miliardë doza për t’i shpërndarë deri në fund të vitit 2021, një sasi mëse e mjaftueshme për të ndihmuar të gjithë vendet anëtare që të vaksinojnë 20% të popullsisë së tyre dhe t’i japin fund fazës akute të pandemisë. Nëse të gjithë shtetet e globit do të ishin të anëtarësuara në këtë mekanizëm, kjo do të shuante çdo dyshim se Shqipëria do ta merrte vaksinën deri në mbyllje të vitit tjetër.

Lexo po ashtu:  A ishte memoriali për “viktimat e Gylenit” kusht që Erdogan ta pres Ramën në takim?

Janë të shumtë shtetet që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij organizmi dhe kanë bërë porositë paraprake individuale. Këtë të mërkurë Komisioni Europian ka porositur 300 milionë doza për 27 vendet e bllokut, ndërsa SHBA pritet të marrë 100 milionë dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të porosisë 40 milionë. Nëse aprovohet kërkesa e tyre atëherë sasia që do të mbetet për vendet e tjera do të jetë tepër e vogël. Duke marrë parasysh që Pfizer dhe BioNTech kanë deklaruar që do të prodhojnë 50 milionë doza deri në fund të 2020-tës dhe 1.3 miliardë deri në mbyllje të 2021-shit, nëse shtetet që do të ofrojnë më tepër para do të marrin vaksinën të parët, sasia e mbetur për 184 vendet e COVAX-it por edhe për shtete të tjera joanëtare por që duan ta përfitojnë atë, është shumë e vogël.

Sa shpejt mund të presim një vaksinë kundër koronavirusit?

Pfizer dhe BioNTech kanë premtuar afro 1.3 miliarë doza por fatkeqësisht kjo nuk është mjaftueshëm. Për këtë arsye sytë janë kthyer sërish të shkencëtarët për të zhvilluar alternativa të tjera përveç vaksinës që arriti të sigurojë 90% efektivitet në mposhtjen e virusit. Kështu, Rusia thotë se provat e vaksinës së saj Sputnik-V kanë treguar shenja pozitive tek pacientët dhe e ka hedhur vaksinën për përdorim publik vijon me tesimet. Kina thotë se ka zhvilluar një vaksinë të suksesshme që po vihet në dispozicion të personelit të saj ushtarak. Prodhuesi britanik i ilaçeve AstraZeneca, i cili ka licencën për vaksinën e Universitetit të Oksfordit, po rrit kapacitetin e saj global të prodhimit dhe ka rënë dakord të furnizojë 100 milion doza vetëm në MB dhe ndoshta dy miliardë për mbarë botën – nëse do të jetë e sigurt. Por ndërkohë ka me dhjetëra kompani të tjera farmaceutike me prova klinike në proces.

Lexo po ashtu:  Finlanda po ndërton një mur 200 km në kufirin e saj me Rusinë

Kush do të vaksinohet i pari?

Megjithëse kompanitë farmaceutike e krijojnë vaksinën, ata nuk mund të vendosin se kush vaksinohet i pari. Meqenëse furnizimi fillestar do të jetë i kufizuar, zvogëlimi i rasteve më imediate dhe mbrojtja e personelit shëndetësor ka të ngjarë të ketë përparësi. Duke ndjekur planin e mekanizmit global COVAX, pjesë e të cilit është dhe Shqipëria, mendohet se nëse sigurohen aq shumë vaksina sa për të mbuluar 20% të popullsisë, përparësi do tu jepet personave mbi 65 vjeç dhe grupeve të tjera të prekura. Pasi të gjithë të kenë marrë 20%, vaksina do të shpërndahet sipas kritereve të tjera, siç janë cenueshmëria e vendit dhe kërcënimi i menjëhershëm i Covid-19.

Si do të ruhet dhe shpërndahet vaksina?

Vaksina që mban emrin BNT162b2, që ka rezultuar 90% efektive në luftën kundër koronavirusit duhet të ruhet në një temperaturë konstante prej të paktën -80oC. Ministrja e Shëndetësisë ka thënë se Shqipëria i ka siguruar kapacitetet frigoriferike për të mbajtur rezervat e para të vaksinës, pas specifikuar se sa mund të përballojnë këto frigoriferë.

Lexo po ashtu:  Kush janë 10 Flamujt më të vjetër në botë – Në renditje edhe flamuri ynë i bukur Shqiptar

Teksa qeveritë e vendeve të mëdha kanë vënë bastet e tyre për disa vaksina të mundshme duke bërë marrëveshje për miliona doza me një sërë kandidatësh përpara se ndonjë gjë të jetë certifikuar zyrtarisht, dozat në qarkullim për shtetet më pak “të favorizuara” sa vijnë e pakësohen. Ndonëse rrjete si Covax janë zotuar për një shpërndarje të barabartë të vaksinave, vende si Shqipëria mund t’ju duhet të presin përtej 2021-shit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *