Yll i fatit mbi ty qeshur ka, moj lule,
Hiri i Zotit po të rrit ty me pekule.
S’janë sy, moj, por dy yje ata dy,
Është hënë, s’është ball’ai mbi ty.
Ajo gojëz, ato faqe sy e flokë
Dritë qiejsh janë rënë te kjo tokë
Nga lulishtja e parajsës lule je,
Në fytyrn’e nuses zbritur ke mbi dhé
Kjo ëndje, ky gazmend, kjo hijeshi,
Këto naze, ky shkëlqim, këto veti;
Që nga qiejt kanë rënë, o faqedritë,
Kopsht’i mermë je nga ngjyrat dhe stolitë.

Nga fytyra që ke ti, moj meskëputur,
Skuqet, zverdhet e livadhit faqja-e bukur.
Pse je ti, asnjë burbuqe s’ka këtu,
Shkatërruar… bathra krejt nga syt’e tu.
Nga cullufi yt zymbyli krejt shpërndarë,
I penduar që s’u fsheh, moj, që më parë.
Buza jote trëndafilin la në turp,
Mbushur lulet plot me gjakn’e tëndit trup.
Ndër kaq lule që ka e Tokës hapësira
Je m’e mira, je m’e mira, je m’e mira!
Ti më shkon si Afërdita, nazemadhe,
Posi zana ti më bredh, moj, ndër livadhe.

Lexo po ashtu:  “1984” nga George Orwell, libër që duhet lexuar

Gjithë hiret që ka kupa kaltëroshe
Falur ty ti ka moj imja bukuroshe.
Yll a ëngjëll qofsh, o vashëzë Edeni.
Bukuroshe, nazemadhe të të kemi.
Nga ky shtati yt i bukur si ergjënd
Dhe nga nuri i të ecurit, moj, tënd,
Nga dy buzët luleshegës, gëzimplote,
Dhe nga faqet, dhe nga supat, qafa jote,
Si edhe nga ngjyrat, lulet farë-farë
Dhe nga zogjtë kokrrambledhës, këngëtarë;
Plot me gaz m’u mbush kjo zemra e mjerë
U ndërtua dhe u çel posi pranverë.
Ky vështrim, moj, dhe kjo jotja bukuri
Kjo fytyrë që tregon, moj, kaq çudi.

Ecja, nazet, kjo nënqeshje dhe kjo pamje,
Që të josh e që në shpirt s’të lë ofshamje,
Kopshti, kroi dhe pranvera me stolitë,
Qielli mbushur me të fshehta dhe me dritë,
Këta zogj vjershëkëndonjës, kjo pyllishte
Këto suka dhe këjo trëndafilishte.
Gaz m’i falën shpirtit tim q’u mbyt lotë,
Por ç’e do se gaz përjetë s’ka në botë
Se asgjë nuk ka këtu përjetësi;
Mëngjes, verë, bukuri e djalëri:
Si i kroit ujët shkojnë pa pushim
Asnjë gjë nuk rron përjetë, ah, ç’mjerim!

Lexo po ashtu:  Të gjallëve

Naim Frasheri /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *