Lajmi për vdekjen e gjykatëses së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg, të premten, është titulli kryesor në mediat amerikane. Një zë i fortë i të drejtave të grave si dhe zëri kryesor liberal i Gjykatës së Lartë, Ginsburg me largimin e saj krijon një vakum që i jep shans presidentit Trump për të zgjeruar shumicën në këtë gjykatë vetëm dy muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Ginsburg vdiq në moshën 87-vjeçare nga kanceri në pankreas. Ajo është emëruar në vitin 1993 nga Presidenti Bill Clinton dhe vitet e fundit ishte anëtarja më e vjetër e krahut liberal të gjykatës. Ajo ka mbajtur qëndrime progresive për çështjet sociale që kanë ndarë vendin, që nga e drejta e abortit, martesat e të njëjtit seks, e drejta e votës, imigracioni, kujdesi shëndetësor etj.

Analistët politikë e shohin largimin e saj si një mundësi që i jepet Trump-it për ta zhvendosur vëmendjen nga mënyra sesi është menaxhuar deri tani situata e pandemisë që u ka marrë jetën gati 200 000 amerikanë. Gjithashtu, largimi i Ginsburg galvanizon si bazën konservatore të Trump-it, ashtu edhe demokratët që ia kanë frikën një ndryshimi të ekuilibrave të pushtetit në Gjykatën e Lartë.

Lexo po ashtu:  Takimi i Kryeministrit në ShBA: 200 milionë dollarë për projektin më të madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi

Kjo do të gjenerojë një betejë titanike. Mund të ndikojë seriozisht në zgjedhje ”, thotë David Gergen, këshilltar politik, i cili u ka shërbyer katër presidentëve amerikanë, si republikanë, ashtu edhe demokratë.

Trump, i cili kërkon një mandat të dytë në zgjedhjet e 3 nëntorit, tashmë ka caktuar dy konservatorë në postet e përjetshme në gjykatë, Neil Gorsuch në 2017 dhe Brett Kavanaugh në 2018.

Lëvizja pas vdekjes së Ginsburg ka nisur menjëherë. Udhëheqësi i shumicës së senatit republican, Mitch McConnell, tha të premten se do të veprojë në bazë të ligjit me çdo nominim që i vjen nga Trump, ndërsa demokratët kanë kërkuar që vendi I saj të mbetet vacant deri pas 20 janarit, kur bën betimin fituesi i zgjedhjeve presidenciale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *