Q Ë N D R E S A

Oh, jeta përnjimend me rrena e vaj
plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
si zjarri i bamë me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue
e zemrën të forcon;
ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
mjerë ai qi nuk duron!

Luigj Gurakuqi

Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.

Lexo po ashtu:  Telefoni më i shitur i 2019-ës mund tju surprizojë

Në vitet 1921-1923 L.Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i F. Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.

Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. F.Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.

Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.

Lexo po ashtu:  Kush janë 5 gjuhët më të mësuara sot dhe pse duhet të dini më shumë se dy gjuhë

L.Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.

L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912).

Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.

Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.

L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe. — përgatitur nga: Denis Zavalani 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *