E veja e heroit Bajo Topullit pa punë?

Më 1 nëntor 1932 Merushe Topulli, e veja e heroit Bajo Topulli, i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë me një lutje, ku kërkon të merret në punë si infermiere.

Në mos qoftë e mundur kjo, është gati të shërbejë pa pagesë kudo që ka nevojë shteti dhe atdheu. Pranë kësaj lutjeje gjejmë edhe dy dokumente të tjera, datuar pak ditë më herët se lutja në fjalë.

Njëri është emërimi i Merushes në pozicionin e kryeinfermieres së Dispancerisë së fshatit Ardenicë, kurse tjetri konfirmimi se Mirushja mbërriti në vendin e punës dhe filloi punën normalisht.

Brenda më pak se 1 muaji e sapoemëruara mbetet sërish pa punë, për arsye që praktikën dokumentare nuk na e sqaron.

Merushe Topulli, e lindur në Kaukaz, shtetase osmane, u njoh dhe u martua me Bajo Topullin në vitet 1920-22, kur ky ishte me punë në Stamboll.

Erdhi bashkë me të në Gjirokastër kur Bajo Topulli u emërua kryetar i Bashkisë më 1925. Nga martesa nuk patën pasardhës. Për asrye të paditura, një vit para vdekjes së tij, më 1929, Bajo dhe Merushe Topulli nuk jetuan më bashkë.

Pas Luftës II Botërore Merushe Topulli nuk gëzoi asnjë privilegj nga statusi i heroit që kishte i shoqi. Përkundrazi, u dënua nga regjimi totalitar me burgim dhe punë të detyruar,dhe vdiq e vetme.

KUSH ISHTE BAJO TOPULLI?

Qysh 11 vjeç Bajo niset për të studiuar në Stamboll, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Sipas këshillave të tyre ai hidhet në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, duke qenë se ndodhej mes dy zjarresh, atij turk e atij grek. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër.

Lexo po ashtu:  O shokë, ç’u prish dynjaja, - – Çajupi

Gjatë qëndrimit të Bajos në Manastir solli ngritjen e “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhi rreth vetes patriotë shqiptarë. Në nyjën (nenin) e parë të Kanonizmës së komitetit thuhej se “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinëkombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”. Disa muaj më pas do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave).

Lexo po ashtu:  Letrat e pabotuara të babait të Hitlerit: Ja si Alois Hitler e nxiti djalin e tij të bëhej përbindëshi që e njohin të gjithë

Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave të gjuhës shqipe.

Të dhënat janë të pakta për aktivitetin e Bajo Topullit pas shpalljes së Pavarësisë. Mësohet se për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Thuhet se shërbeu si vali e prefekt. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër. Gjirokastritët shënuan kandidaturën e tij si kryetar bashkie, edhe pse Bajo, tashmë i sëmurë nuk e dëshironte një gjë të tillë. Megjithë fushatën e shkurtër, Bajo Topulli zgjidhet kryetar Bashkie, të cilën e drejtoi për tri vjet. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash. E nisi që me pritjen e popullit në zyrat e bashkisë, pastërtia e qytetit, tregjeve, kontrolli ushqimor, ndriçimi, marrja nën kontroll e rendit publik, përkrahja e familjeve të varfëra, caktimi i ndihmave sociale, ngritja e shkollave, regjistrimi i të gjitha fëmijëve, heqja e ferexheve tek gratë, shpallja zyrtarisht e së dielës ditë pushimi, etj. Gjithashtu ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionere tregtare në Shqipëri, e cila u quajt “Dele”, me sekretar të riun Hasan Dosti.

Lexo po ashtu:  Karl Gega, shqiptari që gjendet i varrosur afër Mozartit, Beethovenit dhe Schubertit…

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra. Sikundër thotë i madhi Leonardo da Vinçi:

Sikur njeriu gëzon muzgun e mbrëmjes pas një dite me punë plot, ashtu dhe vdekja është lumturi në fundin e jetës pas një jete të përdorur mirë”, ashtu edhe ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”. Kështu do të shprehej për Bajo Topullin, Eqerem Çabej në fjalën e lamtumirës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *