Prof. dr. Hajri Shehu

Për të gjitha gjuhët, çështja e pastërtisë ka rëndësi të madhe. Për gjuhën shqipe është jetike. Ne nuk jemi ksenofobë. Por njeriu pyet: Përse në Tiranë të sheh syri Caffe / Coffee, Candy, Boutique, Travel Agency etj.? Ne nuk jemi as puristë. Por këtu nuk bëhet fjalë për purzëm. Këtu bëhet fjalë për vërshim fjalësh të huaja të panevojshme. Nuk na vjen mirë ta themi, por nuk mund të mos e themi: Tirana dhe rrugët e Tiranës janë prajtur (infektuar) keq me këso tabelash e reklamash. Ja edhe ca shembuj të tjerë: Twin Towers; Sole Travel and Tours; OK Travel; International Travel and Tours; Parfums de France; Outlet Shoes; Luxury; Delight; On Time; Unique Gift Shop etj. etj. Ka edhe Fox ? Dhelpra). Ka edhe Tirana Grill e Tobacco Shop se nuk i paska shqipja skarë e duhan (!) e New Tirana Flower (siç shihet, një përkthim, tashmë nga shqipja Tirana e Re + Lule).

Sepse edhe lule nuk ditkemi ta themi ne shqiptarët (!). Edhe Zogun e Zi e kemi përkthyer Black Bird(!). Shihni edhe sajesën Grand Pazar. Habia më e madhe është se ka edhe Barber e Barber’s Shop (sepse duket, i gjori njeri do që të duket sa më i huaj e nuk thotë e nuk shkruan dot berber(!) a rrojtar e rrojtore ose floktar e floktarí. I njëjti problem është edhe me reklamat.

Lexo po ashtu:  Kosova nuk e çoi në vend “amanetin” e Bill Klintonit! - “Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen”

Gjuhësisht, këto mënyra të thëni janë ndërhyrje arbitrare në gjuhë e thyerje e normës letrare. Dhe ndërhyrjet arbitrare e thyerja e normës letrare janë të papranueshme. Gjuha nuk është si arra e pazarit, ku kushdo mund të gjuajë me gur. Gjuha nuk është vetëm e pronarëve të tabelave. Është e ne të gjithëve. Tabelat e reklamat qytetëse të llojit të mësipërm mund të konsiderohen edhe si një rrugë për institucionalizimin e arbitrariteteve në gjuhën standarde dhe e thyerjes së normës letrare sepse ato vijnë nga një zyrë shtetërore regjistrimi e sepse qyteti jeton me to orë e çast.

*Shkëputur nga shkrimi me titull “Të mbrojmë gjuhën tonë shqipe!” – gazeta Dita

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *