Efektet e sjelljeve të udhëheqësve shkojnë përtej marrëdhënies me elektoratin. Nga Henriku VIII tek telashet e Berluskonit dhe mospërmbajtjet e Hollande: kostot ekonomike të zgjedhjeve (i)morale.

Mbetet të pyesim: përse e bëjnë? Nëse dikush është në kulm të pushtetit dhe suksesit, luan gjithçka për kënaqësinë, përgjigja më e vërtetë është ndoshta mërzija. Ata që kanë komandën mërziten për vdekje, politika është një inerci pa pushim, ashtu si burgu.

Gjëja më e çuditshme është që tani François Hollande akuzohet për “impotencë”. Jo në atë kuptim, natyrisht, pasi presidenti francez duhet të jetë në kulmin e parabolës së tij prej mashkulli alfa: katër fëmijë me një grua, që e la për një grua më të re, të cilën edhe atë e la për një edhe më të re, dhe çdo herë me atë lloj mashtrimi që vetëm tradhëtarët serialë janë në gjendje ta bëjnë. Por “impotenca” (pafuqia) është e kundërta e “gjithëpushtetshmërisë” dhe në të gjithë Europën perëndimore nuk ka udhëheqës më pranë gjithëpushtetshmërisë se sa presidenti i republikës franceze, që nga konstitucionalistët quhet një “monark republikan”.

E megjithatë, papajtueshmëria e liderit të gjithëpushtetshëm që bëhet i pafuqishëm shkon përsosmërisht me njeriun e vogël që, i veshur me një kostum blu presidencial, përpiqet të adoptojë një ton gjatë konferencave të shtypit të thirrura për të folur për fatet e Francës, por që në të vërtetë janë të rëndësishme vetëm prej asaj që do të thonë për Julie Gayet dhe Valerie Trierweiler, me brirë dhe hape gjumir, e mbi të gjitha për ata “pa dhëmbë”, siç i quan privatisht të varfërit presidenti socialist. Hollande shfaqet tashmë vërtetë i pafuqishëm. Nuk mund të bëjë asgjë për të ndalur zbulimet e një gruaje të plagosur dhe mediave që do ta transformojnë imazhin e tij në objekt talljeje. SI pasojë, nuk mund të ndajë funksionin publik nga privatja, Francën nga krevati i tij.

E çfarë mbetet, në një rast të tillë, nga një president?

Kjo pyetje u bë në verën e 2011-ës edhe për Silvio Berluskonin, dhe përgjigja dihet: nga kryeministri nuk mbeti asgjë. Por atij nuk iu dha, prej kulturës dashamirëse dhe vetero-feministe lehtësimi i pafuqisë, as edhe kur e shoqja, Veronica i bëri të njëjtin trajtim si Trierweiler. Përkundrazi. Haremi i Berluskonit u quajt më shumë një shfaqje arrogante e një pushteti pa kufi, patriarkal dh ei dhunshëm, që përdor seksin si dëfrim për oborrin: “Seksualiteti si protezë e pushtetit dhe pushteti si protezë e seksualitetit”, shkruante Ida Dominijanni. Për “erotizimin e pushtetit” shkruajti edhe filozofi Zizek. Pjesën tjetër e bëri fraza e Ghedinit për “përdoruesin përfundimtar”. Pra, bëhesh pluhur e hi prej pafuqisë, apo prej delirit të gjithëpushtetshmërisë? Dhe kjo kundërshti e sofistikuar nuk është ripozicionimi i radhës i dilemës së lashtë, nëse është më mirë të komandosh apo të dështosh. Përgjigja është e mbushur me pasoja, deri edhe ekonomike. Sepse nëse seksi i liderëve jep pafuqi politike, atëherë ai që vuan është kombi. Dhe ky është leksioni vërtetë i madh i kohëve tona.

Lexo po ashtu:  - E sheh atë plakun atje?

Privatja e të pushtetshmëve ka bërë gjithmonë histori. Antoni nuk mund të kishte të dyja, edhe Romën, edhe KLeopatrën. Henriku VIII donte t’i kishte të dyja, edhe Kishën, edhe Bolenën. Vetë Rilindja italiane, u lehtësua prej magjepsjes që kontesha e Kastiliones, e manovruar me aftësi prej kushëririt Cavour, ushtroi mbi Napoleonin III (gjithmonë këta francezët). Edhe periudha pas De Gasperit në Itali do të kishte qenë ndryshe, nëse djali i ministrit të Jashtëm, Piccioni, nuk do të kishte përfunduar në procesin për vdekjen e VIlma Montesi, vajza që u gjet pa jetë dhe pa tiranda në bregun e detit në Torvaianica pas një nate orgjie.

Por në të gjitha këto histori mungonte ende përbërësi shpërthyes që e bën sot privaten menjëherë politike: diktatura e opinionit publik. Të pushtetshmit mëkatonin që çke me të, njësoj apo edhe më shumë se sa të sotmit, por 1) pak vetë e dinin dhe 2) askush nuk gjykonte. Vetëm me ardhjen e demokracisë së publikut, që voton përditë përmes sondazheve, sjellja seksuale e atyre që na qeverisin është bërë, përveç se mall konsumi popullor, edhe kriter vlerësimi, matës për seriozitetin, ndershmërinë dhe sinqeritetin. Pra, duket se seksi përmban sot një “aftësi zbuluese për llojin e komandës së politikanit”, ka shkruajtur Ciro Tarantino tek “Dhe mishi u bë fjalë”. Dhe nuk është vetëm faji i vëllait të madh mediatik dhe rrjeteve socialë.

Lexo po ashtu:  Të ikësh si Vjosa Osmani. Vjosa irritohet dhe bëhet nervoz shpejt.

Eshtë fakt që politikanët kanë bërë praktikisht gjithçka që kjo të ndodhte. Në numrin e fundit të “Revista politike”, Mauro Calise flet për Matteo Renzin dhe analizën e tij për “partinë personale dhe dy trupat e liderit”, duke e quajtur atë ku jetojmë, si “shekulli monokratik”. Ilvo Diamanti flet madje për “qeveri personale”. Të dy sinjalizojnë personalizimin e skajshëm të komandës që udhëheqësit e rinj e kanë zgjedhur si mjet komunikimi me publikun, duke e zotëruar deri tek intimja. Eshtë një proces që në Europë e nisën Tony Blairi dhe Silvio Berluskoni, por që tani është i pakthyeshëm. Kreu politik kërkon që të pranohet dhe gjykohet për atë që është, jo për partinë që udhëheq apo programin që propozon. Ofron një shkëmbim besimi. Eshtë e pashmangshme pra që një falimentim i personalitetit të shndërrohet në një falimentim politik, dhe që opozitës i mbetet vetëm “vrasja e karakterit”.

Një udhëheqës që gënjen të dashurën mund të gënjejë edhe vendin e tij. Një lider që manipulohet prej stimuluesve seksualë për të gjallëruar mbrëmjet, mund të manipulohet edhe kur ndjek interesin kombëtar.
Duhet shtuar që ky gjykatës i ri, opinioni publik, edhe ai vetë i gjithëpushtetshëm, është tashmë global dhe i ndërvarur. Dhe mund të kuptohet përse taksapaguasit gjermanë e kanë konsideruar të rëndësishme për fatin e krusimeve të tyre të zbulonin se si i kalonte mbrëmjet kryeministri italian, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane hidhte miliarda euro për borxhin publik të Italisë. Berluskoni nuk u rrëzua prej Rubi zemër-rrëmbyeses, por pa Rubyn me siguri do të kishte shmangur atë të qeshurën nën hundë mes Sarkozysë dhe Merkelit. Po kështu, sot Franca e Hollande ka më shumë vështirësi që Europa t’i falë defiçitin e saj të tepruar, tani që presidenti i saj është i gjymtuar nga skandali, dhe mbështetja për të është vetëm 13%. Nëse marrëdhëniet mes kombeve që ndajnë kufijtë, monedhën dhe tregjet janë domosdoshmërisht të bazuara në besimin reciprok, atëherë kredibiliteti shndërrohet në një faktor vendimtar. Dhe kredibiliteti i një vendi tashmë varet shumë nga reputacioni personal i liderit të tij.

Lexo po ashtu:  Dyzet vite pushtet! Si Enveri!

Të strehuara në sovranitetin kombëtar të dikurshëm, lajthitjet seksuale ishin më të mbrojtura (Mitterrand kishte një familje të dytë dhe një vajzë të paligjshme, por nuk pati pasoja). Në një Europë me sovranitet të kufizuar, standartet anglosaksonë të etikës publike kanë mbizotëruar, bashkë me gjuhën angleze dhe teoritë neoliberale në ekonomi. Edhe në shtrat, Franca nuk gëzon më veçantinë kulturore. Pastaj, është përsëritëse: Hollande është president vetëm sepse Sarkozy i kishte lodhur francezët me historitë e ti me gra dhe Dominique Strauss-Kahn ua kish sjellë në majë të hundës me mënyrën si i kapte gratë.

Mund të projektosh madje edhe një model matematikor, një lloj kurbe të Lafferit për seksin, për të matur pasojat makroekonomike të skandaleve. Do të shihej që ankthi për të rifituar kredibilitetin e humbur zakonisht i shtyn liderët drejt një rrëshkitjeje djathtas, drejt rreptësisë buxhetore dhe politikave të ofertës. Hollande, për shembull, ka shpallur dy kthesa në politikën ekonomike që përkojnë me daljen e problemeve të tija private. I pakti ishte i ashtuquajturi “pakt i stabilitetit”, që premtonte shkurtimet në shpenzime publike për të ulur taksat mbi sipërmarrjen. Për socialistin që donte të rikthente Keynesin në Europë, konvertimi në kerkantizëm shkaktoi skandal, por gjithësesi më pak se zbulimet e revistës “Closer” mbi marrëdhënien e tij me Julie Gayet. Herën e dytë ndodhi me largimin e ministrit Montebourg dhe nga krahu i majtë i qeverisë, pikërisht kur po dilte libri-vrasës i Valerie. Nga ana tjetër, edhe skandalet e Berluskonit përshpejtuan kthesën drejt rreptësisë fiskale të qeverisë Monti. Pothuajse sikur mëkati duhet të shoqërohet gjithmonë me shlyerjen.

Mbetet pyetja: përse e bëjnë? Nëse dikush është në kulmin e pushtetit dhe të suksesit, luan gjithçka për kënaqësinë, pak a shumë jetëshkurtër, duhet kuptuar përseja. Dhe përgjigja më e vërtetë, ndoshta, është mërzija. Njerëzit me pushtet mërziten për vdekje. Veprimtaria politike është quajtur me të drejtë një inerci pa pushim: e njëjta shprehje që përdoret zakonisht për shërbimin ushtarak, apo për jetën në burg. Kërkimi për hapësira dëfrimi, në këtë rast, bëhet fiksim. Varësia nga seksi është një sëmundje profesionale e politikanit.  /Antonio Polito /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *