Lëvizja Vetëvendosje ka ofruar mbështetje për “Marshin për Drejtësi”, që pritet të organizohet më 2 prill, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve të hënën do të fillojë gjykimi për krime lufte në Hagë.

Në një shkrim në Facebook, VV-ja ka thënë se liria dhe shteti që është sot, gëzohet falë luftës çlirimtare, UÇK-së, dëshmorëve dhe martirëve.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Drejtësi që do të mbahet këtë të diele me 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti. Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë”, ka shkruar VV-ja.
Kjo parti ka përmendur ish-shefin e grupit të vet parlamentar, Rexhep Selimin, që është një nga katër figurat kryesore të UÇK-së që ndodhen në Hagë, krahas Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës”, thuhet në njoftimin e VV-së. “Ne jemi të bindur se ata do ta tejkalojnë me faqe të bardhë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur”.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti në Krushë të Madhe: Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë

Marshi do të organizohet të dielën me fillim prej orës 14:00. Deri tash të gjitha partitë politike i kanë ofruar mbështetje marshit, përpos Lidhjes Demokratike që s’ka dalë me qëndrim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *