VITI 1981 –  REVOLTAT NË KOSOVË

Dr. Perlat Çaushi

Siç dihet, në pranverën e vitit 1981 plasën revoltat në Kosovë. Nuk kam ndërmend që ta trajtoj këtë ngjarje në tërë gjerësinë e saj. Po ndalem vetëm në disa momente.

Në sheshet e Kosovës protestuesit dolën me parullën “Kosova Republikë”. Enver Hoxha u ndodh i befasuar, jo sepse nuk ishte i infromuar nga Ministria eBrendshme, apo strukturat e saj, por për ca arsye të tjera që do të shtjellohen më poshtë.. . .

Të gjitha strukturat shtetërore dhe partiake në Shqipëri prisnin me ankth një qëndrim zyrtar mbi këto ngjarje. Aq më shumë në pritje të një qëndrimi ishin vëllezërit kosovarë.  Për ditë me radhë, shtypi, radioja dhe televizioni Tiranës jepnin lajme me ato që ndodhnin në Kosovë, por nuk jepnin asnjë dritë sesi duheshin vlerësuar ato. Të paktën, nuk iu dha një orientim as strukturave të tilla si Ministrsë së Jashtme, asaj të Brendshme e të tjerave. Mbase gaboj në saktësi, por pas rreth tetë ditësh, u botua një artikull në “Zëri i Popullit”, ku shprehej përkrahja ndaj këtyre revoltave dhe ndaj të drejtës sublime për “Kosovën Republikë”.

Lexo po ashtu:  Jelekët e Verdhë djegin restorantin e “Miterrand dhe Sarkozy”

Deri në këtë moment, në dyert e ambasadave tona, sidomos në vendet perëndimore, si dhe në strukturat e zbulimit, pati shumë të “trokitura” nga vëllezërit tanë kosovarë të shtresave të ndryshme, individë apo përfaqësues grupesh, që kërkonin të merrnin miratimin nëse ishte e arsyeshme që të delej me parullën “Kosova Republikë”.

Disa herë, së paku nga Drejtoria e Zbulimit, i është kërkuar Komitetit Qëndror që të jepej  një orientim se çfarë përgjigje u duhej dhënë shqiptarëve të Kosovës. Asnjëherë nuk u dha një përgjigje e saktë dhe e prerë. . .

Pas ngjarjeve udhëheqësi ynë formuloi një platformë, e cila për shkak të karakterit sekret, iu bë e ditur shumë pak kuadrove. Edhe atyre iu tha që ajo ishte përgatitur vetëm për t’u lexuar.

Nuk u lejua që të mbaheshin shënime.

1.      Shpallja e Kosovës Republikë më vete, nën suazën e federatës jugosllave.

2.      Bashkimi me Kosovën i të gjitha viseve të tjera shqipfolëse në një republikë të vetme, gjithmonë brenda federatës jugosllave.

3.      Pasi të arrihej kjo, organizimi i një referendumi për shkëputje nga federata.

4.      Bashkimi me Shqipërinë.

Pra, kjo platformë, në dallim nga e kaluara, pranonte shpalljen e Kosovës republikë, dhe, si të thuash, llogariste hapat për një “Shqipëri të Madhe”. Sepse, arritja vetëm e statusit Republikë për Kosovën, qoftë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë, do të ishte zgjidhje gjysmake.

Lexo po ashtu:  LVV nis mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhje edhe jashtë Kosovës

Sigurisht, në kushtet e atëhershme, këto hapa përbënin vetëm një utopi. Jugosllavia nuk do të lejonte kurrë, qoftë edhe vetëm dhënien e statusit të dëshiruar Republikë për Kosovën.

Sigurisht ka edhe shumë faktorë, por ajo që i dha tatëpjetën federatës dhe i hapi rrugën shpërbërjes së saj, ishte shpërthimi i problemit kosovar.. . .

Kohë para se të shpërthenin revoltat, Drejtoria e Zbulimit hartoi një relacion të hollësishëm mbi gjendjen në Kosovë në të gjitha fushat dhe në veçanti në atë politike. Me fakte konkrete gjendja paraqitej shpërthyese. Nuk evidentohej vetëm data ekzakte, se kur do të filloninj revoltat, por këtë ndoshta nuk e dinin as vetë organizatorët kosovarë. Materiali iu paraqit ish ministrit Feçor Shehu, për t’ia dërguar Enver Hoxhës. Meqë materiali ishte disi i gjatë, në mos gaboj, arrinte rreth pesëdhjetë faqe,u shkurtua, u përmblodh, dhe u dërgua në destinacion.

Të dhënat pët gjendjen shpërthyese në Kosovë, dërgoheshin edhe nga Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit, të mbledhura nga thyersit e kufirit dhe burime të tjera të hapura dhe të mbyllura. Po kështu, të dhëna dërgoheshin edhe nga Drejtoria e Zbulimit e Ministrisë së Mbrojtjes, ku nga më të rëndësishmet ishin ato që grumbulloheshin nga pikat e radio-përgjimit rreth e rrotull kufirit që flisnin për lëvizje forcash në drejtim të Kosovës, apo nëpërmjet zbërthimit të kodeve, me anën e të cilave repartet jugosllave komunikonin me njeri tjetrin.

Lexo po ashtu:  Një mandat i pestë për Angela Merkel?

Shënim: Marrë me shkurtime prej librit”Kush e vrau Mehmet Shehun?”, Tiranë, shkurt 2020, me autor  “Doktor i shkencave” Perlat Çaushi, i cili ka punuar në organet e kundërzbulimit të shtetit shqiptar, dhe më pas ka qenë katër vite kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në rrethin e Vlorës; vitet më tej aktivizohet në shërbimin diplomatik, në ambasadën shqiptare në vjenë, Beograd dhe Pekin. Pas përfundimit të misionit diplomatik në përfaqësitë jashtë shtetit, ai rikthehet në atdhe dhe merr emrimin Drejtor i Drejtorisdë së Zbulimit, dislokuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme deri në vitin 1982.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *