Në momentet që partia po i rrëshqet nën këmbë, Lulzim Basha mori sot të gjithë vëmëndjen dhe afeksionin që zv.ndihmës sekretari i shtetit Gabriel Eskobar mund t’i japë brenda një vizite disa orëshe në Tiranë. Sinjalet se do ta trajtonin si të përkëdhelurin e tyre, amerikanët ia dhanë një ditë para, kur publikuan axhendën e takimeve.

Si fillim ishte renditja që iu bë Bashës në axhendë, kur iu la i pari një takim me Escobar. Zakonisht, gjatë vizitave të tilla, zyrtarët e lartë planifikojnë takimet me krerët e institucioneve dhe në fund kalojnë nga selitë e partive të opozitës. Këtë radhë ndodhi e kundërta. Me Ramën, takimi u zhvillua disa orë më vonë.

Një detaj tjetër ishte fakti që në hollin e selisë së PD-së, Gabriel Eskobar qëndroi dhe foli para gazetarëve pas takimit me Lulzim Bashën. Vërtet, ai tha veç disa fjali kortezie, por në situatën ku është Basha, nuk është rastësi.

Së fundmi, Eskobar artikuloi publikisht ftesën për ta pritur Lulzim Bashës në Ëashington. Një tjetër shkelje syri për kreun e Partisë Demokratike, tregues i zemërgjerësisë me të cilën ambasada në Tiranë kishte vendosur ta trajtonte atë sot.

Lexo po ashtu:  Besa nuk u paragjykua, por thjeshtë nuk ishte për atë punë

Detajet e protokollit tregojnë jo vetëm mbështetjen pa doreza të administratës së SHBA për Bashën, por edhe nevojën që ai ka në këto momente delikate për këtë mbështetje.

Çështja është që mesazhet që i vijnë nga Foltorja janë aq të ashpra, saqë sinjalet diplomatike si këto të vizitës së Escobar nuk mjaftojnë. Në vend të një atmosfere përkëdheljesh dhe ngrohtësie, Basha sot ka nevojë për një mburojë nga rrebeshi që e pret në 11 Dhjetor ose më pas.

Prandaj ai foli sot për qëndrime të tjera që amerikanët, sipas tij do të mbajnë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë dhe që shqiptarët do t’i dëgjojnë vetë nga Escobar, siç tha ai. Ndërkohë përgatitjet kanë nisur për Kuvendin në stadiu dhe nëse Escobar nuk nxitohet, atëherë mijëra delegatët që Berisha ka thirrur e kanë bërë të qartë, që kuvendi nis në Air Albania por përfundon tek selia e PD-së./Lapsi.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *