Sot gjatë ditës kam vizituar disa prej punonjësve të rendit në Policinë e Kosovës, të cilët janë në vijën e parë të frontit kundër përhapjes së virusit corona, njësoj sikur edhe punonjësit e shëndetësisë.

Bashkë me Xhelal Sveçlën, ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Rashit Çalajn, drejtorin e Policisë së Kosovës vizituam tre institucione të rendit publik.

Në Qendrën Komunikuese të Policisë së Kosovës pranohen thirrjet nga qytetarët dhe planifikohet përgjigjja e shpejtë për kërkesat, ankesat dhe denoncimet e tyre. Ndërsa në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar projektohet dhe zbatohet plani për kontrollin e hyrje-daljeve në kufi, të cilat tashmë janë shumë të kufizuara për njerëzit, shkaku i pandemisë, por jo edhe për mallrat. Vizita e tretë ishte te Qendra Operative e MPB-së, prej nga mbahet nën monitorim situata e rendit publik në gjithë Kosovën, dhe merren masat për zbatimin e vendimeve qeveritare në situatën e emergjencës shëndetësore të shpallur tashmë nga qeveria.

Në të tre institucionet puna është shtuar, përgjegjësia është më e madhe. Por, falë bashkëpunimit të qytetarëve me policinë dhe qeverinë, gjithçka po menaxhohet në mënyrë shembullore e të suksesshme. Policia ende është duke punuar me orarin 8-orësh dhe me kapacitetet e përgatitjet e saj është duke e përballuar shumë mirë me të gjitha sfidat.

Lexo po ashtu:  Fakte trishtuese zbulon avokati Tomë Gashi: Astrit Dehari ishte goditur në ballë me boks të hekurit

Mantelbardhët janë heronjtë tanë, por edhe puna e uniformave të kaltra nuk është më pak heroike. I përgëzova ata për profesionalizmin dhe përkushtimin, e mora prej tyre miratimin se vendimet e qeverisë e këshillat e profesionistëve po zbatohen.

Së bashku, me qeverisje demokratike e disiplinë qytetare, shkencë e profesionalizëm, do ta mundim virusin, siç kemi mundur më parë edhe të këqija të tjera të mëdha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *