Autori Lasgush Poradeci është një ndër autorët më të njohur dhe më të dashur për lexuesin shqiptar. I njohur për simbolet që përdor në poezitë e tij, në çdo poezi ai mundohet padyshim të japë mesazhe universale.

Në poezinë e mëposhtme “Vrapojnë zemrat”, autori përshkruan fazat e jetës me simbolin zemrat. Zemra në vetvete simbolizon një jetë. “Dhe ik e ik e këputet zemr’ e shkretë” është një varg që tregon se si vazhdon jeta papushim e në një moment, vjen vdekja e gjithçka ndalet. Jeta këputet në mes dhe në poezi kjo gjë simbolizohet me këputjen e zemrës.

Në të njëjtën kohë poezia vazhdon me vargun e fundit, ku ende pa u kaluar tragjedia e ndodhur, zemrat e tjera (të rinjtë e tjerë, jetët e tjera) vazhdojnë rrugëtimin me sulm të ri e me shpirtin plot si përherë. Poezia pra simbolizon dy faza, jetën dhe vdekjen. Jetën me hovin, shpirtin plot dhe hapin e pandalur. Vdekjen ndërkohë me këputjen e gjithçkaje dhe ndaljen e vrapit.

Lexo po ashtu:  Nëse sëmundja vjen tek unë , Ju mos më shpini në spital, Më merrni fshehur e pa zhurmë, Më ngjitni lart diku në mal.

Vrapojnë zemrat

Me sulm të ri, me shpirtin plot
Ti bën një vrap për t’udhëtuar.
Bën dhe një si vjet dhe sot,
Dhe një dhe mot e papushuar.

Dhe nuk u pyet për ngaj po shkon,
Që ngaj po vjen ngaj të fryn era.
Veç udhëton, veç përparon,
Si vjet e sot e mot përhera.

Dhe ik…e ik…e ik…e ik…
E ja! këputet zemr` e shkretë.
E ja! përshembet vrap i lik
E bje përmbys përgjithëjetë.

E pa t’u tharë pika lot,
Vrapojnë zemërat e tjera,
Me sulm të ri, me shpirtin plot,
Si vjet e sot e mot përhera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *