Këto dolli me raki duket se ia trazuan mendjen dhe liruan gojën. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përdorur një gjuhë të papërshtatshme për të sulmuar disa aktivistë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Shkak për këtë është bërë një akuzë e lëshuar nga Sonja Biserko, Presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe politikani serb, Nenad Çanak, që theksuan se Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak.

Vuçiç, që foli në një event në Republikën Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës, e konsideroi këtë “cirkun më të shkurtër dhe injorant që kishte parë ndonjëherë”.

“Nuk kam parë kurrë një cirk të tillë siç mund të krijojnë Albin Kurti dhe mizat e tij të fundshpinës nga Serbia qendrore, si Çanak dhe Sonja Biserko. Serbët nga Kosova dhe Metohija do të mbeten në Kosovë dhe Metohi.

Me gjithë dëshirën e Kurtit, Nenad Çanakut dhe Sonja Biserkos e shumë të tjerëve që të zhduken, nuk do të jetë kështu. Nuk do të më shkonte ndërmend kurrë diçka të tillë”, tha Vuçiç.

Lexo po ashtu:  Flet Kurti: “Më kanë akuzuar pas luftës mua gjithmonë, 20 herë jam futur në burg kështu që për këto akuza nuk janë diqka të re për mua”

Biserko dhe Çanak, në një takim që patën me kryeministrin Kurti në zyrën e këtij të fundit, i kërkuan ndihmë që të mos lejonte që serbët e Kosovës të zhvendoseshin për në Sanxhak, ku siç pretendohet, Beogradi zyrtar po ndërton shtëpi dhe banesa për ta.

Sipas njoftimit zyrtar, Kurti theksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefi i qeverisë i ka njoftuar mysafirët për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në vend dhe për përpjekjet që po bëhen për rritjen e mundësive për këto komunitete në fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre.