Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dolën së bashku këtë të diel në një panair vere në Verona në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”. Koincidenca është se në Prishtinë u mbajt një marshim masiv në mbështetje të krerëve të UÇK-së që nesër nisin gjyqin në Hagë. Por Rama dhe Vuçiç u shfaqën të qeshur, madje bënë edhe shaka, duke këmbëngulur se po punojnë për paqen.

“Kundër-pyetja ime retorike do të ishte gjithmonë, po mirë, çfarë duhet të bëjmë?! Të luftojmë më shumë?! Të zihemi më shumë?! Të kemi më shumë përplasje?! Të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë?

Sepse shoh që ka shumë njerëz në Serbi, që do të donin të shihnin një përplasje të madhe a nuk di çfarë. Çfarë prisni nga ne?! Në qoftë se prisni nga ne që ta bëjmë këtë ngarkesë politike edhe më të madhe, edhe më të rëndë për të gjithë qytetarët serbë apo qytetarët shqiptarë?!

Unë do të bëj maksimumin tim për ta shmangur dhe besoj se dhe Edi po bën të njëjtën gjë. Kjo është ajo çfarë bëjnë njerëzit e përgjegjshëm dhe seriozë. Është e lehtë që të marrësh pikë, të fitosh pikë politike duke fyer, duke iu kthyer kryeministrit Rama sot dhe të thuhet: “Ja, ai u soll si hero! Ja tha të gjitha!” – tha Vuçiç.

Lexo po ashtu:  Natasha Kandiq dhe Qendra për të Drejtën Humanitare të nominuar përsëri për Nobelin për Paqe

Edhe Rama ia pasoi se ndaraja për Kosovën nuk i pengonte të vazhdonin të bashkëpunonin

“Më lini t’iu çoj pas në kohët kur nuk i flisnim njëri-tjetrit për dekada dhe t’iu pyes: Ishte më mirë ashtu? Dhe nëse do të kishim vazhduar të mos i flisnim njëri-tjetrit, nëse do të vazhdonim të qëndronim në barrikadat e së shkuarës, sot mund të kishim qenë në një pozicion shumë, shumë të keq të gjithë ne, me të gjitha krizat që janë shpalosur vetëm në kufijtë e Europës, por nuk jemi kështu.

Natyrisht kemi një mosmarrëveshje të madhe apo le të themi nuk është një mosmarrëveshje sinqerisht, por një distancë mjaft e madhe, më shumë sesa një mosmarrëveshje, kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohija e atë që unë e quaj Kosova. Por, a është kjo një arsye për të mos folur, apo është një arsye për të folur më shumë?! Mendoj që është një arsye për të folur më shumë dhe meqë ra fjala, edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot” – tha Rama.

Lexo po ashtu:  Pothuajse mbas 40 vjetesh, piloti flet per takimin me UFO

Më pas Rama iu drejtua një gazetari serb: “Të pëlqen peshku shqiptar që ha në shëtitoren para Beogradit?”

Ndërhyri presidenti i Serbisë: “E kemi në shumë restorante në Beograd meqë ra fjala”.

“Provoje! Mos thuaj që ai (Vuçiç) e ndërtoi shëtitoren që pastaj të pushtohej nga peshku shqiptar. Thjesht shijojeni këtë lloj pushtimi” – shtoi Rama.

“I kemi edhe në restorantet më të famshme të Beogradit, peshqit që vijnë nga Greqia dhe Shqipëria” – tha kreu i shtetit serb

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *