Në Kosovë ka nisur të luhet një muzikë e njohur: një hap para i Prishtinës dhe dy hapa përgjigje nga Beogradi me politikën e tij të subversionit përmes rrugaçërisë dhe paramilitarëve. Prishtina ka nisur të aplikojë reciprocitetin në dokumentacion me Serbinë, atë politikë që u përpoqën ta sabotojnë edhe nga Tirana dhe Vuçiçit nuk i mbetet veçse të reagojë. Më shumë, nga tensioni se në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë (ose luajnë qëllimisht) pozicionin e tij sesa nga shqetësimi real për serbët e Kosovës.

Teksa aktualisht flitet për shtim të masave policore edhe NATO ka deklaruar se KFOR është gati të ndërhyjë në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së, një paradoks cinik ky pasi ajo rezolutë de facto nuk ka më vlerë.

Në situatën e krijuar bën përshtypje dy gjëra: deklarimi i kryeministrit Kurti dhe heshtja e Tiranës zyrtare.

Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazira. 

Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial

Bën përshtypje kjo deklaratë e Kurtit për faktin se tashmë u bënë 14 vjet që flitet për struktura të tilla, të cilat nëse do të kishte vullnet do të duhet të kishin humbur rolin politik. Është e papranueshme që të mos ketë parapërgatitje për veprimet e njerëzve të identifikuar dhe pas kaq vitesh të vijojë kjo situatë irrituese ku Beogradi luan stabilitetin e Kosovës me dy barrikada.

Lexo po ashtu:  Nuk e kam thënë atë që kam thënë (video)

Heshtja e Tiranës bën përshtypje por jo çudi. Situata e tanishme e bën gati të pavlerë të ashtuquajturin Open Balkans përderisa po provohet se nuk ka politikë të suksesshme kur injoron realitetin. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mos ndikojnë në Shqipëri, kushdoqoftë ai që ka pushtetin në Tiranë, sepse kriza është reale dhe ajo ka të mirën se e detyron Vuçiçin të dalë nga manovra e diplomacisë shumëpalëshe për t’u marrë me problemin konkret. Dhe këtu nuk e ndihmon dot kush sado që i qan shpirti t’i lajnë këmbët e t’i pijnë ujin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *