Vullneti dhe frika

Prof. dr. Hysamedin Feraj



Shtetin e ndërton vullneti. Frika është armiku i shtetit. Frika është e përbashkëta e kafshës së lartë dhe njeriut. Mund të thuhet, fenomen natyror. E nëse frika dhe natyra do të mund të ndërtonin shtet, Lepurania do të ishte shteti më i fuqishëm në botë.
Frika gjithmonë ka fakte natyror më shumë sesa vullneti.

Sepse frika është brenda realitetit material-natyror, ndërsa vullneti i shkon përballë. Prandaj frika përhapet më leht se vullneti, sepse ajo e ka me vete realitetin e natyrshëm.
Në rastin e shtetit faktet i njohin ata që janë më brenda realitetit të tij. Prandaj janë më të frikësuarit prej tij. Më të frikësuarit ishin ata shqiptar me pozita të larta në Perandorinë Bizantine apo Osmane, prandaj nuk kërkonin shtet shqiptar. Më të frikësuarit ishin ata me pozita të larta në Jugosllavi, Sinan Hasani e Rrahman Morina, prandaj ishin kundër kërkesës për Republikën e Kosovës. E përbashkëta e tyre është se njihnin faktet e fuqisë së atyre shteteve. Dhe frikësoheshin. Dhe i tregonin popullit sa të fuqishëm janë kundërshtarët, e sa të pafuqishëm janë shqiptarët. Dhe i dilnin kundër vullnetit të popullit. Për të gjithë ata, vullneti ishte aventurizëm politik, frika realizëm. Frika ka qenë parimi udhëheqës i gjithë udhëheqësve tanë shtetëror ose me pozita të larta në shtet, që nga shpallja e shtetit të parë e deri tani në shtetin e dytë.
Frika nuk është mençuri, sado të përsërisim se “frika ruan vreshtin”. Sepse ontologjikisht është e reduktueshme në shfaqje ndenjësore të instinktit, epistemologjiksht në njohjen shqisore pa mend. Prandaj ajo mund të udhëzojë sjelljen e kafshëve dhe të njeriut që urdhërohet nga instinkti, e mund të njoh vetëm çka orfon shqisa. E meqë shqisa ofron vetëm njohjen e materiales, nuk mundet me i paraqitë instinktit asnjë objekt jo material për me u arritë prej tij: as sovranitet, as dinjitet, as vlera, as shtet. Shfaqje ndjenjësore e instinktit, shqisa ofron si njohje vetëm çka kërkon instinkti për mbijetesë: para e pasuri, dhe pushtet politik si mundësi me i siguru ato. Të gjitha për me kënaq ndjesitë trupore.

Lexo po ashtu:  Hoxha i cili e themeloi Stomatologjinë në Shqipëri

Frika nuk ka fuqi krijuese. Mundet vetëm me e përforcu realitetin dhe faktet tashmë ekzistues që i japin të drejtë ekzistencës dhe argumentit të saj. Por pa krijuar asgjë të re: as shtet.
Frika ka fuqi rrënuese. Mbasi e rrënuan shtetin në sovranitet, territor e popullsi, pushtetarët e djeshëm në Kosovë dhe ata të përhershëm në Shqipëri kanë përforcuar një realitet dhe kanë fakte që i japin të drejtë frikës së tyre për pafuqinë tonë si shtet.
Historia njeh shumë raste popujsh që janë “zhdukur” nga frika. Frika prej pushtuesit i ka këshilluar me u bë të “mençur”, me qenë të dëgjueshëm, me marrë zakonet, traditat, sjelljet, gjuhën e sunduesit në mënyrë që mos të bien në sy të tij. Shkurt me u mimetizu, me u bë të padallueshëm, me ngjasu si ai, me u asimilu. Prandaj tashmë janë bërë të pashqueshëm në botë, sepse ekzistencën e tyre nuk mund ta identifikojmë më. Dhe themi se janë zhdukur. Megjithatë shkenca natyrore ndoshta mund të provojë se ekzistojnë vijues bilogjik të tyre, po aq natyror sa frika e tyre. Por historia njeh pak, ose ndoshta asnjë rast kur një popull është zhdukur nga vullenti për liri kundër pushtuesve e sundimtarëve, përherë shumë më të fuqishëm për nga treguesit material, aq sa mund t’i fusnin frikën në palcë popullit të sunduar.

Vullneti është i njeriut, diçka që e shquan nga natyra. Ai është brenda realitetit njerëzor dhe i shkon përballë realitetit natyror. Prandaj është mposhtësi i frikës së natyrshme të njeriut. Prandaj përhapet më leht tek ata që janë më njerëzorët. Prandaj ka krijuar çka nuk e krijon natyra: shoqëri, shtete, kulturë, art e shkencë.
Faktet e shtetndërtimit i njohin ata që janë brenda realitetit të vullnetit. Prandaj janë më të fuqizuar prej tij. Më të fuqizuarit prej tij kanë qenë ata që, me e pa pozita në Perandorinë Bizantine apo Osmane, vullnetuan krijimin e shtetit shqiptar. Prandaj i tregonin popullit fuqinë e tij, fuqinë për me kriju shtet, pavarësi e sovranitet. Dhe i dilnin kundër dëshirës së pushtesve e të sundimtarëve për me ruajtë sundimin dhe pushtetin. Vullneti ka qenë parimi udhëheqës i udhëheqësve tanë për liri e pavarësi, parimi udhëheqës i shqiptarëve për krijimin e shtetit tonë të parë dhe të dytë.

Lexo po ashtu:  Të bëmat e Qeverisë Kurti dhe ekzistenca e dukurive “normale” gjatë 25 viteve të fundit në veri të Kosovës, për të cilat pupulli i Kosovës nuk kishte dijeni

Vullneti është mençuri. Sepse ontologjikisht është i reduktueshëm në shfaqjet e lirisë, epistemologjiksht në njohjen mendore që subsumon shqisoren. Prandaj ai mund të udhëzojë sjelljen e njeriut që urdhërohet nga detyra morale që i tregon arsyeja, e mundet me njohtë çka ofron mendja dhe detyra. E meqë mendja ofron njohjen e jomateriales, mundet me i paraqitë vullnetit objektet jomaterialë që t’i arrij: lirinë, drejtësinë, barazinë, sovranitetin, dinjitetin e njeriut përgjithësisht. Që të gjithë, për me i realizu universalisht brenda natyrës e botës. Prandaj vullneti mundet me kriju shoqëri dhe shetet, sepse këta fakte i përkasin njeriut, shoqërisë dhe shtetit.
Vullneti njeh faktet që nuk i njeh frika as shqisa. Njeh fuqinë e lirisë, e mendjes, e intelektit, e imagjinatës, e historisë njerëzore. Prandaj njeh fuqinë e vet epërsore e krijuese ndaj shqisores e materiales. Prandaj shquan absurdin e pikëpamjes që raportin e të sunduarit me sundimtarin i mat dhe vlerëson vetëm me tregues materialë. Sepse njeh se çdo popull që është çliruar nga pushtuesi e sunduesi, në të gjithë rastet e në të gjithë treguesit materialë, ka qenë më i pafuqishëm se pushtuesi e sunduesi i tij: në para, në armë, në ekonomi, në diplomaci, në përvojë shtetërore e lidhje ndërshtetërore. Njeh se po të ishin përcaktues treguesit material, asnjë popull i pushtuar dhe sunduar nuk do të mund të ishte çliruar asnjëherë, e të krijonte pavarësinë dhe shtetin e vet. Njeh se fuqinë materiale të sundimtarit e të të fuqishmit materialisht dhe me përvojë e shfuqizon vetëm vullneti. Njeh se po të pres derisa të barazohet në treguesit material me më të fuqishimin, kurrë nuk mund të lirohet e ta bëj veten sovran i fatit të vet. Sovraniteti është para së gjithash produkt i fuqisë së vullentit.

Lexo po ashtu:  Beteja e çmendur e Stalingradit, ishte për vendburimet e naftës

Vullneti ka fuqi krijuese. Mundet me kriju realitet dhe fakte të rinj që i japin të drejtë ekzistencës dhe argumentit të tij. Vullneti mundet me kriju diçka të re: edhe shtet. Shtet që nuk ka ekzistuar më parë, por që vjen i ri në botë saje veprimit të vullnetit. Realiteti i krijuar prej këtij i jep të drejtë e mirënohje, madje edhe nga ata që nuk e kanë parë me shqisa në kohën kur duhej ta kishin parë e kuptuar me mend. Sepse vullneti është intelektual, është intelekti që del në botë, që ta ndërtoj botën njerëzore sipas esencës së njeriut: lirisë. Prandaj të vullnetshmit janë intelektual, të pavullnetshmit janë shqisorë. Vetëvendosje është vullnet dhe intelektualitet, të tjerët vetëm frikë instinktive dhe shqisorë.
Vullenti njeh se duke sjellë peshën e vet në botë e përkul hapësirën përreth dhe afron aleatë, si dhe armiq. Por sakaq bëhet prani e dukshme në botë, prani e rëndësishme për miqtë dhe armiqtë. Sepse ekzistenca shfaqet në botë si bezdi dhe mundësi. Përkundrazi, populli i këshilluar nga frika me u fsheh prej armikut bëhet i padukshëm edhe për mikun. Por jo patjetër për armikun që tashmë e ka mësuar këtë hile të të dobtit.
Në fund, veç një histori. Miqtë ndërkombëtar luajtën rol vendimtar për krijimin një herë të shtetit izraelit. Menjëherë izraelitët nuk e fshehën praninë e vetë, për hir të paqes në rajon, duke u fsheh sikur nuk janë aty e duke u mjaftuar me zhvatjen dhe dobësimin e shetit të sapokrijuar. Miqtë tanë ndërkomëbtar dy herë kanë luajtur rol vendimtar në krijimin e shtetit të parë e të dytë shqiptar. Menjëherë të dy shtetet tanë u vunë nën kontrollin e fuqive të rajonit: Serbisë e Greqisë. Izraelitët kontrollojnë saje vullnetit, ne kontrollohemi saje frikës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *