Analisti gjerman dhe njohësi i çështjeve politike që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, thotë se marrëveshjet parimore Kosovë-Serbi që po nënshkruhen me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit Special Presidencial, Richard Grenell, nuk ofrojnë zgjidhje për zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas ekspertit gjerman, marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe assesi përmes SHBA’së. Sipas Weber, Washingtoni në këtë proces mund të ketë vetëm rol mbështetës për Brukselin.

“Kjo është arsyeja e tretë pse marrëveshja e fundit nuk ofron rrugëdalje për zhbllokimin e negociatave të bllokuara, të udhëhequra nga BE-ja, në dialogun politik. Ekziston vetëm një rrugë për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë që e merr karakterin e një marrëveshjeje të paqes – përmes negociatave të udhëhequra nga BE-ja dhe perspektivës së anëtarësimit në BE për Serbinë dhe Kosovën. Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bëjnë këtë. Megjithatë, ato e kanë një rol të rëndësishëm këtu – atë mbështetës, rolin e partnerit kryesor të BE-së, njësoj siç kanë bërë nga viti 2011 deri në qershor të vitit 2018”, ka thënë Weber për Gazetën Express i pyetur rreth mos përfshirjes së BE’së në gjithë procesin e arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd që u nënshkrua në Berlin.

Lexo po ashtu:  NATO në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë

Eksperti gjerman thotë se anashkalimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE’së Josep Borelli dhe Gjermanisë si fuqi kryesore, e kthen këtë progres të vogël të Richard Grenell në një “fitore të Pirros”.

Tutje Weber thotë se ka dyshime e tij se Richard Grenell të gjithë këtë aktivitet po e bënë për promovimin e vetes dhe Administratës së Donald Trump dhe jo për të ardhmen e  Kosovës dhe Serbisë. Madje siç thotë Weber një gjë e tillë po bëhet edhe për ta bezdisur kancelaren Angela Merkel.

“Përmes anashkalimit të BE-së, përfaqësuesit të lartë, Borrell, dhe vendeve anëtare kyçe, siç është Gjermania, dhe madje duke e provokuar këtë të fundit duke negociuar për muaj të tërë me kompaninë Lufthansa dhe më pas duke e nënshkruar një marrëveshje në ambasadën amerikane në kryeqytetin gjerman, ky përparim i vogël kthehet në fitore të Pirros. Ai krijon dyshime të justifikuara se motivi prapa aktiviteteve të Grenell-it ka më së shumti është me qëllim të vetë promovimit të administratës, e jo për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë dhe më së keqi për zemërimin e kancelares gjermane”, ka thënë Weber për Gazetën Express.

Lexo po ashtu:  NË TIRANË ASNJË GAZETË NUK PO E MBRON SHQIPËRINË NGA KEQBËRËSIT E HUAJ

Megjithatë Weber thotë se duke marrë parasysh gjithë bllokadën politike dhe faktin që dialogu politik ka ngecur, marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e Grenell janë të mirëseardhura nëse ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.

Për të dhënë një gjykim  final rreth marrëveshjes ajrore Prishtinë-Beograd, ai  thotë se duhet parë tekstin e marrëveshjes, substancën dhe më pas mënyrën se si do të implementohet ajo.

Eksperti gjerman thotë se ndryshimi i administratës së Donald Trump nga të qenit destruktiv dhe të hapur ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve në çështje konstruktive të cilat po i udhëheq Grenell shënon një ndryshim të mirëseardhur.

Megjithatë Weber thotë se marrëveshja për linjën ajrore ngjason me marrëveshjet Kosovë-Serbi të arritura herët gjatë dialogut teknik, dhe sipas tij të tillat nuk dërgojnë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

“Retorika e tij e përqendruar në ekonomi dhe investimet perëndimore në Kosovë dhe Serbi në përgjithësi është premtuese. Megjithatë, nga e tëra që kemi mundur ta mësojmë nga marrëveshja, domethënë nga dy marrëveshjet (Serbia me Lufthansa-n, KFOR-i/Kosova me Lufthansa-n), kjo u ngjan shumë marrëveshjeve dypalëshe të dialogut të hershëm teknik në bazë të statusin neutral. Ne kemi parë që kjo nuk mund të jetë rruga drejt një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi për statusin”, potencon eksperti gjerman.

Lexo po ashtu:  SHËNIM: Ambasadorët e Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë

Bodo Weber thotë se zgjidhja finale Kosovë-Serbi duhet të bëhet përmes dialogut politik të bazuar në parime të përcaktuara të Perëndimit që synojnë t’i japin fund mosmarrëveshjes për statusin, siç kishin bërë më herët Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA’së.

Eksperti gjerman thekson se duke parë keq drejtimin e negociatave përgjatë viteve 2017-2019 nga Mogherini, atëherë duhet një rifillim të negociatave, dhe sipas tij i vetmi që mund ta bëjë këtë është Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell

“Zgjidhja qëndron në një dialog politik, dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që fillon me një kornizë negociuese të bazuar në parime të qarta (“vijë të kuqe”) të përcaktuara nga Perëndimi, që synojnë t’i japin fund mosmarrëveshjes së statusit – ashtu si kishte qenë bërë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SH.B.A. në vitet 2011-13. Duke pasur parasysh negociatat e keq udhëhequra 2017-19 për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, kjo do të thotë të bëhet një rifillim i negociatave, dhe çelësi për këtë është në duart e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell”, ka shtuar ndër të tjera Weber.

Në fund eksperti gjerman thotë se qasja e administratës së Donald Trump nuk ofron zgjidhje, pasi që sipas tij problemi Kosovë-Serbi është problem politik dhe ideologjik.

“Në të njëjtën kohë, politika e administratës Trump e drejtuar kah ekonomia nuk ofron zgjidhje – pasi mosmarrëveshja Kosovë-Serbi është politiko-ideologjike”, ka përfunduar Weber./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *