Zagarët e Tiranit

Në këtë çmenduni të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem për më shumë se për 22 vjet, rrijshem tue mendu me vedi, zemërplasun; – Si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e mos të dalë kush me i thanë: Ndal! E pra, veç njaj klike të vogël që i rrinte përreth , kurrkush nuk përfitonte ndonji gjâ të dukshme. E atëherë çka ishte kështu? Të gjithë ishin të dejun, të shastisun mbas këtij njeriu. Ai tiran u kishte marrë të gjithë lirinë. I kishte zhburrnue ose si i thonë sot, u kishte hjekë personalitetin njerëzor. Ua kishte nxjerrë gratë prej shtratit për me i çue në zbor o ku të donte vetë. Ua kishte marrë fëminë e pasuninë. U kishte hjekë deri kafshatën e gojës e hjedhë në mizerjen mâ të madhe që mund të mendohej. I kishte shkëputë jo vetëm nga kombi e gjithë bota, por dhe nga historia e vet e mbarë njerëzimit! I kishte rrethue në tel e nuk i lejonte as me hî e as me dalë, vetmue prej gjithë botës!

Lexo po ashtu:  “Teksa rritesh, mëson se sa e bukur dhe me vlerë është thjeshtësia”. Lumturia, sipas shkrimtarit italian. Thjesht fantastike, nuk duhet ta humbisni

Nuk i lente me kjesh e as me kjâ. E atëherë shka ishin këta? Mund të thirrej popull ky? Jo, nuk ishte popull, por nji tufë e pasjpjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e pa vullnet. Ndërkohë që edhe më dukej se ato turma turreshin kundra qiellit sikur Zoti t’u kishte faj që i mbante nën thembrën e randë t’atij tirani njerëzor. Por faji nuk ishte i Zotit. Ishte i njerëzve që i shërbejshin Tiranit dhe e kishin frigë, e ndigjojshin dhe e adhurojshin mâ shumë se Zotin. Kurrgjâ nuk e përligj këtë veprim barbar, vandal, të turpshëm, të pashembullt në histori të njerëzimit përveç çmendunisë.

Sikur secili njeri të rrinte në pastërtinë e shpirtit të vet e të ndigjonta mâ shumë zanin e ndërgjegjes së vet humane, të asaj që thrret e brine vazhdimisht për punët e liga, të ndigjohej mâ shumë ajo se urdhni i Tiranit, shka do të ndodhte atëherë? Kurrgjâ e kieqe nuk do të ndodhte. Gjuetari me armë në dorë, kur hyn në pyllë, kurrë nuk mund e vrasë lepurin ndër shkurre sikur mos të jenë zagarët që e ndjekin e ia dorëzojnë atij. Pa këta zagarë as Tirani nuk mund bante kurrgjâ: ai i vetëm, po nuk e ndigjoi kush, se nuk mund e vrasin krejt nji popull, ndërsa populli, tue iu nënshtrue urdhnit të Tiranit vret vedin.

Lexo po ashtu:  “Unë e dua tradhtinë, por e urrej tradhtarin!” - Jul Çezari, mitet dhe të vërtetat mbi perandorin e famshëm romak

At Zef Pllumi- Rrno vetem per me tregue.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *