Sot, Partia Socialiste mbush 29 vjeç, nga 12 qershori i vitit 1991, kur në Kongresin e njohur tashmë reformues, ajo u shkëput nga PPSH dhe nisi një rrugë të re.
Në atë Kongres është i njohur roli i Dritëro Agollit dhe fjalimi i tij, i cili kërkoi shkëputje nga partia e vjetër, duke e cilësuar si parti në shtratin e vdekjes. Dritëroi, me guximin që tregoi, mund të konsiderohet dhe socialisti i parë i dalë nga ai Kongres, ku ende brohoritej “Parti-Enver”.
Dy letra të shkruara në kohë të ndryshme nga Dritëroi në ditën e themelimit të PS-së, tregojnë realisht gjendjen në të cilën ndodhej kjo parti. Letra e parë, e shkruar me dorën e tij në 10 vjetorin e PS-së në 2001, kur PSja hynte në zgjedhje për të fituar mandatin e dytë qeverisës, e krahason me një “anije të bardhë, duke çarë dallgë e duke u pastruar nga hedhurinat dhe nga leshterikët”.
Duke bërë krahasimin mes PS-së së Nanos dhe PS-së së Ramës, Dritëroi në letrën e dërguar në qershor 2013 për 22-vjetorin e partisë, bën dallimin mes nisjes nga viti zero. Ai e cilëson futuriste këtë filozofi, kur thotë se u ngjan poetëve futuristë që thoshin se “Me kafkat e pleqve do bëjmë tavlla duhani…”
URIMI I PARË: 10-VJETORI I PS – QERSHOR 2001 Partia Socialiste sot mbush dhjetë vjet. Dhjetëvjetorin e lindjes së saj ajo e feston si zonjë në krye të vendit, në qeverisje të vendit. Ky 10-vjetor shënohet në prag të zgjedhjeve të 24 qershorit, të cilat po thurin kurorën e festës së fitores së kësaj luftëtareje të madhe të qytetërimit në Shqipëri.
Ajo vjen në këtë dhjetëvjetor si një anije e bardhë, duke çarë dallgë e duke u pastruar nga hedhurinat dhe nga leshterikët; vjen kryelartë, duke lënë pas fyerjet, mallkimet dhe sharjet e kundërshtarëve harbutë politikë, me gjuhën e trashë të skutave të errëta dhe të qorrsokakëve; vjen me kryetarë bashkish të rinj, ministra të rinj, kryeministra të rinj dhe deputetë të rinj, më e re dhe më demokratike nga çdo parti tjetër; vjen me rrugë të reja dhe me dhjetëra kanale televizive të papara dikur, madje ka hapur edhe nja dhjetë kanale televizive për ta sharë kundërshtarët politikë; vjen e përtërirë dhe e brumosur përmes polemikave, pohimeve dhe mohimeve, duke mësuar se kur duhet thënë “po” dhe kur duhet thënë “jo”, dy gjëra të thjeshta që Partia Demokratike nuk i ka mësuar dhe do të rrijë në opozitë gjersa të mësojë kur duhet thënë “po” dhe kur “jo”. Partia Socialiste, kur erdhi nuk tha se do ta nisë nga e para dhe as nga çeku i bardhë. Ajo mori gjithë traditat atdhedashëse …. (këtu ndërpritet dorëshkrimi…)
URIMI I DYTË: 22-VJETORI – 11 QERSHOR, 2013
Unë u uroj socialistëve 22- vjetorin e festës së tyre, duke mos e ndarë veten time nga ata. Unë ende nuk kam marrë ndonjë ftesë, por mendoj se mund të jetë vonuar nga ndonjë defekt i aparateve elektronike, shkurt dixhitale. Po tani është një kohë e Rilindjes së re dhe ndofta unë 82-vjeçari hyj në Rilindjen e parë, siç kam dëgjuar nga kandidatët për deputetë, kjo Rilindje e dytë fillon nga zerua.
Kjo më kujton poetët futuristë që shkruanin: “Me kafkat e pleqve do bëjmë tavlla duhani…” Po unë jam një socialist, që përpiqem të lëviz gjuhën sa të ma nxërë goja. Me këtë dua t’u uroj socialistëve festën dhe të bëjnë një fushatë elektorale më origjinale se kundërshtarët politikë, pa thashetheme të natyrës së turpshme si: “filan socialist vuan nga kompleksi i Edipit”. Ai që e thotë këtë kërkon t’u tregojë zgjedhësve: Shikoni, unë e kam lexuar tragjedinë “Edipi mbret” të Sofokliut, po edhe teorinë e Frojdit.