Kulla e “Tirana Multifunctional Center” që ka marrë emrin ‘Mali i Tiranës’ (Maunt Tirana) e projektuar nga studioja daneze Cebra, do të ndërtohet nga kompania shqiptare, “Nova Construction 2012”. Në faqen zyrtare, kompania daneze jep detaje mbi projektin, mënyrën se si do të ndërtohet kulla, vendi ku do të jetë dhe kompania që ka marrë përsipër projektin 100 milionë eurosh. Aty listohet dhe kompania shqiptare “Nova Construction 2012”.
“Mali i Tiranës pritet të bëhet ndërtesa më e lartë në Shqipëri, me arkitekturën e tij të veçantë nga CEBRA. Arkitektët risjellin shkëmbinjtë e thyer dhe bimësinë e formave natyrore të tokës. Vëllimi i përgjithshëm sjell një faqe shkëmbi të prerë, ndërsa fasada është e veshur me sipërfaqe guri,”- thuhet nga studioja daneze.
Informacione për projektin:
Titulli i projektit: Mali i Tiranës
Arkitektura: CEBRA | @cebra_architecture
Vendndodhja: Tiranë, Shqipëri
Klienti: Nova Construction 2012.
Siperfaqja e ndertuar: 70.000 metra katrore
Lartesi: 185 metra
Nga të dhënat në faqen zyrtare Qendra Kombëtare e Biznesit, ‘Nova Construction 2012’ rezulton e themeluar në dhjetor të 2012-s me objekt ndërtimin e godinave një dhe shumëkatëshe. Pronar i kompanisë rezulton Ilir Shtufi me 91% të aksioneve, ndërsa i vëllai, Kujtim Shtufi, ka pjesën tjetër prej 9%.
“Nova Construction 2012” është përfituese e shumë tenderash nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me kompani të tjera. Ajo ka ndërtuar edhe godina të tjera shumëkatëshe në Tiranë, përfshirë këtu “White Tower”, “Tirana Garden Building” dhe “Tirana Entry II”./ dosja.al