Ali Sh Mehmeti, 10.12.2024
Sado që duket i rëndë sulmi terrorist mbi kanalin ujësjellës Ibër-Lepenc, ai shpërfaq pafuqinë e Serbisë të realizoj planin që kishte në momentin e largimit të policisë dhe administratës tjetër nga detyra, në komunat veriore të Kosovës, në nëntor të vitin 2022.
Tanimë, me gjasë shumë të madhe, dihet se llogaritë e Serbisë ishin që pas këtij largimi detyrat e sigurisë do i marrë KFOR-i dhe kështu të krijohet një tampon zonë për territorin e të cilës pastaj do mund të negociohet. Nuk e kanë llogaritur se organet ligj zbatuese të Kosovës do janë aq efikase dhe me shpejtësi do të vendosin rendin dhe ligjin, kurse KFOR-i nuk do tregohet aq i interesuar për të ndërhyrë.
Kur kjo dështoi, nuk kaluan shumë muaj dhe në pranverë të vitit 2023, me urdhër nga Beogradi, filluan të bllokoheshin rrugët me vendosjen e barrikadave, protesta nëpër rrugë deri të konfrontimi fizik me ushtarët e KFOR-it që u vendosën mes protestuesve dhe policisë së Kosovës, me ç’rast u rrahën dhe plagosën me armë zjarri me dhjetëra ushtarë, disa edhe me pasoja të përjetshme. Kërkesat e protestuesve ishin, tërheqja e policisë speciale nga veriu i Kosovës dhe lirimi i objekteve komunale. Policia, jo që nuk u tërhoq, por vendosi 9 baza të përhershme gjithandej.
Pasi iu dështuan dy tentativat për të nxjerr KFOR-in nga kazerma dhe për të krijuar tampon zonë, kaluan në variantin ekstrem. Me simulim të një kryengritjeje “popullore” të armatosur, që në fakt do ishte një aksion subversiv-diversant-terrorist, ekzekutuar nga shteti serb me njësi paramilitare, deshën ta detyrojnë KFOR-in të intervenoj për të shmangur një konfrontim mes policisë dhe këtyre njësive paramilitare, që patjetër se do të shkaktonte shumë viktima. Një skenar të tillë tashmë e kemi parë në Kroaci dhe Bosnje në fillim të viteve 90-ta. Vendosja e KFOR-it në lumin Ibër, defakto do ta mundësonte aneksimin e veriut të Kosovë, ku tashmë do ishte vendosur “populli” i armatosur për t’u “mbrojtur nga ekstremistët shqiptar të Albin Kurtit”. Si përfundoi rasti Banjska, tashmë e dimë. Sipas të gjitha gjasave, intervenimi i Policisë së Kosovës e ka ndërprerë finalizimin e aksionit të paramilitarëve serb. A ka ndodh ky intervenim rastësisht, sepse thonë se rastësia është mbret i botës, apo në bazë të informacioneve paraprake, nuk do ta dimë për një kohë të gjatë.
Dhe së fundi, hidhet në erë kanali ujësjellës Ibër – Lepenc, që furnizon me ujë të pijshëm disa qytete të Kosovës duke përfshirë edhe Prishtinën, furnizon termocentralet dhe shërben për ujitje të tokave bujqësore. Cili ishte qëllimi kryesor i këtij sulmi terrorist nuk mund ta dimë me saktësi, sepse efektet janë të shumëfishta.
Që ky akt ta ngrit tensionin e shqiptarëve që do mund të shndërrohet në ndonjë akt hakmarrës apo mësymje ndaj serbëve ne veri, që eventualisht do mund të shkaktonte intervenimin e KFOR-it?!
Të shkakton frikë dhe panik, duke lënë një pjesë të mirë të Kosovës pa ujë të pijshëm dhe pa energji elektrike?! Megjithatë, jo për kohë të gjatë, sepse do goditeshin edhe qytetarët serb. Këtë e them sepse vendi i vendosjes së eksplozivit ka mundur të jetë i zhvendosur disa metra dhe të hidhen në erë disa shtylla që mbanin kanalin në ajër. Në këtë rast nuk do mund të rivendoset rrjedha e ujit brenda 24 orëve, duke improvizuar një urëkalim me gypa apo kontejner të pjesës së dëmtuar, siç edhe u bë, por do shkaktohej ndërprerje e rrjedhës së ujti për s’paku një javë, sa zgjati ndërtimi i kanalit devijues.
Por sipas meje, arsyeja kryesore është që shqiptarët të bëhen të besojnë, e që nuk qëndron, se serbet/Serbia e ka në dorë ujin që e pinë dhe energjinë elektrike që e shfrytëzojnë, prandaj janë të detyruar të merren vesh me serbet, ose do të përballen me akte edhe më të dhimbshme, kurse ky i tashëm është vetëm vërejtje. Domethënëse është koha kur ndodhi ky akt, mu në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Në mënyrë indirekte dërgohet porosia tjetër, që në fakt është porosia kryesore: Ju e dini se me Albin Kurtin ne nuk mund të merremi vesh dhe ai është burim i të gjitha problemeve, prandaj mos e votoni Albinin prapë, por ata, në kohën e të cilëve nuk kishit probleme as me ujë as me energji elektrike. Tek e fundit, kështu po thotë edhe opozita me shumicën e mediumeve. Pra, nga tentativa për aneksimin e veriut të Kosovës me një aksion paramilitar, tani do të kënaqeshin edhe vetëm me ndryshimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi u bindën se asnjë metodë tjetër nuk ju eci me këtë qeveri. Për ta arritur këtë dhe nga dëshpërimi i thellë i tyre, ndërmorën një akt terrorist, qyqar pa precedent, që nuk i ka hije as organizatave klandestine, lere më një shteti, edhe pse të vetëdijshëm se do gjykohen nga shtetet demokratike. Diçka të tillë qeveria aktuale e Serbisë nuk do ta përsërit, që nuk përjashton ndonjë “gjetje” tjetër. Aq më parë kur në Serbi po fillon një lëvizje studentore dhe e bujqve, që mund ta rrëzon qeverinë aktuale dhe kur përkrahja e perëndimit do i duhet shumë Vuçiqit.
Sigurisht se kjo zbythje dhe pajtimi me faktin se me këtë qeveri nuk mund ti realizojnë qëllimet e veta është vetëm taktike, kurse objektivat strategjike të Serbisë ndaj Kosovës nuk ndryshojnë.
Megjithatë, ky akt terrorist na solli edhe diçka të mirë.
U tregua se Shqipëria është gjithnjë aty për të ndihmuar në rast nevoje – kësaj radhe me energji elektrike.
Disa qytetarë, politikanët sidomos, që menduan se ne veri ndodhet vetëm Trepça sikur pasuri, mësuan se ka edhe diçka më jetike, që është uji dhe do ta mendojnë këtë para se të flasin për “shkëmbim territoresh”.
Qytetarët duhet ta dinë se qysh tani ka filluar shqyrtimi i mundësive që termocentralet të furnizohen me ujë nga lumenjtë përreth, me ç’rast do të ndërtohet një liqe/basen. Sigurisht se kjo nuk e ul rëndësinë e Ujmanit, sepse nga aty e marrim edhe ujin e pijes dhe për vaditje të tokave bujqësore.