Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të riut Klodian Rasha, duke e vlerësuar një tragjedi vdekjen e tij.

Ambasada publikoi një deklaratë, ku thuhet se ambasadorja Yuri Kim ka folur sot me kryeministrin Edi Rama, drejtorin e policisë Ardi Veliu, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi për të diskutuar të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e drejtuesve.

Ajo ka nënvizuar në këto biseda, sipas deklaratës, se “ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë për të siguruar një hetim të plotë dhe transparent për incidentin, për të ushtruar kufizim në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike dhe për të siguruar llogaridhënie në të gjitha rastet.

“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të tregojnë aftësinë e tyre për të udhëhequr në mënyrë të përgjegjshme, duke përfshirë refuzimin e dhunës. Ata që kanë qenë në pushtet në të kaluarën, nuk duhet të kompensojnë gabimet e kaluara duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme” – thuhet në deklaratë.

Ambasada Amerikane u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen, në mbajtjen e përgjegjësive të tyre, në mënyrë që të drejtat e gjithë popullit shqiptar të mbrohen dhe zërat e tyre, përfshirë në protestë, të jenë në gjendje të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë.

Ambasadori i BE-së shkroi në rrjetet sociale se ishte shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit dhe ngushë​lloi familjen e të​ riut Klodian Rasha.

Lexo po ashtu:  Presioni ynë ndaj Rusisë do të rritet, Kina të ketë kujdes se kë anë zgjedh – thotë Stoltenberg

“Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët” – shkroi ambasadori Soreca.

Edhe OSBE reagoi se “ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Prania e OSBE-së në Shqipëri shprehu keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e të riut Klodian Rasha dhe besimin se ajo do të hetohet si duhet.

“Ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë” – deklaroi OSBE-ja.

Ndërkaq, në Tiranë, Durrës e Fier vazhdojnë për të tretën ditë protestat, që shpërthyen pas vrasjes së një të riu nga policia mesnatën e të hënën pranë banesës së tij.

Në rrjetet sociale protestuesit kërkuan vazhdimin e protestave dhe ashtu ndodhi.

Policia shpërndau me ujë dhe gaz lotsjellës protestuesit e mbledhur para kryeministrisë, dhe ata u zhvendosën në zona të tjera. Po ashtu kanë nisur arrestime nga policia.

Tubimi sot nisi me thirrjet “Poshtë Diktatura” dhe “Rama, ik”. Protestuesit kërkuan reformimin e forcave të rendit dhe largimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Por kryeministri Edi Rama deklaroi se drejtori i përgjithshëm i policisë nuk do të largohet nga detyra.

Lexo po ashtu:  Tenori shqiptar i shkruan letër publike Majkos: Ma shkulët me forcë dëshirën për të jetuar në atdheun tim

Policia bëri të ditur se ka marrë si të arrestuar 59 protestues dhe janë nën hetim janë 116 pjesëmarrës në protesta.

Forcat e rendit kanë shoqëruar edhe të mitur nga mesi i protestuesve, të cilët më pas janë liruar, ndaj u ka kërkuar familjarëve të shmangin bashkimin e fëmijëve të mitur me protestuesit e rritur.

Ministri i punëve të brendshme dha dorëheqjen e parevokueshme një natë më parë, por largimi i tij nga detyra nuk e uli ritmin e protestave, përkundrazi ato u bënë edhe më energjike e më të dhunshme.

Ministria e brendshme, ministria e financave dhe një seri institucionesh të tjera publike pranë sheshit Skënderbej dhe shëtitores Dëshmorët e Kombit pësuan jo pak dëme në fasadat e tyre, kryesisht thyerje dyersh dhe dritaresh, mes të cilave e pësuan edhe Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtar.

Po ashtu janë dëmtuar jo pak semaforë në kryqëzime, reklama dhe ndricues të rrugëve e trotuarëve, kazanë mbeturinash, pra, objekte publike të administruara nga bashkia, ndërsa protestuesit nuk kanë prekur dyqane apo prona private.

Protesta nisën dy ditë më parë pas vrasjes mesnatën e të hënës nga policia të të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha, i cili nuk iu bind patrullës së shërbimit, por u largua me vrap.

Familjarët e tij pohuan se djali kishte dalë vetëm për të blerë një paketë cigare dhe faji i tij i vetëm ishte se nuk kishte maskë anti-covid dhe gjendej jashtë banesës pas mesnate, vrapoi për t’iu shmangur gjobës, megjithatë u vra afër hyrjes së shtëpisë.

Lexo po ashtu:  Mbërrijnë 1 milion doza vaksine të koronavirusit në Serbi - Tirana e Prishtina presin, presin, presin!

Polici që vrau të riun 25-vjecar Klodian Rasha mesnatën e të hënës doli sot para gjykatës, ku u konfirmua masa e arrestit të tij me burg.

Ndërsa qeveria dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e këtyre ngjarjeve.

Opozita akuzoi qeverinë, kryeministrin, ministrin e brendshëm që po frymëzojnë dhunën në radhët e policisë, gjë që solli edhe vrasjen e të riut 25 vjecar Klodian Rasha, krahas shumë e shumë raste të tjera dhune ndaj qytetarëve kudo nëpë Shqipëri.

Ndërsa kryeminstri Rama shpërndau pak më parë një tjetër mesazh në rrjetet sociale, ku sërish akuzoi presidentin e republikës dhe drejtuesit e opozitës si nxitës dhe orkestrues të dhunës.

Për t’u shënuar është edhe se protestat shpërthyen në kohën kur epidemia Covid-19 po shton përditë e më tepër rastet e qytetarëve të infektuar dhe atyre që po humbin jetën.

Në rrugë e sheshe dalin e përplasen mes tyre qindra qytetarë e policë pa maska sanitare, gjë që sipas mjekëve, edhe këto protesta do të shtojnë infektimet, ashtu si ka ndodhur edhe me protestat e majit, kur u shkatërrua Teatri Kombëtar, dhe policët u përleshën me qytetarët, që mbronin atë. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *