Rusia ka shfrytëzuar rastin e njoftimit se Britania e Madhe do të furnizojë me municion me uranium të varfëruar Ukrainën për të tematizuar me forcë mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit aktual drejt një lufte bërthamore. Presidenti Vladimir Putin e hodhi në tryezë opinionin e tij gjatë konferencës për shtyp me homologun kinez, Xi Jinping, pasi mori njoftimin duke u përpjekur të kontekstualizojë konfliktin me Perëndimin si një çështje që tashmë adresohet si shqetësim i partneritetit të ri strategjik me Kinën.

Ndërkohë Ministria britanike e Mbrojtjes ka sqaruar se komentet e palës ruse janë asgjë më shumë sesa një përpjekje e qëllimshme për dizinformim për shkak se Moska e di shumë mirë se municioni me uranium të varfëruar është “një komponent standard i armëve konvencionale dhe nuk ka të bëjë fare me armët bërthamore”.

Megjithatë pas Putin dhe ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov, edhe zv.ministri i Jashtëm, Sergey Ryabkov ka deklaruar gjatë një diskutimi në “Valdai Club” se sot rreziku i luftës bërthamore është më i lartë se në të gjitha momentet e tensionit të këtyre dekadave të fundit. Nga ana e vet ministri i Mbrojtjes Sergey Shoigu ka krahasuar situatën e tanishme me atë në Luftën e Kosovës, duke paralajmëruar se urani i varfëruar do të ndikojë në shëndetin e ushtaravë ukrainas, një koment cinik ky nëse kemi parasysh se këta të fundit rrezikojnë të vdesin nga urdhërat e Shoigu.

Lexo po ashtu:  Pse në të ardhmen do të duhet të vaksinojmë edhe fëmijët dhe adoleshentët?!

Paralel me këtë lajm që u përhap në fakt nga një komunikim në Parlamentin britanik, media gjermane “Bild” ka shkruar se sipas burimeve të saj, Ukraina parashikon të sulmojë Zaporizhzhian dhe Luhanskun, gjë që shpjegohet me furnizimin masiv të Kievit me armatime nga Perëndimi. Sipas medias në fjalë, një burim nga NATO ka vlerësuar se pika kritike e luftës për Ukrainën, por edhe për aleatët e vet pritet të jetë në muajin maj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *