Kjo traditë shqiptare quhet “Darka e lamës”, “Darka e fushës” por edhe “Darka e bereqetit”.

Shqiptarët kanë trashëguar doke dhe tradita të sakrifikimit, përkujtimit, gëzimit dhe falenderimit, nga e kaluara.

Shumë festa siç është “Darka e Lamës” janë pak të njohura ose nuk festohen më nga brezat e sotëm. Disa prej tyre i njohim vetëm si emra, të permendura nga gjyshërit ose njerëz të moshuar. Këto festa kanë ritualet e tyre që janë kaluar brez pas brezi.

Darka e lamës është kryefestë pagane e motmotit, që shënon mbarimin e verës e fillimin e dimrit, kur mblidhen të lashtat, frutat e bereqeti.

Është festë tradicionale shqiptare, e cila zakonisht është mbajtur në fund të tetorit kur janë vjelë të mirat e punës verore.

Quhet e lamës, sepse “lama” ka qenë vendi i rrafshët në fshatra malore, ku janë shirë të korrat, kryesisht të misrit. Ndërsa në fushë ka marrë emrin “darka e fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj, kryesisht të grurit.

Evidencat etnografike tregojnë se me grumbullimin e produkteve dhe përfundimin e punëve, në viset e ndryshme të Kosovës, gjithmonë është organizuar një darkë e madhe e përbashkët për të falënderuar njerëzit që kanë ndihmuar në përfundimin e punëve blegtorale e bujqësore. “Dhënia e bukës” ka qenë aspekt esencial i marrëdhënieve sociale tradicionale shqiptare.

Lexo po ashtu:  Shantazhi i Escobar/ A e pengon Kosovën për në Këshillin e Evropës?

Tavolina e darkës së lamës është e mbushur me ushqime tradicionale, të mirat e mbledhura nga toka. Në darkën e lamës kryesisht përgatiteshin shtalba të pjekur e kallamoqa të zier, hashure, fasule, patate, kunguj të zier, petulla, mazë të zier, gatime me mbrumëra të ndryeshëm si; çervish e përshesh me kos e tambël, pekmez dhe reqelna me rrush e me pemë të ndryshme, turshi, mishëra të ndryshëm; bibanë e qingja të pjekur.

Në mungesë të industrisë dhe përpunimit të ushqimeve e pijeve edhe këto të fundit ishin të prodhuara nga vet fshatarët, si verë rrushi, kos të kulluar, lëng rasoji…etj.

Bujqit e fshatarët mblidheshin bashkë, jo vetëm për të shijuar ushqimet e tokës së tyre, por edhe si festë falënderimi për të mirat që u ka dhuruar brenda një viti dhe për t’u lutur që në vitin tjetër të kenë edhe më shumë bereqet, të mira nga toka.

Festa e Ditës së Falënderimit – “Darka e Lamës” është zyrtare dhe për çdo vit, pra më 24 tetor organizohet dhe cilësohet edhe si një festë tradicionale shqiptare dhe familjare shqiptare, si në Kosovë e po ashtu edhe në viset e tjera shqiptare.

Lexo po ashtu:  Gazetari anglez pyeti Fishtën se pse shqiptarët janë hajdutë, ja përgjigjja epike e Fishtës